KORÇË

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet në Korçë nga ku po vijon turin e takimeve me qytetarët për t’i ftuar ata në protestën e 16 marsit në Tiranë.

Gjithashtu Basha zhvilloi takime me biznesin e vogël nga ku theksoi se heqja e taksës Rama mbi naftën do të rrisë fuqinë blerëse dhe të ardhurat e konsumatorit.

“Ju të keni në dorë qeverisjen dhe qeveria të kujdeset për interesin e njerëzve. Kemi një qeveri që është shkëpur nga njerëzit. Nuk dëgjon njerëzit. Sa herë vij këtu, keq e më keq. Gjendja e biznesit ka ardhur duke u përkeqësuar. Do të heqim “Taksën Rama” mbi naftën me 300 lek që do të japë efekt të menjëhershëm tek biznesi dhe qytetarët.

Çdo familje që ka një makinë dhe harxhon mesatarisht. 100 litra naftë në muaj, kursen 30 mijë lek. Për biznesin e vogël, për një kamionçinë, kursimi shkon në 90 mijë lek në muaj, vetëm nga ulja e çmimit të naftës. Për biznesin e madh kursimi shkon deri në 700 mijë lekë të reja. Vetëm ulja e çmimit të naftës do të sjellë energji të reja në ekonomi. Do të ulë koston, do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve do të rrisë çmimin dhe qarkullimin”, tha Basha.

Ai sulmoi ashpër qeverinë duke shtuar se ajo ka humbur busullën dhe ndodhet larg nevojave që kanë qytetarët. Basha premtoi gjithashtu edhe ulje të çmimit të energjisë elektrike duke përsëritur se qytetaria e Korçës duhet të zbresë me 16 mars në sheshin e protestës në kryeqytet.

“Ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, vetëm një taksë 0.5% për biznesin, nuk bëhen realitet pa larguar qeverinë e kapur në vjedhje. Ulja e çmimit të energjisë për biznesin e vogël do të jetë 20%. Ulja e çmimit të energjisë do t’ju krijojë mundësinë që të mbani biznesin. Të punësoni edhe dikë tjetër dhe të mos mbyllni biznesin. Me xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit do të klasifikohet si biznes i vogël.

Do të përjashtohet nga TVSH dhe do të paguajë vetëm një taksë lokale dhe qendrore bashkë. 0.5% të xhiros vjetore. Me këtë taksë do të shlyhesh të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Do të vendosësh një pullë këtu në xham dhe prania e çdo inspektori do të konsiderohet e paligjshme. Këto masa i marrim për të përmirësuar klimën e biznesit si punësuesi më i madh. Ulje e çmimin të naftës, ulje të çmimit të energjisë dhe 0.5% taksë e xhiros vjetore. Pa larguar një qeveri që është kapur duke ju vjedhur ju asgjë nuk bëjmë dot. Më 16 shkurt qytetaria e Korçës të zbresë në Tiranë në protestë”, shtoi Basha.

Basha u takua me një përfaqësues të biznesit të vogël, të cilit i kërkojnë të paguajë gjobën nëpërmjet një shkrese të ardhur nga Ministria e Financave, pa numër protokolli dhe pa një datë.

Basha: Këta janë bandë.

Qytetar: Jam mbytur duke më vënë gjoba. Ai thotë, biznesi zero taksë. Unë nuk e kuptoj se ku është zero taksë. Ja lokali bosh. Ka vajtur 1 milionë e 500 mijë lek.

Basha: Shikoni sa e bukur. Ervin, është si ato shkresat që të vijnë ty nga prokuroria. “Sipas të dhënave që disponojmë pranë drejtorisë së mbledhjes së borxhit, rezulton se ju nuk keni paguar detyrimet e prezantuara përpara jush sipas njoftim-vlerësimit me numër protokolli… hiç asgjë, datë hiç asgjë. Kjo nuk është administratë, kjo është banda.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: