TIRANE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka bërë sot publike arsyen se pse nuk e vizitoi në spital policen e plagosur, Ina Nuka, e cila pas shpërthimit të një kapsolleje, humbi dy gishta.

I ftuar në emisionin ‘A Show’ në ‘News24’ Basha tha se nuk donte që këtë çështje ta përdorte politikisht, ndërsa shtoi se ai ia kishte përcjell urimet për shërim, përmes nënkryetari i Komisionit të Sigurisë.

INTERVISTA

Krasta: Pyetja e parë. E përdori Partia Demokratike protestën politikisht?
Basha:
Sigurisht që jo. Është detyra jonë të jemi në krah të këtyre njerëzve. Po shkojnë t’u prishin shtëpiat pa ligj, pa ju dërguar një copë letër. 317 shtëpi, me mesatarish 2-3 kurora brenda, pra afërsisht një mijë familje. Vogëlushë të traumatizuar. Po të mos ishim aty, do të ishim në shkelje të misionit tonë. Jemi në misionin tonë dhe duhet të jemi aty, jo vetëm ne, po të gjithë ata që e kuptojnë se prishja e shtëpive të këtyre njerëzve, është një hap larg prishjes së shtëpisë,mirëqenies dhe harmonisë në familjen e tyre.

Krasta: Zoti Basha, pse nuk e vizituat ju policen me gishtat e vrarë në spital?
Basha:
E vizitoi nënkryetari i komisionit të sigurisë, i çoi përshëndetjet e mia. Nuk desha ta përdor politikisht, sa herë që shkoj ka kamera, ka gazetarë, por i përcolla përmes nënkryetarit të komisionit të rendit dhe sigurisë, dhe deputetëve të mi, të gjitha urimet për një shërim të shpejtë.

Krasta: Po ndërkohë që ju folët për protestën dhe e ravijëzuat atë në bazë të këndvështrimit të opozitës, nuk e konsideruat një gjë normale që të bënit një përmendje apo një mbështetje të forcave të policisë?
Basha:
Mbështetje kur rrahin qytetarët nuk do të kenë nga unë, kurrë. Unë kam qenë ministri i tyre, i kam mbështetur sa herë kanë mbrojtur ligjin, sa herë kanë mbrojtur rendin, por kësaj radhe ata janë përdorur për të mbrojtur antiligjin, për të mbrojtur shkeljen e të drejtave të këtyre njerëzve, për të rrahur me shkopinj dhe për të keqtrajtuar 15 vjeçarët, 13 vjeçarët, nëna shtatzënë, pse po mbrojnë shtëpitë e tyre. Ndaj mesazhi që ju jap është ky: mos u keqpërdorni, po ju keqpërdorin, jo për të mbrojtur ligjin, por për të goditur ligjin, për të goditur vëllezërit dhe motrat tuaja, që po mbrojnë shtëpitë e tyre, po mbrojnë ligjin dhe kushtetutën.

Krasta: A mund të më thoni ju mua, ku qëndron, përveç prishjes së shtëpive, sipas mendimit tuaj personal, e kritikueshmja, e shqetësueshmja, në raport me gjithë këtë ngjarje?
Basha:
Është një vjedhje. Unaza është sebepi. Puna e komisarit ishte loja. Puna e Unazës është loja. Është vjedhje e pastër. 40 milionë eurot e taksave të tua, të operatorëve që keni këtu në sallë, të të gjithë shqiptarëve, po vidhen në një Project fantazmë. Nuk do të hyj në të gjitha shkeljet, se janë me dhjetëra shkelje. Është detyrë e prokurorisë t’i hetojë, është detyrë e medias t’i hetojë. Po të them vetëm një aspekt, e njëjta unazë, e njëjta kompani, Salillari, vetëm pak metra më tutje është ndërtuar me 8,6 milionë euro për kilometër. Si shkoi çmimi nga 8,6 në 20 milionë vetëm pak kilometra më tej? Si shkoi? Nga ana e procesit e kemi treguar, u futën 3 kompani në garë, për 3 lote, dhe nuk pati garë, sepse kompania tjetër, që ishte e njëjta, Vëllezërit Hysa quhej, që u fut në të treja lotet, nuk dha ofertë. Pra, përdorën një kompani fantazmë, që gara të fitohej me çmimin maksimal. 40 milionë euro. Pyetja është kjo: Sot shtypi e ka bërë transparencën dhe dua të përgëzoj ato organe shtypi që e kanë bërë transparencën. 5 herë më shumë do të harxhohen për këto 2 kilometra, sesa ç’janë harxhuar në segmente të ngjashme të infrastrukturës shqiptare. Pra është një vjedhje e paprecedentë.

Krasta: Me dinamikën që ka ngjarja, me pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje, me reagimin e përgjithshëm të popullatës shqiptare, cili do qoftë ai reagim, mendoni se kjo ngjarje do të stopojë këtu apo, si me thënë, ka një lloj pafuqie për të ndërhyrë në të gjitha ngjarjet tashmë?
Basha:
Jo, nuk shoh pafuqi. Shoh artistët që kanë ndaluar prishjen e teatrit, me vendosmërinë e tyre për momentin, dhe ne do jemi pranë tyre për ta pamundësuar prishjen e teatrit. Shoh tashmë qytetarët që kanë dalë në mbrojtje të shtëpive të tyre dhe kanë zbrapsur, edhe kur janë përballur me dhunën policore, edhe kur janë përballur me arrogancën dhe gjuhën raciste të Edi Ramës dhe të Erion Veliajt, prapëseprapë ia kanë dalë të triumfojnë mbi to. ia kanë dalë të triumfojnë në kushtet e traumës psikologjike. Janë njerëz që u është thënë: do t’u prishen shtëpitë, ku fëmijët kanë 3 javë që jetojnë në kushte jonormale. Dhe imagjino si ndjehen prindërit, kur fëmijët e tyre janë të traumatizuar. Pra, jemi në një përballje, ku qytetarët kanë treguar vendosmëri, forcë dhe kurajo. Krasta: Kjo është intervista ime e parë me ju, kështu që kam të drejtë të bëj ca pyetje që i kam marrë me vete gjatë gjithë kohës…patjeter.

Krasta: Dhe që kanë natyrisht edhe një shqetësim qytetar në këtë mes.
Basha:
Të them edhe një fjali. Jam i frymëzuar nga kurajoja e tyre. Ne shkojmë aty për t’ju dhënë kurajo, por në fakt frymëzohemi nga kurajoja e tyre.

Krasta: Të jesh pjesëtar i administratave të kaluara është më shumë një peshë që mbart me vete, plus një perceptim që kam përshtypjen…jeni ju i ndërgjegjshëm që është ndërtuar një perceptim, që ekziston një perceptim që ju jeni i pafuqishëm dhe që jo domosdoshmërish jeni lideri i duhur për ngjarje të mëdha? Ju e dini që ekziston ky perceptim?
Basha:
Se cila është fuqia ime, duhet të pyesni disa kategori njerëzish. Fillojeni me ata kriminelë që nuk janë më në parlament. Disa prej tyre janë edhe në procese penale. 350 zyrtarë të lartë të shtetit me rekorde kriminale, që janë larguar për shkak të ligjit që unë dhe Partia Demokratike propozuam dhe e detyruam mazhorancën ta pranonte, falë mbështetjes popullore dhe mbështetjes ndërkombëtare. Se cila është fuqia jonë, pyesni biznesin e vogël. Ishte insistimi ynë që taksa e biznesit të vogël u hoq, ndonëse tani i kanë vënë mbi qafë TVSH-në dhe arbitraritetin shtetëror, por edhe ato do t’i heqim. Pra, ne pavarësisht se nuk kemi pasur asnjë fuqi ligjore, dhe këtu ke plotësisht të drejtë, ne s’kemi asnjë fuqi ligjore, pra ne s’kemi asnjë mundësi të ndikojmë në ligjbërje, sepse parlamenti është kapur nga një shumicë që nuk ka ardhur nga vota, por ka ardhur nga shitblerja e votës, prapëseprapë, duke qenë në anën e duhur, në anën morale të çështjeve, ne i jemi imponuar kësaj mazhorance. Kemi 5 vite që i imponohemi; me luftën kundër kriminelëve në parlament, në pastrimin e politikës, në luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër padrejtësisë. Kjo është detyra e opozitës dhe mendoj se ne po e kryejmë këtë detyrë, përkundër vështirësive të paprecedenta në këto 28 vite.

Krasta: Më kanë thënë se ka një organizim të përgjithshëm në PD, një organizim që tenton të shkojë në mënyrë kapilare, apo të ndërtohet një parti e re, e cila do të konkurrojë për zgjedhjet e ardhshme. Ju personalisht, i konsideroni zgjedhjet e ardhshme një red-line, një vijë e kuqe e rëndësishme për performancën personale dhe për marrëdhënien tuaj me postin pas rezultatit të këtyre zgjedhjeve?
Basha:
Nuk ka asgjë personale dhe kjo nuk është gara ime personale. Prej kohësh Partia Demokratike është e detyruar të jetë në një betejë misionare, jo në një betejë elektorale. Ne do donim shumë të konkurronim meplatforma, dhe t’u tregonim shqiptarëve se platforma jonë për ta nxjerrë arsimin nga kriza është më e mirë se ajo rrokopujë që kanë parë deri tani. Se ne kemi një zgjidhje për ta sjellë shëndetësinë në parametrat e rajonit, jo në parametra evropianë. Se ne kemi mundësitë t’i rindezim motorët e ekonomisë dhe të bëjmë të mundur një klimë biznesi ku sipërmarrja e vogël të mos ndjehet e trysnuar, e terrorizuar ditë për ditë nga tatimorët, dhe të nisë të prodhojë. Dhe sipërmarrja që prodhon të rikthehet në Shqipëri, se ne kemi 5 vite pa një investim të huaj.

Po ne nuk kemi mundësi t’i shpalosim këto platforma, as të bëjmë debatin e munguar politik. Ne s’kemi kundërshtarin e denjë politik sepse gjithë koha jonë konsumohet nga trauma që i është shkaktuar këtij shteti, dhe përmes shtetit të kapur këtij populli, nga kriminelët në politikë dhe nga kapja e ekonomisë nga oligarkët. Prandaj them se ne jemi në një betejë misionare. Pa fituar këtë betejë misionare, për të rikthyer demokracinë, ndarjen e pushteteve, që jo i gjithë pushteti të jetë në dorë të një njeriu, themelet që nga Magna Carta e deri tek Montesquieu, të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Për sa kohë që ne kemi de facto një autokrat që kontrollon ekzekutivin, parlamentin, drejtësinë, median, ekonominë, nuk mund të bëhet fjalë për një debat normal politik, prandaj edhe beteja jonë nuk është një betejë normale politike. Është një betejë misionare, e ngjashme me betejën që zhvilluam para 3 dekadave, para 30 vitesh, por në një realitet të ri shumë më kërcënues për të ardhmen e shqiptarëve. Dhe kjo është arsyeja, pse njësoj si para 3 dekadash, shikojmë një valë emigratore të shqiptarëve që largohen nga vendi. Prandaj detyra jonë është misionare, të rikthejmë besimin se ky vend mund të bëhet dhe do të bëhet.

Krasta: Misionare. Është Partia Demokratike e dobët?
Basha:
Pse e thoni këtë?

Krasta: A është e fortë? A mund të përballet ajo me një mision të jashtëzakonshëm tanimë, si 30 vjet përpara? Pra, energjia, atmosfera, kontrolli, situata e 30 viteve më parë…edhe vetëdija njerëzore ka qenë ndryshe. Tani jemi në një situatë krejtësisht tjetër.
Basha:
E para, të kthejmë ndjeshmërinë e shqiptarëve për fatin e tyre. Më duket se shqiptarët janë bërë të pandjeshëm për fatin e tyre. Dhe jo vetëm në Shqipëri. Edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni. Kudo në hapësirën shqiptare. Pra detyra e parë është të rikthejmë ndjeshmërinë e shqiptarëve për fatin e tyre, të tregojmë që fati i tyre nuk është si shiu që bie nga qielli, por bëhet nga ata vetë. Dhe kjo fillon me 3 prioritetet tona kryesore: pastrimin e institucioneve nga krimi, dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe çlirimin e ekonomisë nga 10 oligarkë që kontrollojnë gjithë fondet dhe pasuritë e shqiptarëve.

Krasta: Ju, në rast se situata politike në Shqipëri do të ndryshojë, dhe ju do kishit nesër fuqi qeverisëse në këtë vend, ju nuk do t’i merrni këta oligarkë inat, se ju keni patur nevojë për ta dhe do të keni edhe në të ardhmen. Oligarkët janë aty gjithmonë.
Basha:
Ky është thelbi i betejës. Thjesht largimi i Edi Ramës nuk është zgjidhja e problemit. Ne duhet të shkatërrojmë sistemin që është ngritur dhe që është konsoliduar nën drejtimin e tij, por është ngritur prej kohësh, për të cilin mbajmë përgjegjësi edhe ne si Parti Demokratike. Disa prej këtyre oligarkëve rrinin në paradhomat tona, përpiqeshin të merrnin favore, disa edhe ia dolën të merrnin favore dhe për këtë ne kemi reflektuar. Na është dhënë shansi të reflektojmë kur shqiptarët na kanë nxjerrë me votë në opozitë. Sot detyra jonë kryesore është t’i bindim shqiptarët, se ajo që do bëjmë së bashku nuk është thjesht zëvendësimi i një partie me një parti tjetër, por shembja e këtij sistemi, ku janë fokusuar në një interesat politike, kriminale dhe oligarkike, dhe ndërtimi i një sistemi që funksionon njësoj si në vendet e Evropës. Ku ikin shqiptarët? Ku kemi një ekzekutiv që përgjigjet para një parlamenti, një parlament që përgjigjet para popullit dhe një drejtësi që gjykon pa trysni dhe nuk mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Krasta: Do ju besojnë?
Basha:
Kjo është një punë e përditshme. Unë besoj se ka një vetëdije në rritje të shqiptarëve që jo vetëm kështu nuk mund të vazhdohet më, por që zgjedhjet e tjera dhe qeveria tjetër nuk do të sjellë veç ndryshim fytyrash, por një ndryshim tërësor të përqasjes ndaj politikës, të raportit të qeverisë me qytetarin.

Krasta: Më lejoni t’ju provokoj për të mirën e debatit. Është vënë re në publik kohët e fundit, gjatë gjithë kohës, që qëndrojnë afër jush një apo disa – po le të themi një – personazh, i cili ka një imazh publik në të dyja anët e politikës, pak të them të tmerrshëm. Të neveritshëm dhe të papranueshëm. Ju kall njerëzve krupën. Me çfarë kostoje personale dhe partiake, ju mbani 3 njerëz të administratave të kaluara, të cilët kanë, nga pikëpamja e marrëdhënieve pi-ar-e, të marrëdhënieve publike, imazh mizerabël.
Basha:
Nuk e di për kë e keni fjalën. Unë as nuk mbaj me zor, as nuk largoj me zor askënd. Njerëzit, në pikëpamjen time, në mendësinë time, në formimin tim, duhet ta fitojnë besimin e publikut dhe duhet ta justifikojnë atë në çdo moment.

Krasta: Në qoftëse nuk e fitojnë besimin e publikut, siç ka qëlluar në këtë rast, por përdorin arrogancën, agresivitetin, tipik të PD-së së dikurshme, që i shkaktoi largimin pothuaj të pakthyeshëm ose relativisht të pakthyeshëm, të shumicës së heshtur të njerëzve. Ju lutem, kishit guxim që këtij njeriu apo këtyre njerëzve t’u kishit thënë të paktën qendro në hije ose ‘shut the fuck up…’
Basha:
Tani, ajo nuk është gjuha që unë përdor me bashkëpunëtorët. Unë di t’ju them këtë, që në rrethin tim të bashkëpunëtorëve nuk ka kriminelë, nuk ka njerëz të cilët janë të lidhur me kriminelët, dhe nuk ka njerëz të cilët e kanë lidhur fatin e tyre me oligarkët. Ekipi i ri i Partisë Demokratike është një ekip, i cili po ndërtohet në bazë të disa vijave të kuqe. Njerëz të pastër, me integritet, njerëz që përfaqësojnë vlera njerëzore, morale dhe profesionale, njerëz të përkushtuar ndaj kauzave të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj. Dhe ky është një proces që nuk ndodh sat ë hapësh e të mbyllësh sytë, do rrjedhjen e vet, do kolaudimin e vet me anëtarët e Partisë Demokratike dhe nga publiku i gjerë. Po një gjë mund ta themi me siguri sot, që kriminelët, oligarkët dhe të gjithë ata të cilët janë sot pjesë e problemit, dhe nuk mund të jenë kurrë pjesë e zgjidhjes, shtëpinë dhe strehën e kanë tek partia e Edi Ramës, në Partinë Demokratike kanë një forcë të përbetuar kundër atyre që po marrin peng interesat e vendit. Dhe kjo është ‘vija e kuqe’ që ndan shapin nga sheqeri. Afër meje nuk do të ketë kurrë njerëz të lidhur me krimin. Në Partinë Demokratike ata nuk do të marrin as përgjegjësi, as përfaqësim të interesave të publikut. Njerëzit që përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe njerëzit që nesër do të marrin përgjegjësinë për të qeverisur do të jenë të pakorruptuar, të pashantazhueshëm, dhe të palidhur me krimin.

Krasta: Largimi, nxjerrja jashtë, vetëlargimi, quajeni si të doni ju, i një grupimi njerëzish të Partisë Demokratike, të rëndësishëm, të establishmentit të vjetër. Ka një predispozitë për t’i afruar ata në emër të një energjie të re dhe të një teze të re që tani tentohet të dalë, në rrethana relativisht të tjera. Fjala vjen, Jozefina Topalli, ç’përfaqëson për ju
Basha:
Nuk kam ndërmend të merrem me asnjë emër të përveçëm, po dua të ju them këtë: Asgjë personale nuk kam patur në vendimarrjet e mia dhe asgjë personale nuk do të ketë. E rëndësishmë është që ata, të cilët ndihen se mund të japin në këtë kauzë, në këtë luftë misionare, ti kenë mundësitë ti japin dhe kjo është detyra ime si kryetar i partisë. Të krijoj hapsirën që ata mund të japin. Disa prej tyre janë anëtarë të Këshillit Kombëtar, ex officio, siç është zonja Topalli. Ne kemi ndryshuar statutin dhe ajo është anëtare e Këshillit Kombëtar përjetë. Disa të tjerë japin përmes këshillave, përmes shkrimeve, edhe kritike, kontributin e tyre është publik.

Krasta: Pra, le të themi se ajo është anëtare përjetë e Këshillit Kombëtar, një lloj senatore e përjetëshme e partisë?
Basha:
Po, pikërisht!

Krasta: Ju i lejoni në një kuptim, asaj dhe atyre, që të ju trajtojnë juve si një, le të themi në mos arsyeja kryesore e mosformësimit të PD tani, apo në mënyrë partiake?
Basha:
Nuk ka pikë rëndësie çfarë mendojnë ata, rëndësi ka a i shërbejnë apo jo interesit të vendit.

Krasta: Domethënë brënda konstatoni se ka një besim tek ju?
Basha:
Nuk ka pikë rëndësie çfarë mendon dikush në nivel personal. Rëndësi ka, a janë gati të japin kontributin e tyre që ua kërkon vendi, natyrisht dhe demokratët. Most ë harrojmë se sot kemi qindra mijëra qytetarë të cilët vuajnë për bukën e gojës. 290 mijë prej tyre hajnë një vakt në ditë, midis tyre natyrisht mijëra demokratë. Pra, jemi në një gjendje dramatike, gjendje emergjencë. Çdokush që bën hesape personale me karrigen e vet, këtu nuk i shërben zgjidhjes, as rrugës së zgjidhjes. Ndaj ky është një moment për të treguar vetën, secili tregon vetën e saj apo të tij. Të gjithë ata që duan ndryshimin, kanë tek PD një platformë për tu bërë pjesë e ndryshimit dhe tek unë një garanci që kjo do të jetë një parti e hapur, një parti e vlerave dhe jo e antivlerave, e pa lidhur me krimin e cila nuk do të bëjë kurrë kompromis me oligarkinë. Kjo është edhe domethënia e ligjit antimafia që kemi bërë gati, për të treguar qartë para shqiptarëve, se të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e taksapaguesve dhe me pasuritë e tyre gjatë kësaj qeverisje, por pa kufizim gjatë gjithë qeverisjeve, nga PD tashmë do të mbahen përgjegjës dhe do të jenë ata që do të japin llogari para ligjit dhe jo që do të futen e të bëjnë aferat e rradhës me qeverinë e Partisë Demokratike. Pra, ne jemi fare të vetëdijshëm edhe për mangësitë, edhe për të metat tona gjatë kohës që kemi qeverisur dhe sot vijmë para shqiptarëve me një platformë të qartë të ndarjes nga e kaluara. Pastrimin e politikës nga krimi, pastrimin dhe çlirimin e ekonomisë nga oligarkët, pavarësisht nga emrat dhe mbiemrat, të gjithë ata që kanë pranuar të zhvasin paratë e shqiptarëve në bashkëpunim me këtë qeveri. Dhe dekriminalizimin e zgjedhjeve, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të vendosin të lirë nga presionet e krimit dhe nga paratë e korrupsionit.

Krasta: Por për njeriun antikonformist, për njeriun që flet në mënyrë vulgare publikisht, për liderin i cili bën provokime të forta për turmat, duke marrë përsipër në një kuptim, një lloj që flet me vulgaritet psh. Ose që vishet në mënyra nga më spektakolaret, që bën gjeste që dikur nuk pranoheshin në konstruktin politik. Në kundërshtim me këtë vizion shohim një njeri flok-impecable, perfekt i qethur dhe i krehur, me një mënyrë veshje tipike zyre, një njeri që mundohet të komunikojë si një djalë i mirë, me familje të mirë, me idenë se dikush do ta dëgjojë. Nuk ju duket kjo juve jashtë kohe?
Basha:
Unë jam një partizan i normalitetit. Dhe normaliteti për mua në Shqipëri do të thotë të mos shfrytëzosh të keqen e vendit, atë që ka pllakosur vendin, mjerimin, varfërinë, mungesën e mundësive për të krijuar një retorikë poetike revolucionare e cila pastaj kur merret pushteti degjeneron në një qeverisje të korruptuar, me udhëheqës autokratë të cilët sillen si mendimtarë të mëdhenj dhe fillojnë e japin mendime edhe për kriza globale. Bëhen specialist për gjithçka, që nga nafta, bujqësia, piktura, skulptura, dhe në fund fare ikin me turp. Normaliteti sjell, siç e gjykoj unë me formim europian, është të vish normalisht, ti besosh zgjedhjes racionale të qytetarëve të tu, të qeverisësh normalisht dhe të largohesh normalisht. Në këtë kuptim jam dhe mbetem një demokrat që beson shumë tek demokracia. Unë nuk besoj se njerëzit janë budallenj. Unë besoj se njerëzit janë të painformuar dhe këtu pastaj futen dallkaukët të cilët luajnë me emocionet e njerëzve, në një ambient ku media është e kapur kjo është shumë më e lehtë të bëhet. Luhet me manipulimin e opinionit publik, luajnë me fshehjen dhe falsifikimin e fakteve. Unë besoj se njeriu i informuar, shqiptari i informuar do të zgjedhë gjithnjë gjithnjë zgjedhjen e duhur, të drejtë. Dhe kjo është beteja ime që shqiptarët të jenë të informuar, të dinë çfarë po ndodh, ku është e keqja, çfarë rreziku ka për familjen e tyre, dhe çfarë alternativë ka për të dalë nga kjo e keqe. Dhe së dyti të jenë të lirë të vendosin. Unë jam i bindur se nëse i arrijmë këto të dyja shqiptarët do të zgjedhin mençurisht. Prandaj besoj tek demokracia pavarësisht se siç e thatë jetojmë në një kohë kur kjo sfidohet nga praktika populiste apo antidemokratike.

Basha: Jo s’mund ta them që i kam dhënë vetes kohë. Unë ngutem që kjo të mos vazhdojë të bëjë dëmin e vetë në Shqipëri.

Krasta: Nuk jeni me platformën që ju shkoni në anë të lumit dhe të prisni që lumi të sjellë kufomën e kundërshtarit tuaj politik.
Basha: Jo Jo. Nuk është fare kjo. Këtë e shikoj si një betejë që duhet fituar si thjeshtë për të më sjellë mua në pushtet por duhet fituar për të sjellë në Shqipëri më në fund një normalitet kur njerëzit ta kuptojnë që është në dorën e tyre. Siç bërtasin protestuesit tek ‘Unaza e Re’ që ne vendosim këtu, ta kuptojnë që këtu vendosin ata. Nuk vendos një grusht sharlatanësh politikë të cilët vishen, bërtasin dhe përdorin gjera anormale pikërisht për të tërhequr vëmendjen. Dhe asnjë grusht kriminelësh që nuk duhet të jenë kurrë në institucione por duhet të jenë në qeli ose duhet të jenë larg institucioneve, dhe asnjë grusht oligarkësh që nuk kanë asnjë meritë ekonomike. Nuk prodhojnë asgjë, nuk sjellin asgjë të re apo vende të reja pune por jetojnë si shushunja me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe që e gjitha kjo mund të marrë fund nëse qytetarët vendosin të marrin në dorë fatin e tyre që për mua nuk është thjeshtë një parullë. Të informojmë, ti vetëgjesojmë për rrezikun që kjo paraqet për familjet e tyre dhe mendoj se këtu nuk mund të harxhojmë shumë kohë sepse emigracioni po e shkatërron vendin, po e zbraz vendin nga më të mirët dhe tu paraqesim alternativën. Kjo është një betejë e vështirë kur luhet në veçanti me ata që janë showman…

Krasta: Ju e pranoni që performanca komunikuese e kundërshtarin tuaj politik është një performancë që megjithatë pëlqehet në publikun e gjerë dhe në një kuptim ndikon për të mos i future asnjë shkop në rrota?
Basha:
Nuk mendoj kështu. Arsyet kryesore pse Edi Rama është në pushtet është mbështetja që ka marrë nga kriminelët dhe nga paratë e oligarktëve, mbështetja nga media të kapura të cilat ushqehen me këto afera korruptive dhe indiferenca e shoqërisë civile, e intelektualëve dhe njerëzve të elitës. Këto e mbajnë në këmbë Edi Ramën. Unë mendoj se nëse njerëzit thonë të vërtetën ashtu siç është dhe nuk vlerësojnë alternativat sepse për fakt ky vend e ka një alternativë që është opozita dhe PD në mënyrë racionale, pra të shkëputen nga shouman-ship, nga rendja pas batutës së ditës, gjestit të ditës, shfaqjes së ditës, dhe të kuptojnë se përtej kanë një dramë e cila ka pllakosur në familjet shqiptare dhe në vendin tonë, ne mund ti rikthehemi një debate racional dhe demokratik dhe kjo është beteja ime për tu thënë se kjo nuk është lojë shahu por lojë me fatin tuaj, të familjeve tuaja, të fëmijëve të tu, me të ardhurat tuaja. Dhe njëherë po e them. 290 mijë shqiptarë jetojnë me një vakt në ditë. Është viti 2018. 400 mijë janë larguar nga vendi. Kjo është drama dhe sado të insistojë kundërshtari politik në këtë rast Edi Rama dhe kushdo tjetër, kjo shfaqe do marrë fund dhe nuk do vazhdojë. Dita që kjo shfaqe do të marrë fund do të jetë dita kur shqiptarët do të marrin në dorë fatin e tyre.

Krasta: Po sikur të mos marrë fund?
Basha:
Do të marrë fund. Historia na mëson se do të marrë fund. Dhe ajo që shohim tek Unaza e Re, tek protesta tek Teatri, ato që shohim tek shkrimet e kolegëve të tu, është marrja e një guximi të munguar, për t’ju kundërvënë kësaj shfaqe dhe regjisorit të kësaj shfaqe dhe tu thënë shqiptarëve; Mbreti është lakuriq, vendi është në ditë të zezë dhe kështu nuk mund të vazhdohet më.

Krasta: Këto janë dy ishuj të reaksionit popullor në fakt dhe ai i artistëve që është më i sofistikuar…
Basha:
Do të thoja që është maja e një vullkani që po zien dhe është gati të shpërthejë.

Krasta: Ju si kryetar i PD dhe i opozitës, në këtë moment që flasim nuk e gjeni shumicën që mendon, analizon, nuk e gjeni larg jush?
Basha:
Përkundrazi, e gjej veten shumë pranë dhe i gjej ata në një moment shumë kritik para një reagimi popullor.

Krasta: Nëse do tu thoja ju si votues tani, dhe duke i paraqitur rreziqet e një mesazhi kakofonik, të komplikuar, cili është një mesazh i shkurtër me një rresht me të cilit ju i shkoni përballë çdo njeri që voton dhe i thoni atë që dëshironi… dhe unë do tu them nëse më bindni?
Basha:
Shikoni, nëse bëhet fjalë për votime, natyrisht që mesazhi do të jetë në raport me të ardhmen. Por sot nuk jemi para votimeve. Sot jemi në një krizë të thellë ku gjithsecili duhet të ndërgjegjësohet që pa çliruar politikën nga krimi, pa çliruar ekonominë nga oligarkët dhe korrupsioni, dhe pa dekriminalizuar zgjedhjet vendi nuk do të bëjë para. Këto janë 3 beteja jetike e cila është çlirimi i shtetit nga kriminelët, oligarkët, dhe nga zgjedhjet e kapura.

Krasta: Ju e keni përcaktuar njeriun që do të konkurrojë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës?
Basha:
Po ta kisha përcaktuar do ti bëja hasha të gjithë ato që thashë këtu. Sepse është bindja ime më e thellë që për të përqafuar një model të ri ku demokracia me të vërtetë përfaqëson interesat e njerëzve që të zgjedhin lirisht pastaj përmes platformave të debatit politik, ata do të përfshihen që në fazën e kandidaturave. Prandaj ne do të hapim një debat qytetar dhe jo thjeshtë politik në mënyrë që njerëzit që do të na përfaqësojnë në zgjedhjet vendore të jenë produkt jo vetëm i vendimmarrjes politike por një konsensusi sa më të madh qytetar.

Krasta: A vazhdoni të keni ju kontakte sot me agjencitë e ndryshme të informacionit dhe zbulimit nga pikëpamja institucionale… si me thënë nuk ka një rrezik që ky vend të shndërrohet në një telenovelë të madhe ku praktikisht për shkak të përgjimeve një ngjarje arkivohet pasi diskutohet për disa ditë për çudinë e radhës?
Basha:
Shikoni, unë nuk punoj në këtë mënyrë. Natyrisht që agjensitë e ligjzbatimit dhe mediat kanë bërë një punë të madhe në zbulimin e aferave të cilat janë para syve të shqiptarëve por qëllimi ynë nuk është vetëm denoncimi i tyre por mendoj që shqiptarët e kuptojnë qartë që këtu kemi gjasme një kryeministër, gjasme një parlament, një prokuror gjasme, një drejtësi gjasme. Pra ata duan që të zgjodhën nga kjo ëndërr, nga kjo e keqe, nga ky makth, nga kjo telenovelë e shëmtuar siç e the pak më parë. Është më keq se një telenovelë. Po afrojnë festat. ato 1 mijë familje të Unazës së Re nuk e dinë nëse do të jenë në shtëpitë e tyre apo jashtë shtëpive të tyre. Ata 290 mijë shqiptarë do vijojnë të ushqehen me 1 vakt në ditë. Pensioni i 600 mijë pensionistëve nuk do të mjaftojë sërish, kur të paguajnë energjinë apo faturat e shtrenjta të ilaçeve. Ose do ti përkasin asaj kategorie që do të hanë njëherë në ditë ose do të shtrijnë dorën për lëmoshë tek fëmijët e tyre. Kjo është një dramë që mund dhe do të marrë fund. Nuk është Shqipëria para 30 viteve. Vetëm volume i naftës që nxjerr Shqipëria çdo vit është 600 milionë euro. Para dhe mundësitë ekzistojnë, jo për ta bërë Shqipërinë për të jetuar me standard zviceran, as gjerman, as Italian, por që të paktën të ketë një shëndetësi me nivelin rajonal të shërbimit, të ketë një rsimim të duhur për fëmijët, të ketë mjaftueshëm para për shqiptarët në pamundësi ekonomike që të mos u mungojë buka, uji dhe dritat, dhe të ketë një regjim fiskal që të mos përzerë investitorët por të thithë investimet e të hapë vende pune, kjo është e mundur. Por që të shkojmë aty duhet që së pari të thyejmë e të copëtojmë këtë model që na ka ofruar organizata e Rilindjes, mpleksen e interesave kriminale, politike dhe oligarkike në një dhe me pak piper mediatik sipër, kjo duhet thyhet. Duhet thuhet dhe madje duhet shpëtuar edhe Partia Socialiste në një fare mënyre që debate nesër të mos jetë më debat se sa vite burg ka bërë deputeti yt, sa burg ka bërë kryebashkiaku yt, sa lekë do vjedhësh me këtë tender, por të jetë një debat ku qytetarët të zgjedhin midis dy apo më shumë platformave. Ne po e bëjmë gati ofertën tonë. Për ekonominë, për shëndetësinë, për arsimin, rininë, dhe besojmë se është një ofertë e cila do ta ndalë këtë krizë dhe do ta rikthejë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit normal dhe normalitetit. Një politikë që të mos jetë nga mëngjesi në darkë produkti i vetëm i konsumit të shqiptarëve por të jetë shërbëtore e tyre.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb