TIRANE

Deputeti i PD, Luciano Boçi tha se në 16 shkurt nuk proteston PD, por qytetarët dhe se është në dorë të qytetarëve se si do të menaxhohet kjo protestë. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Boçi u shpreh se nuk kanë rëndësi format si protestohet, por realizmi i qëllimit të protestës që është rrëzimi i Ramës dhe krijimi i qeverisë tranzitore.

“Detyra e një opozite nuk është të bëjë vetëm debat teorik, por të konkretizojë veprimet për zgjidhjen e problemeve. Protestat janë demonstruar edhe në vitet pararendëse. Nuk është një protestë e thirrur vetëm nga PD, por është e thirrur nga vetë qytetarët. Protestën e kanë kërkuar të gjitha shtresat e shoqërisë në Shqipëri. Protesta është e vetmja zgjidhje për qytetarët. Se si do menaxhohet protesta kjo është në dorën e qytetarëve. Parashikohen të gjitha format e protestës, alla franceze, me të gjitha format demokratike. Qëllimi i protestës është rrëzimi i Ramës dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Me rëndësi është arritja e qëllimit dhe jo forma e protestës”- tha Boci.

Boci ka komentuar edhe debatin me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj në Komisionin e Medias lidhur me pretendimet se policia ka dhunuar studentët protestues dhe ka shkelur ligjin.

“Debati provoi që policia në kundërshtim me Kushtetutën dhe me atë të arsimit të lartë kishte ndërhyrë dhe kishte ushtruar dhunë tek studentët. Ndërhyrja e policisë në territorin e Universitetit bëhet vetëm me kërkesë të rektorit. Pra me tendencat që pati debati u provua se ministri i Brendshëm ka përgjegjësi penale dhe ligjore për atë që ka ndodhur. Ky ministër ende nuk ka vënë mend, pasi ato kërkesa nuk u morën në konsideratë, pasi sot policia ka mësyrë në Fakultetin Filologjik. Situata është krejtësisht e papranueshme, pasi studentët janë të territorin dhe të drejtën e tyre. Kërkesat e tyre janë legjitime. Unë mendoj se qëndresa e pedagogeve do vijojë.  Protestat dhe pakënaqësitë janë hapi parë për të hedhur poshtë ligjin e arsimit të lartë. Rama shmang zgjidhjen e kërkesave me ligj dhe paraqet VKM. Po të kishte Gjykatë Kushtetuese, VKM do rrëzoheshin. Programi 5% i ekselentëve ka qenë edhe para viteve 1990.  Është politikë e çdo qeverie për të mbështetur ekselentët të cilët nëse janë ekselentë mund të fitojnë edhe konkurset”- tha Boci.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb