Do protestoj në çdo orë të ditës dhe të natës. Do protestoj më shumë në mbrëmje ose natën, nëse duhet që kamerat e rrjeteve ndërkombëtare televizive të kapin me më shumë efekte protestën time. Që revolta të ketë më tepër peshë. Është e drejta ime e shenjtë si qytetar në një demokraci. Do protestoj për kapjen e shtetit, për mungesën e vendeve të reja të punës.

Për mbytjen e shpresës se ky vend bëhet. Për rilindjen e kthyer në vaditëse lulesh dhe ujitëse pemësh në qendra qytetesh të vogla, me urgjenca spitalore në ditë të hallit. Për korrupsionin e ngritur në sistem, në administratën shtetërore. Për tenderat shtetërorë të çelnikosur në vetëm disa radhë kompanish dhe studiosh projektimi shokë e miq të pushtetarëve të sotëm. Ku sipërmarrësi i thjeshtë, specialisti ose njeriu me ide biznesi e ndjen veten me vjet dritë larg parasë publike, nga ky klientelizëm i pashoq i krijuar.

Për të rinjtë e arsimuar jashtë shtetit, që tallen nga drejtorucët e administratës sonë kur aplikojnë me forcën e dijeve dhe diplomave të universiteteve me emër ku kanë studiuar. Për mijëra ish-punonjës të shtetit që kanë qenë të detyruar të “hapin krahun” nga horri apo horrja drejtore që i ka hequr pa asnjë motiv të vlefshëm, madje edhe pa justifikim formal, duke futur të tjerë në vendin e tyre, militantë apo pagatorë nën dorë, duke i thënë paturpësisht: “

Më hidh në gjyq po deshe!”. Për të gjitha shushunjat e administratës, që marrin 20 për qind për t’u kthyer pronarëve një përqindje mjerane në formë parash, për tokën e grabitur padrejtësisht, apo 10 për qind për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Për të gjithë horrat dhe horret e mjekësisë publike, për recetën elektronike, të paraqitur me aq pompozitet në nëntor 2017, por që sot nuk arrin të kufizojë korrupsionin dhe abuzimin me tregun gjigant të barnave të rimbursueshme nga buxheti i shtetit. Për 83 milionë euro në vit (mbi 10 miliardë lekë) që paguhen nga taksat tona nëpërmjet Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe ku receta elektronike nuk bën dritë as në një të njëzetën e këtyre parave tona (pjesa më e madhe e ilaçeve të rimbursueshme tregtohen nga farmacitë, pa recetë elektronike dhe pa nënshkrim elektronik të mjekut).

Për spitalet shtetërore, ku shteti shpenzon për çdo pacient të shtruar 180 mijë lekë të reja në muaj dhe pacienti merr vetëm një të dhjetën e kësaj shume në shërbime. Për strategjinë antikorrupsion, të nisur po me pompë e bujë në vitin 2015, por që ka përfunduar në tallje për qytetarët e këtij vendi, me cekëtinën e mosveprimeve ku është zhytur. Duke shpenzuar kot 2 miliardë lekë të reja në tre vjet, pasi ka ngelur jetime, pse qytetari që ka humbur besimin te shteti nuk i denoncon rastet korruptive. Për një ngrehinë me emër të madh: strategji ndërsektoriale antikorrupsion, që ka katandisur pa mekanizëm real mbikëqyrës.

Për sportelet “One Stop Shop” që duhej të hapeshin pikërisht për të luftuar korrupsionin me paratë e donatorëve dhe janë hapur formalisht vetëm në 14 bashki. Duke u tallur me përmbushjen e një prej pesë përparësive (detyrave të shtëpisë) për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kjo është tabloja e sotme e administratës sonë shtetërore dhe jam gati të dal të protestoj për ta ndryshuar atë çdo ditë e natë. Por jo për të përdorur lëndë zjarrndezëse. Jo për të sulmuar në të errët Kuvendin me më shumë njerëz me maska se sa fytyra njerëzisht të indinjuar dhe revoltuar. Jo për të plagosur policët e paguar keq të vendit tim, që mbrojnë institucionet e të gjithëve.

Këtu ndahem nga opozita e sotme e rrugës. E dua opozitën jo piroteknike, por për të më dhënë shpresë. Shpresë se gjërat do të përmirësohen me ofertën e saj për të qeverisur. Shpresë që ta votoj opozitën, nëse bindem për programin e saj rimëkëmbës dhe sjellës të shpresës. Nuk dua falanga sulmi mbi institucionet. Nuk është kjo zgjidhje për problemet e mija si qytetar dhe të të dy milionë e gjashtëqind mijë banorëve të tanishëm të Shqipërisë. Kështu nuk i mbajmë dot njerëzit të mos braktisin vendin tonë. Kështu vetëm se shkatërrojmë një gjë të vyer: shansin për opozitë konstruktive, që sot po bëhet vetëm nga dy deputetë të PD-së, që patën guximin t’i thonë ‘jo’ vetëshkatërrimit. T’i hyjnë detit me këmbë dhe të kërkojnë kryerjen e reformës zgjedhore, që do t’i japë më në fund moral dhe së ardhme politikës sonë, deri tani tërësisht të papërgjegjshme nga të dyja anët. /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb