Gjykata ka lënë në burg 4 nga protestuesit e arrestuar pas protestës së 16 marsit, ndërsa 10 të tjerë janë liruar nën masën detyrim paraqitje. Nën masën arrest me burg u lanë: Gazmir Bekshiu, Aldi Spaho, Ermir Bruka dhe Pal Daija.

Me detyrim paraqitje u lanë të lirë 10 protestuesit: Edison Tahiri, Klajdi Poci, Denaldo Buzi, Eduard Buzi, Elidjan Buzi, Florian Zeneli, Jeton Spahiu, Ali Bruci, Kevin Kastrati dhe Flamur Rrahja.

Po ashtu mësohet se vijojnë të jenë në kërkim 7 persona, pjesëmarrës në protestë.

Një ditë pas protestës së 16 marsit policia procedoi penalisht 33 persona për dhunën e ushtruar në protestën para parlamentit të Shqipërisë, mes të cilëve edhe Sekretarin e Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, njëherësh organizatori i protestës.

Në protestën e opozitës të së shtunës, përpara Parlamentit pati përplasje mes policisë dhe protestuesve. Si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës nga radhët e policisë pati 3 efektivë të lënduar, po ashtu edhe disa protestues, numri i të cilëve nuk u bë i ditur nga policia.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb