Klevis Balliu, shef i Organizimit në PD, në “Opinion” me gazetaren Nisida Tufa në News24, tha se protesta e 23 dhjetorit u propozua nga strukturat e PD-së.

Balliu tha se strukturat propozuan këtë datë për të pasur një kohë të mjaftueshme për organizimin.

“Nuk ka rëndësi data, por arsyet e kësaj proteste. Çdo qytetar që e ndjen xhepin e tij më bosh se kurrë justifikon çdo akt të mosbindjes civile”, tha Balliu.

Përsa i takon kërkesës për Qeveri teknike, Balliu tha se këtë e kërkojnë nga Partia Republikane në SHBA, dhe partitë e qendrës së djathtë dhe të djathtë, në të gjithë Botën përmes 3 rezolutave të miratuara tashmë.

Në këtë kuadër, Balliu tha se qeverinë teknike në Shqipëri e kërkon Bota perëndimore. “Janë 3 rezoluta jetike për demokracinë tonë. Qeveria përdor krimin e organizuar në zgjedhje dhe në kushte të tilla qeveria teknike është jetike për zgjedhje të lira dhe me standarde”, tha Balliu.

Sipas tij, nuk është hequr dorë nga asnjë skenar i mosbindjes civile. “Më 23 dhjetor, Tirana do të jetë nën kontrollin e qytetarëve”, tha Balliu. Sipas tij, më 23 dhjetor do të bllokohen rrugët e korrupsionit, jo rrugët për qytetarët. “Qytetarët kanë të drejtën e tyre të protestojnë. Ne kërkojmë që në Shqipëri të bëhen zgjedhje normale, mos kemi bandat që marrin peng procesin”, tha Balliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb