KAVAJË- Ministri i Financave Arben Ahmetaj, njëherësh i deleguari i Partisë Socialiste në Bashkinë Kavajë dhe Rrogozhinë, i shoqëruar nga Kandidati për Kryetar të Bashkisë Kavajë Klodian Shehi, inspektuan sot punimet për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare Rilindja në Kavajë.

Duke iu referuar zgjedhjeve që do të mbahen këtë të diel në qytetin e Kavajës, Ahmetaj i bëri sërish thirrje Partisë Demokratike të mos pengojë qytetarët e Kavajës të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese të votës:

“E gjej rastin t’i bëj një thirrje “çadrës” që ta lerë rehat qytetin e Kavajës, t’i lerë rehat banorët e Kavajës që në 7 maj, të vijnë të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, në qetësi të plotë, në qytetari të plotë dhe të zgjedhin kryetarin e ri të bashkisë në mënyrë që projekti i rilindjes urbane të vazhdojë ashtu siç ka vazhduar këto vite, që e ka kthyer Kavajën nga një qytet i harruar, në një qendër urbane dhe në një qendër turistike” – tha Ahmetaj.

Shkolla, e ndërtuar që në vitin 1908 me kontributin vullnetar të vetë banorëve të qytetit, tashmë i është nënshtruar një rikonstruksioni të thellë, falë projektit të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, në vlerën 100 milionë lekë.

Për Ministrin Ahmetaj investimi prej gati 100 milion lekësh, pra afërsisht 1 milion dollarë është në kuadrin e investimeve qe bën qeveria në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në gjithë Shqipërinë.

“Shkolla Rilindja do të jetë një nga shkollat model që do të ketë qyteti. Do të bëhen investime serioze edhe në klasa, por edhe në palestër e laboratorë. Siç e theksova shkolla do të jetë një model për qytetin, do të ketë më shumë se 600 nxënës dhe do të ofrojë kushte maksimale të infrastrukturës dhe mësimdhënies. Sigurisht që dua të theksoj që është një vepër që tregon kujdesin e qeverisë përsa i përket arsimit dhe sidomos në një qytet si Kavaja, qytet arsim-dashës”, tha Ahmetaj.

Kandidati për Kryetar të Bashkisë Kavajë Klodian Shehi u shpreh se ky projekt do t’i rikthejë nxënësve shkollën dinjitozë që ata meritojnë, me standarde dhe cilësi bashkëkohore.

“Është një shkollë që kishte vite që kërkonte ndërhyrje. U desh kërkesa jonë dhe mbështetja e qeverisë për të bërë realizimin e këtij projekti me të cilin ne duhet të krenohemi. Do të jetë një nga shkollat e reja të cilat do të plotësojnë të gjitha kriteret, me standardet e duhura dhe nuk do të mungojë dhe sistemi i ngrohjes, që është me shumë rëndësi përsa i përket arsimit në kushtet e sotme” – tha Shehi.

Punimet për fillimin e shkollës pritet të mbarojnë deri në fillimin e sezonit të ri shkollor dhe përfshijnë mbi 35 klasa për më shumë se 600 nxënës, laboratorët e fizikës, kimisë dhe informatikës, palestrën dhe fushën e sportit dhe sisteme bashkëkohore të ngrohjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: