TIRANË

Ka zgjatur rreth 2 orë e 20 minuta protesta e nëntë kombëtare e opozitës së bashkuar. Asnjë incident nuk pati megjithëse nga bulevardi, para Kryeministrisë protesta u zhvendos tek parlamenti për t’u mbyllur në selinë e PD. Jo negociata, jo marrëveshje, jo zgjedhje më 30 qershor, e protesta çdo ditë, tha kryedemokrati Lulzim Basha në fjalën e tij si para Kryeministrisë ashtu edhe në selinë e PD në mbyllje të protestës.

“Qeveri tranzitore pa Edi Ramën, reformë kushtetuese për t’ia kthyer shqiptarëve pushtetin dhe votën. Zgjedhje të lira e të ndershme ku sovranit do të zgjedhë me votë. Vetëm kjo do t’i hapë rrugë mundësive për punësim. Katër muaj qëndresë ditë e natë, çmontuan ngrehinën kriminale para syve të botës. Një javë na ndan nga 30 qershori varreza politike e organizatës kriminale të rilindjes.
Ju ftoj të jemi bashkë në çdo rrugë e çdo shesh për të mbrojtur demokracinë. Ju ftoj në përmbyllje të këtij mesazhi të qartë, marshoni me mua vëllezër e motra, drejt parlamentit, drejt shtëpisë së lirisë, Partisë Demokratike. Le të marshojmë bashkë por ndizni dritat që ta shohë gjithë bota, hapjen e shpresës. Zoti ju bekoftë ju, Zoti e bekoftë Shqipërinë, fitore”, deklaroi Basha.

Kjo është protesta e nëntë kombëtare me të njëjtën kërkesë, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar dhe përsëritur për të disatën herë se nuk mund të ketë zgjedhje demokratike pa pjesëmarrjen e opozitës, ndërsa nuk ka munguar apeli i tij drejtuar të gjitha palëve, që të punojnë intensivisht për të tejkaluar ngërçin e krijuar. Përgjimet e publikuara të gazetës gjermane “Bild” që zbuluan biseda të ndryshme të zyrtarëve të Partisë Socialiste, mes tyre dhe kryeministriy Edi Rama ishin tema e protestës me koreografi të ndryshme.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryedemokrati, Lulzim Basha ftoi qytetarët që të dalin sot në shesh së bashku me familjet e tyre për të protestuar kundër keqqeverisjes së vendit.  Një ditë më parë, ambasada e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Tiranë bëri thirrje për protestë paqësore, ndërsa theksoi se do të dalë në mbrojtje të procesit zgjedhor. Në tre ditët e fundit militantët e opozitës janë përplasur me Policinë e Shtetit në disa KZAZ, situatë kjo që u pasua edhe me arrestimin e disa qytetarëve, mes tyre zyrtarë të bashkive të djathta.

Mbyllet protesta e opozitës, Basha paralajmëron protesta çdo ditë

Ora 22:25- “Ora e fitores po afron”- tha kryedemokrati Lulzim Basha në mbyllje të fjalës së tij në selinë e PD, c’ka shënoi edhe përfundimin e protestës së 9-të kombëtare të opozitës së bashkuar.
Edhe pse nuk e shprehu qartë aksionin opozitar për ditët në vijim, i cili pritet të vendoset në mbledhjen e demokratëve, Basha paralajmëroi rezistencë të përditshme, ndërsa u shpreh se cdo ditë do të jenë më të bashkuar në mbrojtje të demokracisë.

“Nuk ka paqe pa drejtësi. Nuk do ketë zgjedhje të lira pa cuar para drejtësisë hajdutët e zgjedhjeve,
Duke kujtuar me respekt e mirënjohje cdo liberator të arrestuar si të burgosur politik të Ramës, dua t’i them kupolës mafioze, veglave qorre, nga Sandër Lleshaj te polici më i fundit shumë shpejt do zëvendësoni Bardh Spahinë në qeli. Beteja do vijojnë ditë për ditë orë për orë. Rama ik.

Mirënjohje për nënat motrat vajzat tona, që e kthyen këtë në protestën më të bukur që ka njohur Shqipëria, dhe qëndrestarëve të orëve të para militantëve të familjes sime, demokratëve armatës së lirisë, iu them fare qartë: Nuk ka paqe pa drejtësi nuk ka zgjedhje pa opozitë. Rama ik.

Jemi më të fortë më të shumtë më të vendosur se kurrë për triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin. Falënderim edhe për ata të majtë që u bashkuan sot kundër krimit, për Shqipërinë si gjitë Europa.
Nesër, pasnesër, të hënën, të martën, të mërkurën, të enjtën, të premten, të shtunën dhe të dielën kështu të bashkuar në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës. I afërt është fundi i tiranisë…”- u shpreh Basha

Basha me telefon ndezur në krye të protestuesve

Ora 22:00- Me telefon në dorë, pa e fikur për asnjë çast, Basha i ka prirë turmës së protestuesve duke shkuar fillimisht tek parlamenti ku kanë qëndruar për disa çaste dhe më pas në selinë e PD.

Protesta/ Basha: Dy pika të panegociueshme për zgjidhjen e krizës

Ora 21:17- Nga bulevardi Dëshmorët e Kombit, në protestën e 9 kombëtare të opozitës së bashkuar kryedemokrati Lulzim Basha u zotua se beteja e nisur nuk do mbarojë me largimin e Ramës, por vetëm kur të vendosen kushte për Shqipërinë si gjithë Europa. Basha theksoi se standardi europian kalon në dy kushte: Largimi i panegociueshëm i Ramës si edhe lirimi i protestusve të arrestuar e cuarja në burg e vjedhësve të votave.

Nuk mungon asnjëherë, Sali Berisha i bashkohet protestuesve

Ora 20:55 – Protestës së 9 kombëtare të opozitës së bashkuar i është bashkuar edhe ish kryeministri Sali Berisha. Ashtu si në cdo protestë, lideri historik i PD-së, i është bashkuar edhe këtë të premte protestës së opozitës së bashkuar, në sheshin përpara kryeministrisë. Me dy gishtat lart Berisha ka përshëndetur protestuesit e shumtë në numër në protest ndërsa është bërë një me ta në shesh.

Statuja e Edi Ramës si ajo e Enver Hoxhës, rrëzohet nga protestuesit me litarë

Ora 20:45- Një statujë e lartë rreth 7 metra është simboli më i dukshëm i protestës së sotme. Ai është kryeministri Edi Rama në me një statujë që revokon pamjen e diktatorit komunist Enver Hoxha. “Për shkak të vjedhjes së zgjedhjeve nëpërmjet krimit të organizuar, Edi Rama mbahet përgjegjës për qëllimin e tij për rivendosjen e diktaturës së krimit. Opozita ka paralajmëruar se edhe regjimi autokratik dhe kriminal që po ndërton Edi Rama do të ketë të njëjtin fat siç pati regjimi diktatorial 30 vjet më parë, rrëzimin e tij, bashkë me statujat dhe idhujt e rremë. Njësoj si statuja e Enver Hoxhës, që u tërhoq zvarrë nga qytetarët e Tiranës pas rënies së diktaturës, edhe statuja e Edi Ramës është rrëzuar, duke simboluar fundit e qeverisjes së tij”, deklaron PD.

Transmetohet në protestë audio-përgjimi i Ramës me Arbe Keshin

Ora 20:42- Në këtë moment para kryeministrisë transmetohet audio-përgjimi i Bild ku dëgjohet kryeministri Edi Rama. Arben Keshi merr urdhra nga deputeti Artan Gaci dhe presioni mbi drejtorët e arsimit. Po ashtu dëgjohet edhe se si Gjiknuri premton çuna problematik për të zgjidhur çështjet e votave.

“Hakërrimi dhe e drejta që dërrmon hekur do mbyllë kohën e maskarenjve”

Ora 20:41- Poezia “Hakërrim” e Ali Asllanit që po recitohet tani nga pedagogia Taulanta Jaupi flet për kohën e maskarenjve që mbizotëronte në trojet e shqiptarëve nga Korça në Shkodër, edhe në fusha, edhe në kodra. “Hakërrimit, të cilit i këndonte Ali Asllani, sot i janë bashkuar shqiptarët, në një bashkim të së drejtës, sepse siç thotë poeti ‘e drejta dërrmon hekur!’. E drejta dërrmon hekur, jo të mos dërrmojë çakenjtë që hanë, pinë, rrëmbejnë, mbushin arka, mbushin xhepa dhe kërkojnë që populli t’ju përgjgjet me lepe e peqe. Bashkimi më i madh i shqiptarëve në 30 vite pluralizëm do ta mbyllë kohën e maskarenjve, kohën e çakenjve, sepse kanë të drejtën me vete, sepse siç thotë poeti ‘e drejta dërrmon hekur'”, deklaron PD.

Ali Asllani – Hakërrim
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!
Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!
Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!
Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!
Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!
Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!
Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!
Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!
A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

“Rilindje”, zbulohet shtatorja e Ramës si diktator

Ora 20:20- Është zbuluar shtatorja e Ramës në bulevard. Ndërsa ka nisur protesta e opozitës, me një thes me para tek këmbët dhe në formën e diktatorit Enver Hoxha, shtatorja e kryeministrit Edi Rama e vendosur para Kryeministrisë, pritet të rrëzohet në formë simbolike nga protestuesit.

Nis protesta e opozitës

Ora 20:10- Ka nisur zyrtarisht protesta e nëntë kombëtare e opozitës. Mijëra qytetarë, mbështetës të forcave opozitare kanë mbushur bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në protestë ka edhe një numër të konsiderueshëm fëmijësh, flamuj të PD dhe qindra flamuj kombëtarë. Por nuk mungojnë as flamujt e BE-së, SHBA-ve e Gjermanisë. Duket se përgjimet e publikuara nga “Bild” janë tema e kësaj proteste.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“S’ka drejtësi me Ramën në qeveri”, zbulohen parullat e PD

Ora 19:31- Pak minuta para nisjes së protestës së nëntë të opozitës së bashkuar, zbulohen një nga një edhe detajet e skenarët. Pjesë e demonstrimit opozitar janë edhe parullat e shumta me mesazhe politike por jo vetëm.

“Ekonomia po vdes”; “Duam punë të sigurt”; “S’ka Europë pa ndëshkuar hajdutët”; “Stop pazarit me jetët tona”; “S’ka drejtësi me Ramën në qeveri”; “Hajdutët në vila, shqiptarët në gërmadha”, janë disa prej parullave të vendosura në murin e PD që do të mbahen në duar nga protestuesit e opozitës.

Kryeministria me dyer metalike

Ora 19:20- Duhen edhe pak kohë që të nisë protesta e opozitës së bashkuar, e 9-ta në radhë, e cila do të protestojë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” kundër qeverisë, të cilën e konsideron kriminale.
Gazetarja Klodiana Lala tha në një lidhje ‘live’ se kjo është protesta e nëntë kombëtare. Pritet që të jetë një protestë e qetë. Lideri i opoziotës ka thënë se do të dalë në shesh me bashkëshorten dhe dy vajzat e mitura. Mbi 1700 forca policie janë instaluar që paradite.

Protesta do të nisë me marshim nga ana e protestuesve. Policia ka dhënë leje që të bëhet protestë deri në orën 22:00. Gjithçka paraqitet e qetë deri në këto momente. Kryeministria është blinduar me dyer metalike, për ta mbrojtur.

Të rinjtë e FRPD kanë sjellë disa paleta. Në të gjitha protestat ka pasur protestues që kanë hedhur mjete piro-teknike. Në shumicën e tyre është hedhur gaz lotsjellës. Sot një ish-zyrtar i lartë nga PD Florenc Hoxha ka lënë qelinë dhe është në arrest shtëpie.

Makinat e policisë vendosur gardh pas Kryeministrisë duke qëndruar në gatishmëri. (video e siguruar nga gazetarja Dorjana Bezat)

Mbështetësit mblidhen në selinë e PD

Ora 19:00- Mbështetës të Partisë Demokratike janë mbledhur në selinë e PD rreth një orë para nisjes së protestës së nëntë kombëtare të opozitës së bashkuar. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se kryetari Lulzim Basha ndodhet në zyrën e tij në momentet e fundit para nisjes zyrtare të protestës.

Nisen nga Fieri protestuesit, Baçi: Jo një 30 qershor farsë

Ora 17:55- Qindra protestues janë nisur nga Fier me autobusë dhe mjete private për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Kreu i PD-së Fier, Luan Baçi tha për gazetarin Ervis Kuçi se kjo protestë e radhës synon largimin e qeverisë Rama, garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Tashmë u bë e zakonshme që të jemi në protesta dhe Rama me kokëfortësi po vete drejt 30 qershorit. Edhe qytetarët e kanë kuptuar që nuk ka zgjedhje në 30 qershor, edhe socialistët e ndershëm e nuk pranojnë të venë në 30 qershor jo më demokratët dhe opozita. Nuk do lejohet një 30 qershor farës ku Rama të shpall si një lider i padiskutuar dhe i pavotuar.
Protestat janë pa direktiva. Zoti Basha ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore, e qëndrueshme dhe pa asnjë hap pas”, theksoi Luan Baçi.

Me autobusë e mjete private, protestuesit nisen nga Berati

Ora 16:13- Rreth 1 200 protestues nga opozita janë nisur nga Berati drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së radhës së opozitës që është vendosur të zhvillohet përpara Kryeministrisë në orën 20:00.
Protestuesit e Partisë Demokratike të Beratit janë grumbulluar si gjithmonë përpara selisë së PD-së së qytetit, ku u nisën me autobusë dhe automjeteve private drejt Tiranës, ndërkohë që protestuesit e LSI-së u nisën me automjete private nga sheshi qendror i qytetit.

Nga selia e Partisë Demokratike janë nisur drejt Tiranës autobusë dhe automjete të vogla, ndërkohë që 2 autobusë të tjerë me mbështetës të PD-së janë nisur nga fshatrat Lapardha dhe Velabisht.
Kryetari i degës së PD-së Berat, Gazmend Azizi ka deklaruar se nga selia e Partisë Demokratike u nisën drejt protestës së Tiranës rreth 800 protestues, ndërkohë që nga LSI-ja konfirmohet një numër prej rreth 400 protestuesish të nisur me automjete private drejt protestës së madhe të opozitës së bashkuar.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb