Banorët e Gjoricës kundërshtuan në fillim të tetorit me protesta zhvillimin e një dëgjese publike për ndërtimin e dy hidrocentraleve në Zallin e Bulqizës. Kjo ishte përpjekja e tretë e kompanisë koncesionare për të mbajtur një dëgjesë publike. Procedurat për HEC-et në Gjoricë u hapën në korrik të vitit të kaluar dhe kompania Rajfi Shpk ka aplikuar në korrik të këtij viti për  Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM) të thelluar.

Ligji parashikon se përpara se të filloi punën koncesionari duhet të kryej dëgjesa publike me banorët që preken nga ndërtimi i projektit energjetik. Por tre përpjekje për t’i mbajtur dëgjesat kanë dështuar, për shkak se banorët kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve. Në përpjekjen e fundit banorët refuzuan të hyjnë në sallën ku ishte planifikuar dëgjesa, ndërsa protestuan jashtë saj duke bllokuar procesin.

“Nuk ka kapedan që mund të marrë Gjoricën”, tha një prej tyre, duke iu referuar këngës epike të “Hajredin Pashës” dhe një beteje në Fushë të Gjoricës.  “Gjorica është një fshat që ka 1400 hektarë tokë, që zhvillohet mbi bazën e ekzistencës së këtij lumi”, shtoi Shpëtim Kaja, ish-inspektori i mjedisi dhe banor i fshatit.

Një përfaqësues i kompanisë Rajfi Shpk i tha BIRN se kundërshtimi kishte ardhur vetëm nga dy tre veta dhe se shumica e banorëve ishin dakord. Por Agron Çerri i cili përfaqësonte në këtë dëgjesë Drejtorinë Rajonale të Mjedisit  Dibër, tha se konsultimi kishte dështuar tre herë, pasi banorët nuk pranonin të merrnin pjesë dhe as të firmosin raportet pas takimeve të mbajtura.

Banoret Ne Proteste
Kundërshtimet për ndërtimin e HEC-ve në Bulqizë nuk janë të vetmet. Një investigim i BIRN i publikuar në qershor zbuloi se dhjetëra konflikte të ngjashme u regjistruan në mbarë vendin në dekadën e fundit.

Duke filluar nga vitit 2002 në Shqipëri janë firmosur 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve, me kapacitet 2165 MW dhe me prodhim vjetor 9342,31 GWH. Nga këto leje të dhëna, 117 kanë përfunduar së ndërtuari, 43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen.

Një pjesë e mirë e këtyre lejeve kanë sjellë përplasje me banorët lokale dhe në rastet e lumenjve Vjosë e Valbonë edhe protesta ndërkombëtare. Pjesa më e madhe e konflikteve nisën pasi procesi i miratimit të lejeve dhe fillimi i punës për një pjesë e mirë e HEC u bë pa pyetur dhe pa u dëgjuar më herët banorët.

Por për ndryshe nga shumë raste të ngjashme protesta në Bulqizë mund të ketë më shumë efekte. Agron Çerri drejtues në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit në Dibër i tha BIRN se për sa kohë dëgjesa dështonte mundësitë për një VNM të thelluar ishin të pakta.

“Nuk besoj që jepet leje pa dakordësinë e banorëve. Ka udhëzim nga ministri për konsultimin, dosja nuk merret në shqyrtim pa u bërë konsultimi”, i tha Çerri BIRN në një bisedë telefonike. Sipas tij fakti që banorët nuk kishin firmosur e bënte të pavlefshëm dëgjesën.

Të njëjtën gjë BIRN mësoi nga burime pranë Ministrisë së Mjedisit. Sipas tyre ka një udhëzim të qartë se në rast se një projekt nuk miratohet nga banorët dhe nuk kalon dëgjesën publike ai nuk futet në procedurë për një Vlerësim Ndikimi në Mjedis të thelluar.

Çerri i tha BIRN se pas dështimit të dëgjesës së tretë kompania kishte kërkuar më shumë kohë për të informuar publikun. Ai thotë se informimi bëhet përmes “VNM paraprake”. Por BIRN gjeti se si në mjaft raste të tjera ky ishte një dokument me pasaktësi dhe premtime të ekzagjeruara.

Në një pjesë VNM i referohet “Përroit të Panaritit” që ndodhet në Korçë, ndërsa aty premtohen se ndërtimi i HEC jo vetëm do të përmirësojë ndjeshëm jetesën e banorëve të zonës, por do të krijojë “hapje të aktiviteteve sociale ndihmëse, përmirësim të sistemeve të shërbimit dhe potencialeve rekreative të zonës”.

Personi që u prezantua gjatë një bisede telefonike me BIRN si inxhinier i kompanisë Rajfi Shpk, numri celular i të cilit ishte dhënë si referencë në aplikimin për Vlerësim të Ndikimit në Mjedis të thelluar, nuk i sqaroi pasaktësitë dhe faktin që VNM i referohej një lumi tjetër.

Ai tha se VNM ishte bërë nga tjetër kompani. Ai po ashtu tha se nuk dinte gjë për premtimet që bëheshin aty dhe as se si do të realizoheshin ato. Por ai shtoi se do të bënin “atë që shkruhej aty”. Punonjësi i kompanisë u shpreh se punësimet do të bëheshin në zonë, por nuk tha sa mund të ishte numri.
Nga ana e tyre banorët e kundërshtojnë në tërësi projektin. Banorët i thanë BIRN se nuk do lejojnë që uji të futet në tubacione, për të tharë kështu zallin. Dhjetëra banorë të mbledhur në qendër të Gjoricës, jo vetëm që nuk kanë pranuar të futen në dëgjesë publike me kompaninë dhe DRM Dibër, por këmbëngulën që organizatorët të largoheshin.

Ish inspektori i mjedisit, Shpëtim Kaja, tha se ata përtej kundërshtimit për HEC dhe dëmit që do i ndodhte natyrës banorët ishin të paqartë edhe për kompaninë që do bënte ndërtimin.

“Koncesioni për ndërtimin e këtyre HEC-eve, shkon në dobi të koncesionarit, por cënon interesat e komunitetit të Gjoricës, por jo vetëm”, tha Kaja. Ai shtoi se futja në tubë e lumit ndikon edhe në fshatrat Zerqan dhe Shupenzë.

Banorët thanë se HEC-i nxirrte jashtë përdorimi mullinjtë e blojës dhe cënonte vaditjen. “Nëse do vijojë këmbëngulja për ndërtimin e këtyre HEC-eve, ne do dalim të bllokojmë rrugën nacionale, pasi zalli është vetë jeta jonë. Do derdhim djersë, do derdhim gjak, nuk na mposht paraja”, tha një nga banorët.

Inxhinieri i kompanisë tha se shqetësimi për vaditjen nuk qëndronte pasi “HEC do të përdorë ujin vetëm për 8 muaj. Nga 15 maji deri në 15 shtator uji do të hidhet në lumë.”

Ndërkohë banorët ankohen edhe për mosinteresim të pushtetit lokal. Në tri rastet që Drejtoria Rajonale e Mjedisit, ka tentuar të realizoje dëgjesën publike me banorët, kryebashkiaku dhe administratori i njësisë administrative Gjoricë, nuk kanë qenë prezent.

Këshilltari i bashkisë Bulqizë dhe njëherësh banor i fshatit Gjoricë, Behar Cami akuzoi kryebashkiakun se interesohej vetëm për vota dhe jo për hallet e tyre. Ndërkohë kryebashkiaku i Bulqizës, Melaim Damzi, i kontaktuar me telefon nga BIRN tha se bashkia nuk përfshihej në dëgjesat publike. Ai po ashtu refuzoi të shprehej pro apo kundër projektit , por tha se kjo ishte në dorë të komunitetit.

“Duhet të japë pëlqimin komuniteti, pastaj japin ne mendimin tonë”, tha ai./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb