TIRANË- “Drama dhe lotët e maturantëve sot janë rezultati i një pseudoreforme që ka rënë që në nisje”. Kështu ka deklaruar lideri i opozitës Lulzim Basha në një reagim pas protestës së maturantëve. Basha thotë se mijëra maturantë u prenë në besë me një reformë që hedh poshtë mundin e tyre, ndërsa ka ripërsëritur ultimatumin për shkarkimin e ministres së arsimit, Lindita Nikolla.

“E pompoi me të madhe Edi Rama por prodhoi padrejtësi. Mijëra 18-vjeçarë, të prerë në besë, të cilët në vend që të ishin duke u bërë gati për momentin më të rëndësishëm të jetës, sot kanë një barrë tjetër nga Edi Rama, sepse janë lënë në rrugë, nuk e dinë ku do shkojnë, shohin se mesatarja e tyre e shkëlqyer papritur përfundon në mesatare të ulët. Kjo është reforma e Edi Ramës, që hedh poshtë mundin, talentin, punën e madhe, studimet e disa viteve, me një të rënë të lapsit”, thekson Basha.

Kreu i PD solli si shembull, rastin e maturantes nga Shkodra me medalje ari, fituese e olimpiadave kombëtare, e cila e sheh sot veten jo-fituese në çdo universitet që ka aplikuar apo’ maturanten e përlotur në zyrën e ministres së Ramës, Linditës antidije, antiarsim, që i ndërpret paturpësisht dhe fjalën’.

“Edi Rama nuk u dha kohë të mjaftueshme maturantëve për të zgjedhur, lista fillestare nuk është e shpallur, s’ka transparencë, ka krijuar shtigje për të futur tarafin e vet në shkollë të lartë. Abuzimi me kriteret e mesatares është në fakt dera e hapur për një korrupsion masiv të trafikimit të vendeve në universitet. Këto janë rezultatet dramatike të asaj që u nis keq që në fillim sepse qëllimi i Edi Ramës nuk ishin dhe nuk janë studentët, dija, auditori, por kapja e universitetit, kapja e rektorëve, nëpërmjet bordit të administrimit. Bordi i administrimit nuk është gjë tjetër veçse dora e zgjatur e Edi Ramës që ka marrë sot autonominë, financat, çdo burim universiteteve, vendos ku do shkojnë fondet, sundon rektorët e pedagogët”, shprehet Basha.

E për kreun e opozitës zgjidhja e kësaj krize është shkarkimi i ministres së arsimit. Njëkohësisht Basha ka parashtruar edhe disa kërkesa të tjera që do t’u japin zgjidhje mijëra maturantëve.
“Kjo dramë kombëtare, ka zgjidhje. Shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Shpallja e plotë e listave, nga i pari maturant tek i fundit, transparencë totale, e menjëhershme, sot. Frenimi i regjistrimit dhe publikimi i kritereve”, tha ai.

Basha gjithashtu ka kërkuar që KLSH të nisë auditimin e procesit, ndërsa ka njoftuar për një aplikacion të PD-së ku maturantët mund të denoncojnë rastet e tyre.

“Kërkojmë që KLSH të nisë menjëherë një auditim të plotë të procesit. Ne faqen zyrtare të Partisë Demokratike është në funksion aplikacioni ku çdo maturant mund të denoncojë rastin e tij, dhe ne do ta ndjekim. http://ëëë.pd.al/trego-rastin-tend/
Të dashur maturantë, jemi ne krahun tuaj dhe prindërve tuaj. Së bashku të luftojmë që e drejta e juaj, mundi dhe sakrifica juaj te mos nëpërkëmben, të mos dhunohen. Së bashku nuk do t’i lejojmë ta dërrmojnë rininë e t’ia vjedhin te ardhmen. Kauza juaj do të çohet deri në fund”, përfundon deklarata e Bashës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: