Opozita zhvilloi një protestë kombëtare përpara Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në podiumin e improvizuar kanë marrë fjalën me rradhë disa nga personazhet e përzgjedhur duke iu drejtuar “popullit opozitar” sikundër i quajti pjesëmarrësit regjizori Edmond Budina.
Ndërkohë në protestë ishin disa nga figurat e PD-së ndër vite, edhe pse kanë qëndruar në hije në periudhën e fundit, duke pasur një distancim nga politika aktive.
Kështu mes protestuesve ishte Besnik Mustafaj, ish-ministër dhe ish-deputet i PD-së. Nuk ka munguar as Jozefina Topalli, e cila është rikthyer në strukturat drejtuese të PD-së, pas rithemelimit të kësaj partie.
Po kështu nuk ka munguar as Jorida Tabaku, një prej deputeteve demokrate. Në një prononcim për mediat, Tabaku tha se i është bashkuar çdo proteste të opozitës, në katër vite pa asnjë diferencë.
“Unë mbështes idenë që kjo qeveri nuk di të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse opozita e udhëhequr me lidhje të ndershme e shnderron në zgjedhje, pse jo? Kjo protestë tregon se sa shumë njerëz janë të zhgënjyer dhe mbështesin PD-në. Unë nuk besoj se ka ndonjë dyshim se ku jam; jam në PD dhe të tjerat janë sekondare. Jam pjesë e grupit parlamentar, të tjerat janë dytesore”, tha Tabaku.
Gjithashtu, në protestë ishte edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa nuk u pa vajza e tij Argita Berisha, ndryshe nga protestat para Bashkisë së Tiranës ku ka qenë e pranishme në pjesën më të madhe të tyre.