Protesta e opozitës është mbyllur pas rreth 3 orësh, ndërsa protestuesit aplikuan një nga format e “mosbindjes civile” sipas eksponentëve të Partisë Demokratike.
Në emisionin Open ne News24 është diskutuar me një panel të ftuarisht pikërisht protesta e PD-së.
Ornela Çuçi tha se kjo ishte një protestë pa lider dhe me një orar të përcaktuar. “Protestat me orar me thënë të drejtën nuk ndodhin në asnjë vend tjetër, kur flitet për mosbindje civile.
Mendova se mosbindja civile do të niste nga lideri i opozitës, pra që ai të dilte nga arresti shtëpiak”, tha Çuçi.
Sipas saj, kur lideri i opozitës bindet duke qëndruar në arrest shtëpie, dhe i kërkon qytetarëve të mos binden, kjo s’më duket fort normale.
“Vënia e zjarrit para Bashkisë së Tiranës nuk është se ka sjellë ndonjë gjë, pasi si skenar është djegur prej 26 javësh”, tha Çuçi. Ajo tha se kemi një çështje që është në SPAK, por opozita nuk e njeh SPAK, kur në fakt Prokuroria Speciale po bën shumë më tepër se opozita, lidhur me hetimet që po kryhen nëse i shikoni raportet.