Gjatë takimit me fermerë të Qarkut të Tiranës, ku u prezantua “Skema Kombëtare e Investimeve”, me fokus zgjerimin dhe modernizimin e veprimtarive të fermerëve dhe blegtorëve, për të rritur prodhimin e produkteve shqiptare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, falenderoi të gjithë punonjësit e policisë, zjarrfikëses dhe të pastrimit, të cilët ishin në krye të detyrës një natë më parë, për të kthyer qytetin në normalitet pas protestës së opozitës.

Veliaj tha se pakica që u përpoq të shkatërronte dje qytetin, nuk përfaqëson demokratët që e duan Shqipërinë si e gjithë Europa. “Tirana duket normale sot, por mbrëmë nuk ishte e tillë, pasi kaloi një valë shkatërrimi të paprecedentë, të cilën nuk ia kanë bërë as pushtuesit. Dua të falënderoj, së pari të gjithë ata që ishin në rreshtin e parë për të kufizuar dëmin dhe pastaj, për të rikuperuar dëmet. I falënderoj nga zemra sepse në kohë rekord e rikthyen qytetin në normalitet, aq sa sot nuk dukej asnjë shenjë prej tërbimit të djeshëm. Them tërbimit sepse nuk besoj se ata janë demokratët. Përkundrazi, ata nuk përfaqësojnë demokratët! Ne demokratët i kemi komshinj, janë njerëz për së mbari. Ata që ishin dje nuk janë demokratët e vërtetë. Demokratët e vërtetë e duan Shqipërinë si gjithë Evropa dhe Tiranën, gjithmonë e më shumë, e shohin si gjithë Evropa”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se Tirana e djeshme nuk ishte ajo që i mirëpret të gjithë në mënyrë dinjitoze, dhe për këtë i kërkoi ndjesë kujtdo që pati probleme.

“Vajzës së vogël, që lindi dje në trafik, i kërkoj ndjesë! I kërkoj ndjesë sepse Tirana nuk i mirëpret kështu fëmijët. Tirana i mirëpret me çekun e bebes, me shportën e të sapolindurit, i pret në mënyrë shumë më dinjitoze se sa dje. Falenderoj të gjithë ata që, teksa sot në mëngjes fillojmë jetën në normalitet, mbrëmë e gdhinë bashkë me mua, për t’u siguruar që Tirana i kthehet rutinës. Ato prona që u vandalizuan nuk janë as të Edi Ramës, as të kryetarit të bashkisë, as të përfaqësuesve politikë; janë të qytetit, janë pronë e përbashkët, bëhen me taksat e të gjithëve, rregullohen nga fondi dhe buxheti i të gjithëve. Shumë e rëndësishme që këto fonde, për të cilat po flasim sot, të mos pakësohen, nuk duhet që qyteti të investojë në riparimin e vandalizmit dhe ndërkohë të shkurtojë nga bujqësia apo nga fonde të tjera shumë të nevojshme. Ka mënyra shumë më të mira për ta përdorur paranë publike, se sa duke rregulluar dëmet e një çmendurie të një pakice që nuk përfaqëson demokratët e vërtetë”, u shpreh Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: