TIRANË

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu i ftuar në emisionin “A Show” në News 24  foli për protestat e opozitës si dhe rolin që ka luajtur institucioni që ai drejton. Sipas tij, detyra kryesore e Policisë së Shtetit është që të garantojë mbarëvajtjen e tubimit, ndërsa kontrollet tha bëhen për arsye se mund të ketë elementë kriminalë që udhëtojnë duke shfrytëzuar situatën dhe rastin.

“Këto pika kontrolli ngrihen, sepse edhe elementët kriminalë lëvizin dhe kërkojnë që të vijën në Tiranë dhe ne kemi detyrimin që të garantojmë sigurinë e protestës. E drejta e protestës është themelore. Protesta ishte e paligjshme, sepse nuk ishte dhënë vendimi nga Policia e Shtetit për të garantuar rendin. Brenda tre orësh, organizatori në gjykimin e tij duhet që  të paraqitet në policinë lokale dhe të njoftojë se do të mbajë këtë protestë në këtë vend dhe më këtë objekt. Detyra e Policisë është që të garantojë mbarëvajtjen e protestës”, tha Veliu.

Ai foli edhe protestën e banorëve të Astirit, ku protestën e tyre e quajti të paligjshme, madje shtoi se Policia është treguar tepër tolerante duke harruar edhe detyrimet që ka.

“Protesta e Astirit, pavarësisht se ata mendojnë për atë nëse kanë ose jo të drejtë, por veprimi që ndërmerret duke bllokuar rrugën është veprim i kundra ligjshëm. Mund të protestojnë në trotuar, por pa cenuar aktivitetin e pjesës tjetër të qytetarëve. Policia e Shtetit është treguar tolerante duke mos përmbushur detyrimin e saj. Detyra jonë është të garantojmë rendin dhe sigurinë e jetës së qytetarëve”, theksoi Veliu.

Ai shpjegoi edhe gabimin që bëri Policia e Shtetit tek përplasja mes banorëve të shtëpive dhe përmbarimit disa ditë më parë pranë shkollës “Petro Nini”.

“Nuk kishte se pse Policia të qëndronte me orë të tëra pasi presupozohet se përmbarimi ka kapërcyer harkun vullnetar. Policia duhet të kishte siguruar perimetrin e sigurisë dhe duhej të ishte më e vendosur për të zbatuar vendimin. Unë kam detyrimin që të garantojë rend dhe siguri për qytetarët e Tiranës. Duam të zbatojmë ligjin dhe vetëm ligjin”, shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb