Në selinë e Partisë Demokratike po zhvillohet një takim i Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka dhe drejtues politikë.
Takimi vjen në kuadër të protestës që nis në orën 18:00, ndërsa drejtuesit politikë kanë qenë shumë aktivë me takime në zonat e tyre përkatëse ditët e fundit.
Gazetari Osman Stafa, raporton se dy janë skenarët në lidhje me atë se çfarë pritet të ndodhë ditën e sotme.
Fillimisht protestuesit do të mblidhen te Kryeministria. Më pas ata mund të shpërndahen në grupe e të bllokojnë sa më shumë segmente rrugore.
Skenari i dytë është që protestuesit të lëvizin të bashkuar nëpër rrugët e Tiranës, sipas një itinerari të caktuar.
Lëvizja mund të bëhet nga Kryeministria drejt ministrive e më tej drejt rrugëve kryesore.
Skenarët dhe plani po mbahen sekret dhe PD është treguar shumë diskrete në mënyrë që informacioni të mos mësohet nga policia.
(BalkanWeb)