Ambasada Gjermane: Mbështesim deklaratën e BE-së*

TIRANE – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dënon dhunën e ndodhur gjatë protestës së sotme në Tiranë, duke theksuar se akte të tilla nuk përputhet me vlerat demokratike.

“E drejta e qytetarëve për t’u mbledhur, për t’i bërë kërkesa qeverisë dhe për të protestuar paqësisht është simboli i një shoqërie të lirë dhe të shëndetshme. Sidoqoftë, akte të tilla si hedhja e gurëve, vënia flakë strukturave dhe dëmtimi i pronës publike nuk përputhet me vlerat demokratike.”- thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Më tej, Ambasada e SHBA i bën thirrje Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të gjitha partive të tjera t’i hedhin poshtë këto akte dhe të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për t’u siguruar që në të ardhmen protestat të mbeten paqësore dhe konstruktive.

BE: KTHIMI TE DHUNA, I PAPRANUESHËM
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri bën të ditur se ka ndjekur nga afër tubimin e opozitës sot në Tiranë, duke theksuar se kthimi te dhuna është i papranueshëm.

“Ne u bëjmë thirrje gjithë partive dhe nëpunësve publikë, përfshirë veçanërisht opozitën, që ta dënojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog politik konstruktiv.”- thekson BE.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ndoqi nga afër tubimin e organizuar nga partitë opozitare sot në Tiranë. E drejta e qytetarëve për të shprehur shqetësimet dhe pakënaqësinë përmes protestës paqësore është një tipar thelbësor i demokracisë moderne evropiane dhe si e tillë duhet ruajtur. U raportua një numër aktesh dhune dhe vandalizmi. Kthimi te dhuna është i papranueshëm.  Shqipëria përballet me një agjendë të vështirë reformash në lidhje me procesin e integrimit të saj evropian. Ne u bëjmë thirrje gjithë partive dhe nëpunësve publikë, përfshirë veçanërisht opozitën, që ta dënojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog politik konstruktiv.”- thuhet në reagimin e Bashkimit Europian.

AMBASADA GJERMANE: MBËSHTESIM DEKLARATËN E BE

Deklarata e delegacionit të BE-së është mbështetur edhe nga Ambasada Gjermane në Tiranë.

“Ambasada Gjermane mbështet shprehimisht deklaratën e publikuar nga Delegacioni i BE-së në lidhje me ngjarjet e sotme në Tiranë.”- thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb