Profesori i njohur Artan Fuga gjatë një diskutimi në rubrikën “Opinion” në News24. Foli lidhur me protestën e pedagogëve një ditë më parë, të cilët ndër të tjera kërkonin edhe rritjen e pagave.
Fuga u shpreh se profesioni i pedagogëve, është një profesion i cili rrogën duhet ta përdorë krahas mbajtjes së familjes, edhe për zhvillimin e tij profesional. Fuga thotë se një pedagog ka mjaft shpenzime që lidhen me anën profesionale, ndërsa thotë se me rroga të ulëta, ata vihen përballë dy zgjedhave, ose të varfërohen profesionalisht, ose të varfërohen në aspektin e ekonomisë familjare.
“Nuk kam pasur mundësi të marrë pjesë në protestë, kam qenë në shërbim. Dihet që rrogat në Shqipëri, jo vetëm të pedagogëve, por të gjitha pagat e shërbimeve janë më të ulëtat e rajonit, por në rastin e pedagogëve edhe të studentëve, funksion në kushtet e një varfërie relative. Dua të them se është një profesion i cili me pagën që merr, është i detyruar jo vetëm ta konsumojë për ripërtëritjen e tij fizike, morale dhe të familjes, por një pedagogu më ketë pagë i duhet të mbulojë dhe disa shpenzime profesionale, të cilat ndodhet në një dilemë, ose t’i bëjë që të jetë në nivelin e detyrës që i kërkohet, ose të mos i bëjë.
I duhen libra, vepra shkencore, që janë të huaja, duhet t’i porosisë, kushtojnë shtrenjtë, duhet të ketë lidhje interneti, duhet të jetë i abonuar ne revista.
Problemi është që të gjitha këto shpenzimet duhet t’i plotësojë nga paga e tij. Ose duhet të varfërohet shkencërisht dhe profesionalisht, ose duhet të varfërohet në ekonominë e familjes”, shprehet ai.
Më tej Fuga shton: Në mënyrë që të gjallërohet financiarisht bota universitare shqiptare ka nevojë për reformë e universiteteve dhe duhen parë të gjitha elementet, pagat, autonomia financiare e pedagogëve, shërbimet për studentët etj.. Paga në vetvete nuk është thjeshtë një element për t’u ushqyer, por mekanizëm financiar për ta vënë institucionin në pozita të reja.
Por profesor Fuga thotë se është në krah të kësaj proteste nëse diskutohet në këtë nivel, por nëse diskutohet vetëm për të rritur një % të rrogës, atehërë ai thotë se kjo degradon.
“Nëse diskutohet kështu unë jam gati të jem shumë aktiv në këtë, nëse është fjala për një kërkesë jo kjo sasi po 5% më shumë, atëherë kjo degradon dhe mendoj se ne si universitar duhet ta paraqesim veten në nivelin më të lartë”, tha Fuga.