Në dhjetor të vitit që lamë pas, mijëra studentë të universiteteve publike në vend protestuan fuqishëm për plotësimin e kërkesave që i kishin parashtruar qeverisë. Por me ardhjen e festave të fundvitit, ata u larguan dhe premtuan që do të vazhdonin çka kishin lënë përgjysmë në muajin janar. Por, studentët u tërhoqën nga sheshi dhe zgjodhën bojkotin e mësimit dhe ngujimin brenda fakulteteve. Por çfarë ndodhi me protestën masive dhe ku janë mijëra studentët që mbushën sheshin para MASR dhe Kryeministrisë? Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, eksperti i arsimit të lartë, dr. Albano Zhapaj bën një analizë të thelluar për protestën e studentëve, dhe ai shpjegon se ku dështuan të rinjtë. Sipas tij, një sërë faktorësh, veçanërisht infiltrimi i elementëve të politikës, shuajtën vrullin e mijëra studentëve. Zhapaj thekson se fuqia që vjen nga bashkimi i pedagogëve me studentët do të ishte e papërballueshme për qeverinë dhe i vetmi shpëtim për universitetin dhe të ardhmen e tij.

Sipas mendimit tuaj si ekspert i arsimit të lartë, a ka dështuar protesta e studentëve?
Mendoj se për sa i përket qëllimeve kryesore mbi të cilën u ndërtua si protestë, pra atyre katër kërkesave të famshme, mendoj se protesta ka dështuar. Studentët nuk përfituan ulje tarifash, nuk patën përmirësime në strukturën konviktore dhe as ndonjë lehtësirë të dukshme e të prekshme. Përgjysmimi i tarifave vetëm për studentët e ekselencës, nuk e zgjidh kurrsesi problemin, pasi student quhet kushdo i ri apo e re që hyn në auditorët e universitetit. Mendoj se kjo është thjesht një manovër e qeverisë për të përfituar kohë deri në shuarjen totale të protestës. Humbje tjetër e protestës është fakti që studentët u izoluan në vetvete, u vunë kundër pedagogëve, duke spostuar synimet dhe zbehur natyrën e protestës, dhe duke i dhënë krah qeverisë të justifikohej e më pas të devijonte kërkesat, duke bërë atë që donte vetë, e jo atë që kërkonin studentët.

Çfarë solli ndryshe kjo protestë?
Pranoj se ka edhe një fitore të protestës, ajo e jehonës mediatike kombëtare e ndërkombëtare, sensibilizoi ndjeshëm opinionin, si dhe vuri qeverinë në pozita kritike dhe reflektuese, të paktën formalisht, duke qenë se kjo e fundit ndryshoi pjesë të mirë të kabinetit. Më tej gjykoj se protesta e studentëve ishte tregues i çlirimit të frymëmarrjes nga ndotja e arrogancës qeverisëse, ishte dëshirë për të mos e braktisur vendin, ishte dashuri e furishme për Shqipërinë, ishte një përbuzje e madhe kundër mediokritetit, injorancës, arbitraritetit dhe hajdutërisë pushtetare.
Mund të na përshkruani një dinamikë të ngjarjeve që prej nisjes së saj në dhjetor deri më sot ku studentët janë tërhequr brenda auditorëve?
Një dinamikë pozitive e protestës ishte uragani studentor i munguar për 28 vjet në Shqipëri, si shprehje e forcës vitale që ka një popull që ngihet kundër një qeverie të padrejtë. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se në ditët e para kur protesta u masivizua, pati efekte mjaft pozitive në vend, pasi rilindi shpresa tek ndryshimi për një jetë më të denjë dhe në vendin tonë dhe kundër emigrimit të detyruar rinor. Një dinamikë negative e protestës ishte se ajo u izolua në vetvete, mbajti larg pedagogët, mbajti larg protestuesit e tjerë, siç ishin protestuesit e Unazës së Re, dhe ndërkohë që u proklamua si protestë jo politike, del më vonë me idenë e krijimit të një force të re politike. Tashmë studentët, atë që nuk e bënë dot kur ishin shumë dhe të bashkuar, nuk mund ta bëjnë dot të ndarë e të përçarë, nga klasat ku janë ngujuar.

Çfarë duhet të bënin ndryshe studentët për plotësimin e kërkesave të tyre?
Studentët nuk duhej ta izolonin protestën, por përkundrazi ta masivizonin atë, duhej të ishin konsultuar më tepër e më mirë, qoftë me familjet apo qoftë me intelektualë e pedagogë me integritet, ndërkohë që duhej të protestonin përpara Kryeministrisë dhe jo Ministrisë së Arsimit. Fakti që nuk vepruan kështu qysh në fillim ishte tregues se studentët nuk i kishin shumë të qarta idetë, dhe kishin nënvlerësuar aftësinë dhe pabesinë përçarëse të shumë institucioneve, duke filluar nga Policia e Shtetit, Shish-i, falangat e partisë në pushtet, e deri tek mediat e kontrolluara nga qeveria, të cilat punuan krah pushtetit, qoftë nën rrogoz apo haptazi. Duhet të pranojmë në parim se izolimi i çdo lloj proteste, sjell pasojë izolim të problemit dhe shuarje të ngadaltë të saj me kalimin e kohës.

Të plotë e lexoni në: GSh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb