TIRANE- Reagon Konferenca Gjyqësore Kombëtare në lidhje me protestën e Bashkisë së Tiranës të mbajtur para Gjykatës Administrative të Apelit, në shenjë kundërshtie për ndërtimin e pallateve tek Diga. Sipas Konferencës Gjyqësore Kombëtare, protesta ishte një sulm i organizuar ndaj pushtetit gjyqësor. “Më datë 13.05.2016 Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, organizoi një mbledhje të jashtëzakonshme, të diktuar nga ngjarja e ndodhur me datë 11.05.2016 përpara Gjykatës së Apelit Administrativ në Tiranë.

Këshilli Ekzekutiv, në emër të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nëpërmjet kësaj deklarate synon të komunikojë publikisht shqetësimin dhe njëkohësisht ndërgjegjësimin e organeve shtetërore, ndaj sulmit të organizuar ndaj një gjyqtari, gjykate dhe për rrjedhojë edhe ndaj pushtetit gjyqësor.
Kemi ndjekur me shqetësim organizimin tubim të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, nëpunësve të Bashkisë Tiranë, deputetëve dhe personave të tjerë pjesëmarrës para Gjykatës së Apelit Administrativ gjatë ditës dhe kohës kur në gjykatë po zhvillohej gjykimi i një çështje administrative”, citohet në reagimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare.

Sipas KGJK-së, demostrimi para gjyqësorit është i papranueshëm dhe se presioni nuk i shërben gjyqësorit. “Vlerësojmë se tubimi i organizuar, pati si qëllim intimidimin e gjyqtarit, trupit gjykues dhe të gjithë gjykatës administrative. Ushtrimi i këtij presioni demostrativ nuk i shërben aspak misionit kushtetues të pushtetit gjyqësor dhe dhënies së drejtësisë. Demostrimi me tubime para gjykatës i pakënaqësive të palëve ndërgjyqëse, nuk mundet të jetë kurrësesi forma ligjore e mbrojtjes, aq më shumë kur kjo gjë ndodh nga persona zyrtar që përdorin administratën për këto qëllime dhe në emër e për llogari të institucioneve kushtetuese. Kjo sjellje është e papranueshme dhe afërmendsh krijon pritshmëri tek çdo ndërgjyqës i pakënaqur nga dhënia e drejtësisë, për forma organizimi demonstrative të cilat mundet të ushtrojnë presion të paligjshëm në veprimtarinë e gjykatave.

Gjithkush, e aq më tepër personat zyrtar dhe institucionet kushtetuese, duhet të mbajnë parasysh se, pavarësia e pushtetit gjyqësor është parakusht për respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Gjithkush duhet të mbajë parasysh se, ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarit, trupës gjyqësore apo gjykatave passjell përgjegjësi sipas ligjit. Në funksion të garantimit të procesit të dhënies së drejtësisë do të duhet që palët, personat zyrtar që përfaqësojnë ato, të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje përpara gjykatës. Kështu, kërkojmë që veprime të tilla të mospërsëriten më në të ardhmen.”, përfundon reagimi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: