TIRANË

Analisti Agron Gjekmarkaj i pranishëm në emisionin “Real Story” në News 24 , foli për rezistencën që kanë treguar banorët e “Astirit”  në kauzën e tyre 1-vjeçare për  mbrojtje të shtëpive.  Ai tha se gjuha e banorëve e artikuluar ndaj kryeministrit Edi Rama ka qenë e ashpër, ndërsa rezistencën e tyre e konsideroi si “të pazakontë”.

“Kjo ka qenë protesta më e pazakontë për kohëzgjatjen dhe për rezistencën e treguar. Ndaj kryeministrit, gjuha e tyre ka qenë shumë e ashpër. Shteti mund t’i mundë 200 persona, sidomos me këtë organizim spektakolar që bëri sot. Ai do të japë në shoqëri mesazhin e forcës.  Ai ka menduar se ky operacion duhet të ndërmerrej, sepse i ka pikat e ulëta kudo”-tha  ai.

Por çfarë roli ka luajtur opozita në protestën e “Astirit”, Agron Gjekmarkaj tha se korrupsioni në këtë arterie rrugore është zbuluar fillimisht nga njerëz që janë pranë Partisë Demokratike. Sipas tij, protesta e “Astirit” nuk do zgjaste kaq shumë nëse nuk do kishte mbështetjen e fortë të opozitës.

“Sa i përket kësaj që pyetët për opozitën. Unë mendoj që së pari opozita ka zbuluar e para skandalin që folëm. Është zbuluar nga njerëz pranë opozitës. Nëse kjo protestë nuk do kishte mbështetjen e opozitës, ajo nuk do kishte zgjatur  një vit.Opozita i ka mbështetur maksimalisht dhe nuk i ka lënë në baltë. Gjëja më e ndershme që prezanton ajo është dëmshpërblimi.  Kjo është gjëja më  ndershme.  Qeveria nuk po bën kompensim real. Qeveria ka si instrument dhunën, ndërsa opozita ka si instrument fjalën. Thelbi është që janë goditur në mënyrë të padrejtë dhe pa u konsideruar si qenie humane”- shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb