TIRANE

Kryetarja e LRI-së Floida Kërpaçi e pranishme sot në protestë nuk kurseu akuzat dhe kritikat ndaj Qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Sipas Kërpaçit, Rama është jo vetëm përgjegjës për largimin e shqiptarëve, por edhe për kushtet e vështira ekonomike të vendit.

Ndër të tjera, Kërpaçi tha se partia që përfaqëson kërkon të luftojë për një model ku të rinjtë punojnë dhe arsimohen.

“Përshëndetje të gjithëve, unë jam Floida Kërpaçi. Jam një e re, jam një vajzë shqiptare që vij nga një familje e thjeshtë siç vini dhe ju të rinj dhe të reja, siç jeni dhe ju qytetarë shqiptarë këtu sot. Jam një vajzë e cila dua të luftoj për vendin tim.

Dua të luftoj për të rinjtë dhe për të rejat, për të pasur një arsim cilësor në vendin tim. Dua të luftoj që të kemi mundësi punësimi të mirë paguara në Shqipëri. Dua të luftoj për vendin tim, për të pasur një demokraci, për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua të luftoj për një model ku të rinjtë duan të punojnë dhe duan të arsimohen dhe duan të punësohen në Shqipëri , të kenë mundësi dhe shanse të barabarta. Sot jemi përballë këtij Parlamenti, parlament ilegjitim, parlament me një kryeministër që ka larguar mbi 90% të rinisë shqiptare.

Nuk duhet të ikë rinia shqiptare, të largohet ky kryeministër me të gjithë qeverinë e tij ilegjitime dhe të rinjtë shqiptarë të jetojnë, të punojnë dhe të bëjnë jetën e tyre në Shqipëri. Po po të gjithë kemi një thirrje dhe ajo është Rama ik. Sepse ai është fajtori i kësaj situate të rinisë shqiptare. Ai është fajtori sot sepse rinia shqiptare po largohet. Ai është fajtori se pse sot kemi një arsim i cili nuk është arsim cilësor. Ai është fajtori se pse të rinjtë nuk kanë sot një punësim të mirë paguar dhe për këtë realitet ku të rinjtë sot ndodhen jashtë Shqipërisë.

Sepse nuk shohin shpresë këtu. Nuk kanë mundësi të jetojnë në Shqipëri, ku të rinjtë nuk shohin shpresë. Ku familjet tona nuk kanë mundësi për të kaluar muajin. Ndaj jemi këtu sot në këtë shesh më shumë se kurrë dhe do jemi dhe më shumë për të rinjtë dhe të rejat, për familjet shqiptare. Jemi këtu sot për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e të rinjve, shtëpinë e familjeve shqiptare, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Ky është misioni ynë, ky është misioni i të rinjve dhe të rejave të këtij vendi. Dhe ne do të luftojmë për këtë mision. Do të luftojmë sepse këtu bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Ne nuk duam të bëhemi spaçatorë të Edi Ramës. Ne nuk duam këtë model ku të rinjtë të ndjekin si model trafikantë dhe kriminelë. Ne duam të mbështesim modelin e të rinjve që duan të punojnë, duan të arsimohen në Shqipëri, duan të kenë më shumë shanse të barabarta. Për këtë model të vlerave ne jemi këtu sot me të rinjtë dhe me të rejat, me të gjitha familjet tona, për ta bërë Shqipërinë tonë një vend më të mirë, me punësim të mirë paguar, me arsim cilësor dhe shanse të barabarta për të gjithë. Rama ik, faleminderit të gjithëve.”-u shpreh Kërpaçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: