Nga: MENTOR KIKIA *
Në protestën e fundit të opozitës kishte shumë njerëz. Ose më saktë, kishte aq sa mjaftonin për të trembur një qeveri që ka vetëm një vit e pak muaj që ka marrë pushtetin. Padyshim që ata njerëz që ishin aty nuk janë të gjithë as anëtarë e as simpatizantë të Partisë Demokratike. Shumë nuk kanë qenë aty për të mbështetur Lulzim Bashën në alternativën e tij qeverisëse, por sepse kanë pakënaqësitë e veta ndaj qeverisë. Parë në këtë këndvështrim, ky është një zhvillim shumë pozitiv në aspektin social, pasi njerëzit nuk dalin në rrugë për ti bërë fresk një partie, por dalin të protestojnë për interesat e tyre, edhe pse në këtë përpjekje, si gjithmonë, kanë hyrë në një lojë politike. Gjithsesi, ajo që vlen të shtrohet për diskutim është fakti se përse është rritur pakënaqësia e njerëzve kaq shpejt dhe çfarë kostoje politike do të ketë ajo për mazhorancën, e më konkretisht për Edi Ramën.
Fushata e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe operacioni, edhe policor tashmë, për ti dhënë fund vjedhjes së energjisë elektrike kanë prodhuar pakënaqësi masive. Kush më pak e kush më shumë, shqiptarët ishin mësuar të mos e respektonin ligjin, duke e ngjyer gishtin në kazanin e madh të shtetit, duke u munduar të përfitojnë ç’të dhe sa të munden. Dikush mund të bërtasë me të madhe këtu, duke thënë se nuk është kjo e keqja më e madhe, derisa në këtë vend ka patur dhe ka pushtetarë që vjedhin me një dorë aq sa i vidhnin shtetit për një vit banorët e një qyteti të tërë. Jam dakord tërësisht me këtë të vërtetë, por këtu doja ta ndaja çështjen dhe ti mëshoja mënyrës kaotike të të jetuarit dhe në luftë të përhershme me shtetin. Me pak fjalë kush donte të mos e paguante energjinë nuk e paguante, kush donte të bënte një dyqan, shtëpi, furrë buke, apo çdo gjë tjetër, e bënte. Kush donte ta zgjeronte lokalin në kurriz të asaj hapësire që kishte mbetur mes pallateve, e bënte. Në këtë mënyrë ishim mësuar me një “salltanet” paligjshmërie, i cili dikujt i jepte thjeshtë bukën e gojës, dikujt diçka më shumë e dikujt tjetër shumë më shumë.
Operacioni për ndalimin e vjedhjes së energjisë preu linjat e fabrikave, punishteve, por edhe të familjeve, edhe atyre që janë vërtet të varfra dhe realisht nuk mund ta paguajnë. Operacioni për prishjen e ndërtimeve pa leje u shndërrua në uragan. Shkatërrimi nuk të jep asnjë kënaqësi në vetvete, por në lagjen ku unë jetoj shumë njerëz e mirëpritën prishjen e murit rrethues, më i lartë se një mur burgu, të një vile katër katëshe, pronari i të cilës kishte penguar për vite me radhë zgjerimin e rrugës dhe makinat duhet të manovronin apo gërvishteshin pas murit. I zoti i vilës, në katin e parë kishte ndërtuar edhe një zdrukthëtari ku prodhonte mobilie me lëndë drusore të prerë në malet e vendlindjes(kuptohet pa leje). Më pas u mësua se kishte edhe një linjë dytësore elektrike që vidhte energji…Por fadromat prishën edhe ëmbëltoren ku punonte një grua bashkë me të bijën 16 orë në ditë, prishi edhe barakën e këpucarit të vetëm të lagjes, edhe dyqanin e atij që shiste llamba e priza… Këta nuk i prishnin punë askujt dhe në ato vende zor se mund të marrë jetë ndonjë projekt publik.
Por ishin pa leje edhe këta.
Qeveria nuk bëri asnjë dallim, ashtu siç uragani nuk zgjedh çfarë të shkulë kur ecën. Akuzave të opozitës, por edhe qytetarëve, se po la njerëz pa buke e po fut fukarenj në burg për një tel korrenti, Rama iu përgjigj duke thënë se nuk do të ndalem, kurrë, as sot, as nesër. Askush nuk do të tolerohet. Edhe kërkesave për të falur faturat e fukarenjve, u tha sërish Jo. Edhe kërkesave për të mos ua prishur dyqanet pa leje hallexhinjve, u tha sërish me forcë Jo. Kjo vendosmëri duhet parë me admirim, pasi në fund të fundit, nëse do të duam të kemi një shtet funksional, shteti nuk diferencon të pasurin nga i varfri në respektimin e ligjit. Atë e bën qeveria përmes politikave sociale. Rama ishte dhe është shumë i vendosur për ta bërë këtë, edhe pse mund të ketë kosto politike, të cilën edhe vetë e pranoi. Dhe kostoja në fakt u paralajmërua me protestën e fundit të thërritur nga PD.
Por a do të ketë realisht kosto politike Rama? Kjo mbetet për tu parë. Pasi këtu mu kujtua historia e Palit me derrat në Ulzë. Pal Çoku në 2007 u zgjodh kryetar komune atje. Qendra e Ulzës atë kohë ishte një vend i pistë, ku njerëzit hidhnin mbeturinat dhe derrat, që banorët mbanin tradicionalisht, edhe dilnin shëtitje edhe kërkonin gjësendi për të ngrënë sipas mënyrës së tyre. Pali nisi fushatën duke premtuar së pari se nuk do i lejonte më fshatarët ti lëshojnë derrat sipas qejfit. Pra, ata ose të gjenin mënyrën si ti ushqenin ose të mos i mbanin fare. Ata që e mbështesnin i thanë Palit se je duke i bërë gropën vetes, pasi shumica e familjeve kanë derra dhe asnjëri prej tyre nuk do ta japë votën. Por Pali i fitoi zgjedhjet, madje fitoi edhe një projekt dhe e bëri qendrën e Ulzës një model, me stola, me lulishte, me rrugë, me shesh, madje edhe me parkim të vijëzuar makinash, që nuk ishin as në Tiranë. Edhe pse ishin mësuar dhe u duheshin derrat, banorët filluan ta shijojnë komoditetin e ri të fshatit. Ndoshta ata kishin patur nevojë për dikë që ti detyronte të jetonin ndryshe.
Unë nuk po heq paralele mes derrave dhe fukarait që vidhte energji apo këpucarit të lagjes time. Por nëse Rama, vërtetë do ti qëndrojë idesë së tij për ta bërë shtetin pa parë “as majtas as djathtas”, ai vërtet nuk do ti marrë votat e pronarit të vilës apo lokalit të prishur që kishte zënë hapësirën publike, por mund të marrë votat e atyre të tjerëve që kanë gërvishtur për vite me radhë makinat në murin e vilës apo banorëve të pallatit që u ishte zënë lulishtja.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: