TIRANË

Analisti Fatos Lubonja e sheh forcën si të vetmen mënyrë që protesta e opozitës të ketë sukses dhe të arrihet qëllimi për largimin e qeverisë “Rama”, ajo çfarë kërkon kreu i PD Basha për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në News24 Lubonja tha se është kritikuar opozita se nuk ka alternativë por duhet menduar dhe për ndëshkimin e atyre që janë aktualisht.

Ai analizoi disa mundësi se si mund të shkojë protesta e së shtunës.

“Nga kjo formë komunikimi e Bashës nënkuptohet diçka e ngjashme me atë që ndodhi më 21 janar, ku pasi ishte shfaqur në Top Channel video e Ilir Metës me Priftin pasoi një deklaratë që popullit të zemëruar nuk kemi ç’ti bëjmë. Ishte dhe një imitim i këtyre lëvizjeve të Afrikës Veriore, Pranvera Arabe, kishte ndodhur në Tunizi por ndryshimi ishte që këtu pasi protestuan dhe pse u vranë 4 veta, ikën në shtëpi. Unë ku ta gjej një popull që s’mund ta frenojë dot Basha! Le të bëjë dhe vandalizma, e çfarë të dojë, siç bëjnë dhe në Francë. Ka një bashkim të militantizmit me pakënaqësinë popullore. Se çfarë kanë ndërmend ata nuk e dimë.
Unë kam parë që ka një përpjekje për t’i mobilizuar njerëzit, për të pasur një masë të madhe tek sheshi. Mund të ketë jo vetëm në sajë të kësaj përpjekje por dhe në sajë të një zemërim në rritje të shumë shtresave, një numër më i madh”, tha Lubonja.

I pyetur nëse beson se opozita do të dalë jashtë popullit të saj, ai tha se situata është e padurueshme por se është skeptik pasi shqiptarët janë të nënshtruar.
“Unë normalisht çuditem se si ky popull duron akoma. Është situatë e padurueshme. Sot mora vesh se është rritur çmimi i zarzavateve 34%.
Jelek verdhët u ngritën për 2-3 centë dhe e dogjën Parisin dhe është demokraci që dëgjohet fjala. Ky është popull shumë i nënshtruar dhe ka zgjedhur ikjen.
Ka dy mundësi, një mundësi që kjo protestë si shumë protesta që çon në zgjedhje, ose një protestë që mund të jetë e vazhdueshme, unë nuk e shoh të tillë që të detyrojë kryeministrin të ikë dhe ndërtohet ajo qeveri”, u shpreh Lubonja.

Ai tha se ‘duhet të kishte funksionuar drejtësia që t’iu hapte proces që nga kryeministri e me radhë për këto skandale’.
“Këtu çfarë ndodh? Saimir Tahiri që rend kundra gjykatës për të thënë se jam i pafajshëm se po afrohen zgjedhjet. Taulant Balla që rend dhe thotë fusni Sali Berishën apo djalin e Sali Berishës por prokuroria nuk vepron mbi gjërat që janë shumë më skandaloze. Kështu që drejtësia duke qenë pjesë e pushtetit e bën dhe më problematike gjetjen e rrugës për t’u çliruar nga ky arbitraritet dhe kjo arrogancë. Basha ndoshta imagjinon se ky popull është mërzitur aq shumë dhe mund të bëjë namin nuk e di.
Një formë është ajo e 21 janarit që armatosën me hunj e me gjëra një grup sulmi edhe ai sulmon kryeministrinë, për shembull. Kjo ishte forma që u ndoq më 21 janar se shumica e socialistëve ikën, unë kam qenë e kam parë nga afër. Një nga format është kjo.
Protesta e studentëve nuk është se ishte e paorganizuar. Aq fuqi kishte.
Por a mund të zgjasë 2 muaj një protestë e opozitës? Këtu ka edhe militantë, edhe njerëz profesionistë të protestave. Njerëz të pakënaqur që kanë ngelur pa punë, ata të Astirit që duan t’iu prishin shtëpitë. Ka shumë të tillë dhe besoj që mbi këtë logjikë është ndërtuar ideja e ultimatumit të Bashës. Nuk mendoj se mund të qëndrojnë në mënyrë të vazhdueshme në sasi të madhe, kështu që ideja është e një goditje ditore.
Kemi edhe rastin tjetër, rastin kur vdiq Azem Hajdari në 14 shtator të ‘98. Hynë në Kryeministri brenda, iku Fatos Nano. E ndërprenë ndërkombëtarët se pushtetin e morën ata. U mor pushteti, u mor televizioni, u morën të gjitha. Nuk besoj se është ky skenari por të shikojmë.
Unë nuk mendoj që është e njëjta situatë, kishte një vit që opozita kishte bërë një zullum shumë të madh, në ‘97. Ishte si një kundërgoditje, u bë sulmi, si puç mund ta quash atë. Sigurisht nuk është kjo rruga më e mirë”, deklaroi Lubonja.

Sipas tij, në këtë rast kemi një arrogancë të paparë.
“Kemi një kryeministër që thotë përditë qentë, qentë për qytetarët, për opozitarët, e thotë si të jetë kështu një rrugaç rrugësh dhe që ua ka prurë në majë të hundës njerëzve këtu. Edhe unë vetë jam i përjashtuar megjithëse kam zërin këtu nuk dëgjohet fjala, vendos si i do qejfi, duke shkelur dhe ligjet dhe ka policinë me vete, ka dhe gjykatën me vete. Është pikëpyetje, ore si hiqet ky? E ka dhe Amerika të drejtën e përdorjes së dhunës kur vjen puna. Dhuna dhe mosbindja civile janë pjesë e kulturës tashmë. Unë jam për këtë por duke menduar që nesër do shkojmë në zgjedhje. Në fund fare duhet dhe ndëshkim. Thonë s’ka alternativë opozita, por mirë po alternativa që këta duhen ndëshkuar se s’mund të bëjnë kështu siç po bëjnë do ndëshkim, edhe ndëshkim irracional ndonjëherë për fat të keq por ama këtu i çon punët qeverisja e keqe.
Kur ra Shqipëria në ‘91 se mos u ndërtua ndonjë alternativë, nuk kishte alternativë fare, ikën shqiptarët, u shkatërrua, dogjën, shkatërruan çfarë mundën këta që erdhën, vodhën çfarë mundën. Pse, sepse ishte një regjim i degraduar deri në palcë, që nuk kishte lënë asgjë. Kur ti punon vetëm negativisht  atëherë kështu vjen gjendja. Po nuk erdhi dhuna më 16 shkurt do vijë nesër prapë me këto mend që ka Edi Rama me shokë”, u shpreh Lubonja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb