TIRANË – Erl Murati, kryeredaktori i “Gazetës Shqiptare”, e ka konsideruar protestën e sotme të demokratëve një surprizë të vërtetë, për shkak të pjesëmarrjes së saj masive, për shkak të zhvillimit paqësor si dhe të progresit që shënoi në jetën opozitare të PD-së.Ndërsa, nga pikëpamja e cilësisë së ofertës që bëri PD-ja, Murati tha se aty pati probleme, çaloi.

Murati ishte i ftuar për ta analizuar këtë miting në të gjitha pikëpamjet në studion e lajmeve të “ News24 ”, përballë Koordinatores së PD-së, Grida Dumës, me të cilën pati edhe kundërshti.

“Protesta e sotme qe një farë surprize për shkak të pjesëmarrjes masive që pati, – tha Murati, – që nga këndvështrimi i PD-së i pati të gjitha indikacionet për një rrugëtim të PD-së në opozitë. Ishte pozitive dhe nuk pritej. Ne kemi parë edhe protestat e para që janë zhvilluar para Kryeministrisë dhe nuk kanë qënë kaq masive.

Nga pikëpamja evolutive ka shënuar progres. Unë kujtoj protestat e vitit 2000 kur gurët dhe vezët përplaseshin si shiu i nëntorit mbi muret e opozitës, kurse kjo e sotmja ishte paqësore filloi dhe mbaroi paqesisht. Pra, aty nuk gjen asnjë arsye për ta stigmatizuar atë.

Them se nga pikëpamja e cilësisë së ofertës mund të ketë probleme, – tha më tej analisti. – Je i detyruar të bësh ofertën tënde dhe jo të heqësh dorë nga parlamenti, për shembull. Në fund të fundit, je i detyruar të japësh ofertën, gjë që për mendimin tim, PD-ja ka çaluar ta bëjë deri më sot.”

Duma, nga ana e saj, e vlerësoi protestën, duke e krahasuar për nga përmasat me ato të viteve ’90-’91, që çuan në përmbysjen e diktaturës dhe nuk qe dakord me Muratin lidhur me ofertën që duhej ofruar.
“Ne e dinim që ishte momenti i duhur për këtë protestë, – tha Duma, – sepse ndërsa ju keni shfaqur pamjet e z.Basha nëpër Shqipëri, mund t’ju them se ato janë vetëm një pjesë e vogël e problemeve të Shqipërisë dhe ajo që më ka habitur këto ditë ka qënë mendimi i një pjese të mirë të analistëve që kanë qënë skeptikë lidhur me të. Disa se e kanë humbur kontaktin me realitetin, por ne mbetemi nga pala që e sheh objektivisht realitetin në jetën e përditshme.

Jemi jo të surprizuar, por të mrekulluar dhe mirënjohës që qytetari shqiptar erdhi dhe tregoi revoltën e vet, mosdakortësinë e vet për këtë gjendje.

Lidhur me pjesëmarrjen mund të them se nuk kishte më shoqëri autobuzësh për t’u prenotuar. Pjesën më të madhe e ka bërë Tirana, që tregon edhe rigjenerim të strukturave të PD-së. Arsyeja pse nuk dua të ndaloj tek shifrat, është fakti se ju, pasi pasi keni parë ato pamje, mund ta krahasoni me atë të viteve ’90-91. Mua më thanë që njerëzit e partisë tonë as nuk arrinin të afroheshin, mendoni se ç’farë dyndjeje ka pasur.”

Edhe për bojkotin e Kuvendit, Murati dhe Duma debatuan. Argumentet e PD-së për të protestuar dhe mos marrë pjesë në Kuvend, që u sollën nga Duma sërish, analisti Murati i vlerësoi si “hartime të klasës së tretë”, ndërsa koordinatorja Duma u përgjigj shkurt se “politikën e bëjnë politikanët dhe jo analistët”.

“Bojktorin e Kuvendit e shoh si një teatër që ndodh në këto 24 vjet, – tha Murati për kë temë. – Kur një parti kalon në opozitë, zgjedh të qëndrojë në kavalishencë një ose dy vjet. Këtë e kanë bërë edhe më parë, por unë mendoj se opozita e ka vendin në parlament dhe nuk shoh ndonjë frymë popullore që ta shtyjë opozitën për të qëndruar jashtë parlamentin. Opozita e ka detyrë të jetë atje të rregullojë legjislacionin dhe është mandatuar që të mos lejojë Qeverinë të gabojë.”
Ndërsa, Duma u përgjigj: “Politikën e bëjnë politikanët dhe jo analistët. Ne i kemi dhënë arsyet e bojkotit tonë dhe ne do të shkojmë në Parlament por bashkë me një marrëveshje.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb