PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot në mbledhjen e qeverisë se Trepça nuk mbrohet nga ata që e shkatërrojnë Prishtinën dhe kanë marrë votën për ta ndërtuar atë.

Duke shprehur keqardhjen për dhunën e djeshme të shkaktuar nga protestuesit, Mustafa tha se “qytetarët po keqpërdoren nga partitë politike për të ardhur në pushtet me forcë dhe për të shkaktuar trazira në Kosovë”, nënvizoi Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka thënë më tej se, sulmi i opozitës mbi policinë është sulm mbi shtetin dhe institucionet e shtetit.

“Organizatorët e protestës kishin për qëllim marrjen e pushtetit pa votat e popullit”.

Ai po ashtu ka deklaruar se dhuna për këta organizatorë është i vetmi mjet politik. “Qëllimi i kësaj proteste nuk ka qenë shkarkimi i Jabllanoviqit e as “Trepça” por ka qenë marrja e pushtetit”, shtoi Mustafa, duke shtuar se ministri për Kthim dhe Komunitete ka kërkuar falje ndonëse ne nuk jemi pajtuar me deklaratat e tij.

Mustafa mbledh sot kabinetin qeveritar
Ora 09:06- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, do të mbledhë sot kabinetin e tij qeveritar. Kjo mbledhje zhvillohet një ditë pas protestës, që u organizua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera opozitare, protestë kjo që la të lënduar dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë së Kosovës.

Po ashtu gjatë protestës së djeshme u arrestuan rreth 100 persona. Nuk dihet nëse gjatë mbledhjes së sotme të këtij kabineti qeveritar do të diskutohen kërkesat e djeshme të protestës për shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandër Jabllanoviç dhe kthimin e ligjit në Kuvend për ndërmarrjen “Trepça”.
Mbledhja e qeverisë do të zhvillohet në orën 10:00.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: