TIRANË

Analisti dhe ish-ministri i jashtëm i vendit, Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 komentoi protestën e studentëve, e cila sot ka hyrë në ditën e nëntë.

Sipas Mustafaj, kërkesat e studentëve janë shumë minimaliste dhe shumë shpejt theksoi se do të vijë kohë kur kërkesat e tyre do të marrin një përgjigje pozitive.

“Fjalimi i Edi Ramës përballë rektorëve dhe dekanëve jo shpresëdhënës. Fillimisht ka patur entuziazëm. Kërkesat e studentëve kanë qenë minimaliste dhe nuk shoh një protestë kaq të madhe përballë këtyre kërkesave. Kjo  protestë në mënyrë të vullnetshme po izolohet.

Mua më bën shumë përshtypje, që edhe studentët e universiteteve private nuk janë bashkuar as për shenjë solidariteti. Po behët një protestë horizontale. Do vijë ajo PO-ja, dhe është e lehtë për ti realizuar. Rama e njeh mirë me sa duket mentalitetin e tyre dhe po pret të shkërmoqet pak nga pak. Sot kemi ishuj protestash në të gjithë Shqipërinë.“, tha Mustafaj.

Gjithashtu ai tregoi se rezistenca e studentëve është një tregues i mirë për të gjithë shoqërinë, por problemi më i madh në këtë mes shtoi ai është fakti se  kjo protestë po izolohet në mënyrë të vullnetshme.

“Nuk ka një dialog për aq kohë sa nuk ka përfaqësi. Nuk bëhet me anëtarët e FRESH, të cilët bënë spektakël në një televizion.  Problemi qëndron se vatra e protestës është tek studentët. Mua më duket një rast i mrekullueshëm, për Shqipërinë, nëse ky rast do fitojë është gjë e mirë për vendin. Ka një tendencë të qartë për ta mbajtur jashtë politikës  protestën për të mos i bërë dëm kryeministrit.

Dita e parë ka qenë si dhjetori i ‘90, sepse kërkesat e tyre ishin  ekonomike. Ramiz Alia doli natën dhe i takoi studentët. Pankartat janë moral dhe jo politike. Këta e shohin kryeministrin jo si njeriun që mund të realizojë kërkesat dhe e shohin me dyshim dhe i shmangen. Ka një përpjekje të organizuar për t’i mbajtur jashtë”, tha mes tjerash Mustafaj.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb