ELBASAN- Deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi ka marrë pjesë sot në protestën e nxënësve dhe prindërve për rihapjen e shkollës në Mengël të Elbasanit. Ajo akuzoi kryeministrin se po dhunon të rinjtë, po dhunon qytetarët duke shprehur mbështetjen për të gjithë banorët.

“Ndodhemi sot në një situatë të jashtëzakonshme, ku me të drejtën e tyre prindër, familjarë, të rinj, kanë dalë për të protestuar për një të drejtë e cila sot po iu mohohet. Sot, këtu jemi qindra dhe mijëra banorë dhe shumë të rinj, të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin arsimin. Ky Kryeministër po dhunon të rinjtë, po dhunon këta qytetarët këtu, po dhunon këta bashkëmoshatarët tanë dhe sot kam vetëm një mesazh. Ky shtet sot nuk po dhunon vetëm këta të fëmijë që janë sot këtu, ky shtet më ka dhunuar mua, prindërit tanë, ka dhunuar gjithë shoqërinë shqiptare, prandaj nga sot kemi një mesazh të qartë mbështetës për të gjithë banorët, për të gjithë të rinjtë që janë këtu. Ne nuk do largohemi nga këtu dhe kemi një mesazh shumë të qartë për këtë qeveri të dhunës që ka instaluar dhunën, krimin dhe modelin e të qenit dhunues të vendit tonë. Nuk do largohemi dhe do ta merrni përgjigjen nga qytetarët, nga banorët, nga të rinjtë”, deklaroi deputetja e LSI.

Ajo theksoi se kjo situatë që po ndodh këtu nuk do tolerohet dhe bashkë me të rinjtë, do reagojmë, do protestojmë, sepse në fund të fundit jemi ngritur për një të drejtë legjitime që e ka gjithsecili, të drejtën për arsimin.

“Dhe të gjithë të rinjtë, të cilët jo vetëm që janë dhunuar, por edhe janë shoqëruar në polici, bëjmë thirrje të menjëhershme që të lirohen. Sepse sot të rinjtë që protestojnë për arsimin , jo vetëm që dhunohen, por edhe arrestohen, ndërsa kriminelët dhe banditët janë të lirë, udhëtojnë dhe ecin të lirë. Pse? Sepse kanë mbrojtjen e shtetit. Shteti ka rënë, ka treguar që është me dhunën dhe jo me qytetarët e saj”, u shpreh Kërpaçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb