ELBASAN- Policia e Elbasanit ka deklaruar se ndihet e keqardhur me përpjekjet që po bën deputeti i Partisë  Demokratike, Luçiano Boçi, i cili sipas tyre, ka tentuar të përbaltë punën e policisë dhe për këtë ka paditur deputetin.

Në reagimin e saj, policia ka theksuar se protesta për shkollën e Mëngelit  ishte e paligjshme.

“Në  lidhje me protestën e paligjshme të  zhvilluar në  fshatin Mengel, Elbasan ditën e djeshme, sqarojmë se:  Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga Policia e Elbasanit u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Shtyrja e të miturve në krim”, (neni 129) “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullimin e manifestim të paligjshëm”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” për deputetin Luçiano Boçi dhe ndaj disa shtetasve të tjerë, të moshës nga 25 deri në 60 vjeç”.

Në lidhje me pretendimet se ka patur dhunë ndaj fëmijëve, policia mohon në formë kategorike të  jetë ushtruar dhunë ndaj të miturve: “Policia e Shtetit ri-thekson edhe njëherë se nuk ka ushtruar asnjë lloj dhune, ndaj asnjë fëmije. Është pyetur në prani të të afërmve dhe psikologes, i mituri që u shfaq në disa media si i keqtrajtuar. Është kryer një akt ekspertimi për fëmijën, si dhe janë marrë në shqyrtim pamjet filmike në dispozicion. Nga të gjitha veprimet proceduriale të kryera, nuk rezulton që fëmija të jetë keqtrajtuar nga Policia apo të ketë ndonjë dëmtim.

Policia e Elbasanit edhe njëherë shpreh keqardhjen për akuzat e ngritura si dhe përpjekjen e bërë nga deputeti i Partisë Demokratike, për të përbaltur punën e Policisë me qëllim pengimin në përmbushjen e misionit të saj, atë të shërbimit ndaj qytetarëve, të cilët për disa orë u penguan të qarkullonin në të dy kahet e aksit kombëtar Elbasan – Librazhd.”, njofton policia.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb