Kanali britanik Sky News transmetoi sot pamje filmike që tregonin një tubim paqësor në një nga rrugët e Shangait, pranë vendit ku më herët ishin zhvilluar protesta kundër politikave të ashpra të Kinës për frenimin e COVID-19-s, e ashtuquajtura politika zero tolerancë COVID-it Protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e udhëheqësit kinez mes zemërimit në rritje ndaj pasojave që po sjellin masat kufizuese kundër koronavirusit.
Policia i shtyu protestuesit prapa një kordoni dhe një numër njerëzish u arrestuan, thuhet në raportin e kanalit Sky News.
Protestat janë përhapur në të gjithë Kinën që kur një zjarr vdekjeprurës në një apartament në qytetin veriperëndimor të Urumqit ngriti shumë pikëpyetje mbi masat e ashpra kundër koronavirusit.
Që nga e premtja protestat po mbahen në të gjithë vendin. Protestat në rrugë janë jashtëzakonisht të rralla në Kinë.
Në Shangai demonstruesit kërkuan dorëheqjen e udhëheqësit kinez Xi Jinping ndërsa nderuan në heshtje viktimat e një zjarri në qytetin Urumqi.
Protestat u shoqëruan me thirrjet “Poshtë Partia Komuniste Kineze! “Poshtë Xi Jinpingu!”
Turmat e njerëzve mbanin në duar fletë të bardha në shenjë proteste kundër censurës dhe bënin thirrje për liri ndërsa mbaheshin nën vëzhgim nga një grup i madh forcash të sigurisë.
Dëshmitarët thanë se gjatë protestës ata dëgjuan gjithashtu thirrje si “Hiqni masat kufizuese në Urumqi, Xinjiang, dhe në të gjithë Kinën!”.
Zjarri i së enjtes që shkaktoi vdekjen e 10 personave në një ndërtesë shumëkatëshe në Urumqi, kryeqyteti i rajonit të Xinjiangut, ka shkaktuar zemërim të gjerë publik. Shumë përdorues të internetit thanë se banorët nuk arritën të shpëtohen në kohë sepse ndërtesa ishte pjesërisht e mbyllur për shkak të masave kundër Covid-19. Zyrtarët e qytetit e kanë mohuar këtë gjë.
Zjarri ka nxitur një valë mosbindjeje civile që nuk është parë në Kinë, që nga ardhja në pushtet e Presidentit Xi Jinping një dekadë më parë. Pekini po vazhdon të zbatojë politikën e tolerancës zero ndaj COVID-it, megjithëse pjesa më e madhe e botës i ka hequr masat kufizuese të lidhura me pandemisë dhe po përpiqet të bashkëjetojë me koronavirusin.
“Ju fitoni para dhe nuk e keni përjetuar papunësinë. Po ne çfarë të bëjmë?! Kanë kaluar tashmë tre vite”, thërriste një protestuese.
Ndonëse rastet me COVID në Kinë janë më të ulëta krahasuar me vendet e tjera të botës, në ditët e fundit ato janë rritur në nivele rekord. Autoritetet kineze njoftuan të dielën se një ditë më parë janë regjistruar rreth 40,000 infeksione të reja me Covid-19./VOA/