Pesë persona të lënduar dhe një automjet i dëmtuar është epilogu i një proteste të banorëve të fshatit Koshtovë të Mitrovicës, të cilët bllokuan sot paradite përreth gjysmë ore magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok, në shenjë pakënaqësie për deponinë e mbeturinave të cilën e menaxhon Kompania ‘Uniteti’. Sipas banorëve, kompania ‘Uniteti’ nuk po e mirëmban sa duhet këtë deponi të mbeturinave, dhe se për shkak të kundërmimit jetesa në këtë fshat është bërë e pamundur.


Ata kanë akuzuar drejtorin që e menaxhon kompaninë “Uniteti”, Gazmend Morina, për të cilin thanë se ka ardhur sot së bashku me katër truproja për të biseduar me banorët e këtushëm, ku gjatë bisedës janë ngritur tensione, me ç’rast truprojat kanë sulmuar banorët. Nexhmedin Hajredini, banor i fshatit Koshtovë, ka bërë të ditur se pas shumë kërkesave të lagjes Hajredini rreth fshatit Koshtovë që deponia e bërllokut të mirëmbahet dhe të mbulohet, organet relevante nuk kanë ndërmarr asgjë tash e 20 vite.


Ai ka përshkruar konfliktin e sotëm duke akuzuar drejtorin e Unitetit dhe truprojat e tij, për të cilët tha se kanë nxitur konfliktin dhe kanë përdorur armë të ftohta.


Faton Hajredini, banor i lagjes ‘Hajredini’ në Koshtovë, u shpreh se kërkesa e vetme e banorëve të këtushëm është me u mbulu deponia për shkak të kundërmimit, që e bënë të pamundshme jetesën këtu. Ndërsa, drejtori i Kompanisë Uniteti në Mitrovicë, Gazmend Morina, ka mohuar kategorikisht se ka qenë me katër truproja dhe se ka sulmuar banorët me armë të ftohta.

Sipas tij, ka ndodhur e kundërta, sepse ai është sulmuar me gurë e thikë nga banorët, të cilët ia kanë thyer xhamat e veturës, ndërsa siç u shpreh ai, falë dy policëve dhe faktit se ka arritur të ikë shpejtë me veturën e tij, ka mbetur gjallë.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar se nga kjo ngjarje janë lënduar gjithsej pesë persona, janë identifikuar katër tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët janë intervistuar nga policia, si dhe është dëmtuar një veturë/KP