Libri “Specialët-elita e Policisë Shqiptare”, u kushtohet heronjve paqësorë, policëve të akteve sublime, sambistëve të heshtur, atyre që meritojnë përulje e respekt për veprat që kryejnë”. Kështu e nis parathënien e botimit të tij, ish-komandanti i forcave speciale, Hilë Lushaku. Ish-kreu i RENEA-s tani studiues i çështjeve të policisë ka bërë një kronologji të forcave speciale shqiptare që nga viti 1982. “Këtë libër e shkrova i motivuar e i nxitur nga ndjenja të pastra përkundër synimeve e tendencave dashakeqe të të paditurve për deformimin prej tyre të të vërtetave për forcat speciale shqiptare.
Çdo e dhënë bazohet në dokumente arkivore të papublikuara, në të dhëna mediatike të kohës dhe në informata, rrëfenja e kujtime të protagonistëve të forcave speciale”, thotë Lushaku në këtë libër. “GSH” vazhdon sot pjesën e dhjetë të publikimit të këtij libri që hedh dritë mbi veprimtarinë e repartit elitë të policisë shqiptare.

(vijon)

Krahasimisht e ndoshta shumë më e rëndë ishte gjendja e sigurisë publike në të gjithë Shqipërinë në vitin 1991. Të dhënat që jepen në përgjigje të telegramit nr.331, datë 23.09.1991, “Mbi ndalimet e arrestimet gjatë periudhës 9-mujore 1991”, dërguar degëve të rendit publik nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sjellin të dhëna shifrore për ndalime, arrestime e dënime për periudhën janar-shtator 1991, shoqëruar edhe me persona konkretë. Disa nga të dhënat janë: Saranda-ndaluar 125 persona, arrestuar 29.6% e tyre; Vlora-271 persona të ndaluar, 57 të arrestuar; Erseka-102 persona të ndaluar, 41 të arrestuar; Kukësi-231 persona të ndaluar, 46 të arrestuar; Puka-70 të ndaluar, 20 të arrestuar; Gramshi-47 të ndaluar, 9 të arrestuar; Elbasani 339 të ndaluar, 99 të arrestuar; Pogradeci-160 të ndaluar, 34 të arrestuar; Korça-514 të ndaluar, 166 të arrestuar; Bajram Curri-76 të ndaluar, 22 të arrestuar; Tirana 551 të ndaluar (ka edhe 300 raste të shmangies nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak), 103 të arrestuar; Lezha-132 të ndaluar, 31 të arrestuar; Skrapari-73 të ndaluar, 27 të arrestuar; Durrësi 129 ndalime, 30 arrestime (prej tyre u dënuan 19 persona); Kruja-150 ndalime, 55 të arrestuar; Librazhdi-72 ndalime, 28 arrestime; Tepelena 59 ndalime, 17 arrestime; Fieri-190 ndalime, 66 arrestime; Burreli-85 ndalime, 35 arrestime; Gjirokastra 172 ndalime, 56 arrestime; Përmeti-54 ndalime, 17 arrestime. Krimet janë të klasifikuara: vrasje të ndryshme, vrasje për grabitje, vrasje për gjakmarrje, vjedhje, plagosje, grabitje, humbje armatimi, zbrazje armësh, zënie forcërisht objektesh, djegie zyrash të administratës, zjarrvënie deposh e magazinash, shpërdorim detyre, krime kundër përfaqësuesve shtetërorë zyrtarë, sjellje e padenjë në shoqëri, rrahje sistematike, shkelje e rregullave të shërbimit të rojës, shmangie nga shërbimi ushtarak, mosparaqitje në repart (detyrë), kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror, armëmbajtje pa leje, thirrje destruktive, por edhe marrëdhënie seksuale me dhunë. Për të mos u larguar nga thelbësorja, theksoj se reparti special nr.326, në atë periudhë ishte i vetmi që mundi të mbajë në kontroll situatën. Edhe këtu, përsëri, duke ruajtur anonimatin e personave dhe evidentuar probleme të repartit 326 në shërbimet e tij vetëm në Lezhë, gjykova të përmend se Lezha e Laçi “shumëzonin me zero” çdo shërbim tjetër policor, përjashtuar specialët.

Por nuk ishte vetëm Veriu në këtë rrumpallhanë kriminaliteti. Zëdhënësi i MRP, njoftonte çdo darkë në televizor për skena rrëqethëse e ngjarje tronditëse për shqiptarët e mjeruar në të gjitha drejtimet, tashmë të traumatizuar edhe nga “të fortit” që kishin gjunjëzuar policinë, që shpërfillnin ligjin e shtetin, duke vepruar me ligjet e tyre: sulmo, shkatërro, grabit e më pas digj e shkrumbo, fshij çdo gjurmë, përdor çdo mjet dhune për frikësimin e njerëzve e të policëve. Nuk mund të fshihet e vërteta, njerëz të antiligjit kishin pas tyre suporte politike. Në një komunikatë të zëdhënësit të MRP, më datë 7 tetor 1991, u bë prezent shkelja e hapur e ligjit nga subjekti Partia Demokratike, në Tiranë, e cila më 6 tetor organizoi e zhvilloi një miting në sheshin “Skënderbej”, pa miratimin e organit të policisë, ndonëse iu komunikua prej drejtuesve të bluve të kryeqytetit se kjo bie ndesh me ligjin për të drejtën e tubimeve. Mos respektimi i ligjit prej degës së PD Tiranë vuri në pozitë të vështirë drejtuesit dhe të gjithë shërbimet e Policisë, të cilët “u detyruan të tërhiqen nga të gjitha shërbimet e tjera në kryeqytet dhe u vendosen për të siguruar rendin në këtë aktivitet”. Nga zëdhënia kuptohet se politika nuk kishte interes për rendin por demonstronte për interesat e saj. Në krye të këtij demonstrimi ishin Sali Berisha, Azem Hajdari, Arben Imami, Maksim Konomi, Ylli Vejsiu, madje edhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv Pluralist i rrethit Tiranë, Tomorr Malasi, të cilët provokuan policinë me aktin që kryen. Shefi i Policisë së Rrethit Tiranë, Fatmir Hakani, u shpreh publikisht për këtë veprim në kundërshtim të ligjit, madje nëpërmjet një interviste deklaroi në media: “Përpara ligjit të gjithë të jemi të barabartë”. Ndërsa politika bënte shfaqje në sheshe, kriminelët zhvatin ku gjejnë. Thoma Gëllçi, në një shkrim të titulluar: “Rrëmujë në Kapshticë”, përshkruan dhimbjen njerëzore që provojnë në tokën amë fatkëqijtë që kthehen në kufi nga policia greke. Duket se këtu i pret një dhunë më e keqe se ajo fizike e policëve grekë, këtu e bëjnë ligjin “garipat”, “piratët” që shpërfillin këdo në doganë e në pikën e kalimit të kufirit, ata të fortit që u zhvatin paratë apo i detyrojnë “të kthyerit” të shkëmbejnë në vleftë të barabartë lekun me dhrahminë. Skenari i kësaj maskarade, i ndërthur me sekserë taksixhinj, hora pazaresh e intrigantë që kurdisin grabitje, i tmerronte emigrantët që kërkonin ndihmë, por syri i tyre nuk dallonte askënd përveç “të fortëve” që i rrethojnë sikurse një lukuni ujqërish që shqyejnë prenë e pambrojtur. Gazetari shprehet me indinjatë: s’ka policë, as ushtarë të pikës së kalimit kufitar, as oficerë…vetëm taksistë “shpëtimtarë”, sekserët që u thonë emigrantëve “jepi paratë se këta të vrasin”. Edhe grabitjet nuk janë tashmë vetëm në dyqane, mbasi “trimat” në tufë, komitët e kohërave të reja, kanë zgjedhur rrugët ku sulmohen makinat e transportit të mallrave që lëvizin brenda vendit apo ato që vijnë nga importi. Në këto kushte të gjithë kritikojnë e kërkojnë ndihmën e shtetit e më së shumti ndihmën e policisë. Faruk Mati, nga Burreli, duke dëshiruar të përgjithësojë shembullin e mirë të një patrulle policie, shkroi “A vlerësohet Policia”, ku përshkroi një situatë me premisa të rrezikshme në të cilën një grup “të fortësh”, me mjete shpuese e prerëse, sëpata, thika e armë në duar tentuan të sulmojnë një grup tjetër. Fati e çoi që aty afër kaloi patrulla e policisë e përbërë nga policët R.Vata e I.Suçi, të cilët të ndodhur përpara një situate ku po përlesheshin mesjetarisht grupe njerëzish, thirrjet për ndarje e ndalim sherri i shoqëruan me paralajmërim të shtënash arme në ajër, gjë e cila pati efekt të madh, duke parandaluar duelin e nisur. Autori vijon me kritika për policinë: “Është fakt se në mjaft raste punonjësit e policisë nuk ndërhyjnë, qëndrojnë sehirxhinj ose edhe largohen fare para veprimeve të tilla, qofshin këto edhe deri te vrasjet”. Trimoshët e krimit nuk kanë të ndaluar edhe në dhunën ndaj nxënësve të shkollave, e kjo ka nxitur gazetarin Frano Cako të reagojë me shkrimin: “Lërini të qetë nxënësit e mësuesit e shkollave”, ku prezanton skena dhune e fragmente ngjarjesh tronditëse, ngjarje që apelojnë për shtet ligjor e veprim aktiv të strukturave të sigurisë e sensibilizim të mbarë opinionit qytetar. Ai nuk frikësohet të tregojë raste konkrete të ndalimit të nxënësve në rrugë, të cilët kërcënohen edhe me armë të ftohta, u merren orët nga duart, varëset nga qafa e më keq akoma edhe veshjet e trupit. “Terror psikik” e quan gazetari rastin e futjes së disa të rinjve nëpër klasat e shkollave “Myslim Keta” e asaj “Qibrie Ciu”, në Tiranë; rastet e goditjes e të kërcënimeve të mësuesve që guxojnë e u dalin zot fëmijëve, sikurse ka ndodhur në shkollën e mesme pedagogjike e “Petro Nini Luarasi”, ku u rrahën barbarisht mësuesit në sy të nxënësve. Ngjarjet e shumta në shkolla kanë sjellë një shqetësim njerëzor serioz të prindërve, të cilët kanë humbur besimin për sigurinë në shkolla dhe me të drejtë kërkojnë përgjigje nga forcat e rendit. Rasti i rrahjes dhe dërgimit të një fëmije, të shkollës “Asim Vokshi”, në spital ka qenë shumë i rëndë. Nga të gjithë e kudo përflitet për autorë, por askush nuk ndëshkohet. Artikullshkruesi ka kurajën e akuzon edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura, ndër të cilët etiketon emra konkret dhunuesish të nxënësve, ushtarët…, ndërsa organet e rendit, të akuzës e ato të gjykatave nuk guxojnë të veprojnë as kryesisht, ndonëse populli flet e akuzon me fakte konkrete. Shkrimi denoncues mbyllet me pyetjen: A ka në Shqipëri ushtri, polici, shtet, shpëtimtarë? “Epidemia e dhunës” ka përfshirë gjithë jetën e vendit, ajo nuk ndesh asgjëkund “pengesë imunitare” në jetën e shqiptarëve. Etja për fitim me çdo mënyrë e mjet, sa më shumë e sa më shpjet, u ka errësuar sytë mëkatarëve të krimit. Po ndodhin edhe gjera të padëgjuara, deri edhe në zaptimin e banesave të refugjatëve. Ka humbur arsyeja njerëzore, guximi shkatërrimtar i disave po asfikson jetën normale qytetare, zemërata prej trysnisë izoluese 45-vjeçare ka shpërthyer marramendshëm për “të fituar kohën e humbur”. Çmenduria individuale apo momenti i çmendurisë shqiptare për disa persona duket se u ka errësuar sytë mendjevarfërve, guximtarë të paarsyes, të cilët provojnë të qëllojnë me gurë e mjete të tjera edhe autokolonat ushtarake e nga kjo të sjellin tragjedi për jetët njerëzore. Një rast i tillë ndodhi në Vlorë më 15 tetor 1991, rreth orës 17.00, kur një turmë njerëzish kundërveproi me gurë mbi autokolonën e makinave ushtarake që po u shkonte në ndihmë forcave të reparteve ushtarake që ishin në ruajtjen e portit, situatë që solli kundërveprimin me armë zjarri të një ushtari dhe plagosjen e shtetasit Festim Nazif Ferko, nga Bishani i Fierit. Kaq u desh që turma “të dehej” e të kalonte në “ekstazë”, duke kryer akte vandalizmi në qytet, duke dhunuar njerëz e shkatërruar objekte, dëmtuar ndriçimin, vjedhur mallrat e njësive tregtare. Përballja polici – “dhunues të importuar” solli plagosjen e 2 oficerëve e 14 policëve, por edhe shoqërimin e 200 demonstruesve, ndalimin e 25 prej tyre dhe gjobitjen e 107 të tjerëve. Ndonëse ngjarja ndodhi në Vlorë, personat e tubuar ishin nga rrethet Berat, Fier e Lushnjë! Personat e “importuar”, lumpeni, njerëzit e shthur, të eturit për hakmarrje apo “nuhatësit shkatërrimtarë” zaptuan në atë periudhë edhe qytetin “Studenti”. Një letër anonime, dërguar në redaksinë e gazetës së partisë në pushte (proqeveritare), titulluar “Qyteti Studenti pushtohet nga huliganët”, publikuar në këtë numër të gazetës “Zëri i Popullit”, i përshkruan zaptuesit “njerëz me fytyra shtazarake”, të pranishëm në mensën e studentëve dhe në lulishten e qytezës, grabitës, të pajisur me thika, me tulla nëpër duar, me pistoleta, që rrinë grupe-grupe. Anonimi tregon fatkeqësinë që kishte provuar prej një grupi që e kishin detyruar të hiqte pantallonat e t’i grabisnin çdo gjë të vlefshme që kishte, kur po kalonte në rrugicat që vinin nga rruga e Elbasanit në qytetin “Studenti”, e mandej duke e kërcënuar e goditur me copa tullash e gurë e kishin ndjekur teksa largohej i lemerisur. Ai nuk guxon të përmend emrin, madje lutet “të mbetet” pa emër, por pyet me lutje dëshpëruese: “A ka vallë shtet, qeveri, polici? Gjer kur kështu më? Kur do të lëvizë Policia, kur të na shikojë të shtrirë të vdekur për tokë”. Dhuna nuk është vetëm në qytetin “Studenti”, ajo ka depërtuar edhe në mjediset e fakultetit të mjekësisë. Studenti Gazmend Kabashi publikoi shkrimin “Kush na e “mbolli” mosbesimin”, duke përshkruar një ngjarje të datës 7 tetor, kur një grup personash sulmoi me gur në mensën e djemve të mjekësisë, por fati e çoi përfundimin vetëm me një të plagosur që përfundoi në spital. Në mbyllje të përshkrimit, Kabashi, shprehet: “Jemi të lodhur e nuk mund të durojmë më këtë gjendje. Pse nuk vendoset qetësia publike? Jetën së paku ta kemi të sigurt…Ku janë ruajtësit e rendit”?! Shqetësimi qytetar për gjendjen e rendit gjen pak ngushëllim në disa deklarata publike të “guximtarëve” të veçantë, që nuk i tremben politikës. Një syresh ishte Vladimir Milloshi, oficer policie në Korçë, i cili publikoi: “Në krah të policisë duhet bashkëpunimi i forcave politike” dhe një tjetër prononcim në rubrikën “Ç’mendojnë e ç’duan njerëzit”, titulluar: “Ruajtja e rendit-mbështetje e fuqishme për demokracinë”, ku publikohen komente e mendime të disa kuadrove të Krujës, konkretisht: Petrit Bajraktari-kryetar i Degës së Rendit Publik, Gëzim Deda-prokuror i rrethit, Dhimitër Prifti-kryetar i gjykatës së rrethit dhe Skënder Bajraktari-shef i policisë kriminale në Krujë. Gazetari Musa Ulqini shprehet më ashpër dhe me stilin analitik, në shkrimin: “Klimë që destabilizon vendin”, i kundërvihet politikës destruktive të PD dhe kritikon deklaratat politike të saj pa harruar të përmendë se brenda vitit 1991 janë shkatërruar mbi 700 shkolla. Sami Milloshi vijoi pas disa ditëve me shkrimin “Ndal kaosit dhe anarshisë”. Sado që pati solidaritet e deklarime pro policisë, shkatërrimet nuk kanë të ndalur. Tashmë radha u takoi fshatarëve shkodranë në Domën e Ura e Shtrenjtë, të cilët vodhën të gjithë artikujt e dyqaneve të fshatrave të tyre edhe në Drisht, Boks e Grudë të Re. Flaka e “olimpizmit shkatërrimtar shqiptar të fillim tranzicionit” u përcoll më pas në Mamurras e Laç, ku mbërriti më 3 dhjetor dhe deri më 7 të atij muaji shënoi rekord në vend për egërsi sulmuese mbi objekte, vjedhje, djegie, shkretim të çdo gjejë nga Fushë Kruja në Thumanë, Borizanë, Mamurras, Laç e Milot.

Në këto kushte, udhëheqja e dikasterit blu kishte marrë masa përforcimi shërbimi me sambistë, të cilët në shumë raste patën konflikte edhe me ushtarakë që nuk zbatonin ligjin. Vetëm ai që ka shërbyer në këto forca është në gjendje të kuptojë gjendjen e tyre, aq më tepër kur ata caktohen në detyra ku situata është e paqartë, kriminelët janë kamufluar e maskuar me mënyra e metoda të stërholluara deri edhe në përdorimin e mjeteve e dokumenteve shtetërore dhe rreziku është kurdoherë i pranishëm. Përgjegjshmëria e tyre e lartë dhe rigoroziteti në përmbushjen e detyrave i ka vënë disa herë sambistët në tehun e kritikës. Një rast i tillë, publikuar nga gazetari Aleksandër Frangaj, ka qenë ai i konfliktimit me forcat e ushtrisë kur një makinë e flotës së Shëngjinit, drejtuesi i së cilës nuk iu bind kërkesës për ndalje në postblokun e urës së Milotit, ku vepronin sambistët, u largua me shpejtësi, por u qëllua nga specialët dhe ra “në disk”, ngaqë plumbat i shoshitën gomat. Majori i marinës, Xhek Nuzi, dhe shoferi gati u konfliktuan me armë me sambistët, për të cilën nënkolonel Piro Kuçi i akuzoi sambistët “për trajtim çnjerëzor”, ndërsa veprimin e tyre e cilësoi “bandidesk”. Komandanti i grupit të sambistëve, i thirrur Jani Demeti, kundërshtoi sa deklaruan pala e marinës së Shëngjinit dhe u kundërpërgjigj: “Sambistët kanë vepruar sipas ligjit”, duke shtuar më poshtë se nuk e miraton kërcënimin e majorit e të shoferit të ushtrisë nga sambistët. “Kritikat” e “A.F” vijojnë kundër sambistëve edhe në numrin tjetër të radhës në gazetën tashmë pluraliste, “Koha Jonë”, shkrim të cilin, për të lehtësuar kuptimin e tendenciozitetit të autorit ndaj tyre, sidomos në fjalinë e fundit të tij, po e riprodhoj tekstualisht: “Sampistët e 326-ës plagosin dy qytetarë të pafajshëm”. 326 përsëri në veprim. Përsëri viktima të pafajshme. Në numrin e kaluar shkruam për një konflikt mes sampistëve dhe forcave të ushtrisë në kryqëzimin e Milotit. Po këtë javë një tjetër incident në këtë vend. Sampistët ndalin për kontroll një makinë “Fiat” të Shkodrës. Pasi bëhet kontrolli i makinës dy nga sampistët i thonë shoferit: “Merri këta dy persona për Shkodër”. Shoferi nuk pranon t’i marrë pasi ishte privat dhe kishte planet e tij. Më pas një nga sampistët e shan shoferin me nënë, shprehje të cilën nuk mund ta shkruaj. Me të njëjtën monedhë i përgjigjet edhe shkodrani i cili ndez makinën dhe largohet për në punë të vet. Pas disa metrash dy sampistët qëllojnë me automatik makinën dhe si rezultat i kësaj plagosen dy qytetarë shkodranë, Kadri Tahiri dhe i biri Agim Tahiri. Më pas këta qytetarë shtrohen urgjent në spitalin e Lezhës. Në trupin e Kadriut gjendet një plagë dhe në të Agimit dy plagë automatiku. Pas ndërhyrjeve të shpejta të mjekëve lezhjanë që të dy shpëtojnë. Me ç’të drejtë dhe mbi ç’ligj bazohen këta ruajtës të rendit të qëllojnë mbi makina apo persona të pafajshëm? Ç’të drejtë kanë sampistët të detyrojnë shoferët si ata shtetërorë apo privatë që të marrin në makinë persona të ndryshëm? Ç’të drejtë kanë të përdorin armët e zjarrit për tekat e kapriçiot e tyre? Ç’farë mase u mor ndaj këtyre dy huliganëve? Të nesërmen këta dy sampistë u transferuan nga Miloti. Kaq. Pra ky ishte dënimi për këta shkelës të ligjit që pretendojnë të zbatojnë ligjin. Mesa duket këto forca kanë fishekë të tepërt, të cilët duhet ta harxhohen brenda 91-shit. Ndoshta kanë mbetur nga masakra e 2 prillit në Shkodër.
Shkrimi mësipërm më nxiti të hulumtoj më tej dhe konstatova se Aleksandër Frangaj kishte shkruar për specialët edhe më herët: “Neoreparti 326 në veprim”, të cilin e kishte botuar në gazetën “Koha Jonë”, shoqëruar me shënimin: Për dijeni presidentit, parlamentit, kryeministrit, me përmbajtjen në vijim: “Ditën e shtunë datë 5 tetor si shumë qytetarë të tjerë po prisja makinën tek “Zogu i Zi” në Tiranë, për t’u kthyer në Lezhë. Në orën 14.30 vjen dhe ndalohet aty pranë një makinë tip “Ford” me targë TR 02376. Shumë qytetarë nxitojnë në drejtim të makinës dhe pyesin se ku shkon. Në këtë makinë ndodheshin disa civilë dhe një polic, i cili zbret dhe largohet nga makina. Qytetarët të lodhur nga pritja e gjatë vazhdojnë të pyesin për destinacionin e makinës. Ndërkohë aty afrohet edhe një djalë i ri dhe pyet se ku shkon makina. Një nga civilët që ndodhej brenda zbret dhe i kërcënohet djalit pse e hape derën. Djali përgjigjet shumë qetë: Dera e hapur ishte. Civili: Ik zhduku tani se po të fus ndonjë…Djali: Pse mor vlla çfarë të bëra, pastaj çfarë je ti? Civili: Çfarë jam unë? Dhe papritur asnjë reagim i shtrëngohet me një grusht në fytyrë djalit. Ndërhyjnë disa qytetarë për t’i ndarë, ndër ta, edhe Muhamet Bilali nga Lezha dhe Pjetër Pretashi, student në inxhinieri mekanike. Ndërkohë si bisha të tërbuara zbresin nga makina të gjithë civilët e tjerë dhe e rrethojnë djalin duke e qëlluar me grushte në fytyrë, gjoks e kurriz e sikur nuk u dilnin grushtet filluan breshëritë e shkelmave në mënyrat nga më çnjerëzore duke e goditur vend e pa vend. Një skenë të tillë mund të kemi parë vetëm në kronikat ku policët serbë godisnin studentët kosovarë. Njëri nga bishat e kishte mbërthyer me të dyja duart për flokësh djalin, tjetri e godiste me shqelm në stomak e tjetri në kurriz. Djali i shkretë i larë në gjak pothuaj në të gjithë fytyrën bërtiste e rënkonte në duart e bishave të tërbuara. Klithje njerëzish. Dy vajza studente që e shoqëronin dhe po prisnin edhe ato makinë, Majlinda Gjini dhe Gentjana Gjini, filluan të ulërinin dhe iu lidhën për trupi djalit të dërrmuar. Gratë me fëmijë u larguan me vrap. Burrat mundoheshin të ndërhynin. Trafiku u ndërpre. Të tjerët pyesnin: mos ishte hajdut, kriminel apo i gjetën ndonjë armë pa leje. Ata që asistuan në ngjarje u thonin bishave që lëshojeni se nuk bëri gjë. Bishat: “Rrini urtë se e hani edhe ju si ky”! Dikur, pasi bishat u lodhen dhe nuk ngeli vend në trupin e djalit pa u goditur e lëshuan përdhe, hipën në makinë dhe u larguan. Afrohem dhe e shoh djalin e gjakosur të shtrirë përdhe duke rënkuar: Oh nënë! Oh nënë! Po nëna nuk e dëgjonte. Ajo ishte larg. Në pamundësi për të biseduar me djalin pyes shokun e tij student Pjetër Pretashin, si quhet i dërrmuari nga bishat (anti) shqiptare? Edmond Shameti, student në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, nga Gjirokastra. Të tjerët po i fshinin gjakun, por nuk vonoi shumë dhe bishat u kthyen përsëri dhe me t’u ndalur, me një shpejtësi marramendëse turren në drejtim të djalit. Klithma përsëri. Bishat e kapin për flokësh dhe e tërheqin në drejtim të makinës. Vajzat duke klithur nuk shkëputeshin nga trupi i djalit. Bishat i marrin edhe ato dhe i hipin në makinë. Nisen. Të gjithë indinjohen nga ky veprim. U dhimbset djali “kriminel” vetëm se pyeti “ku shkon makina”. Muharrem Bilali nga Lezha, tepër i revoltuar, më thotë: Aleksandër, e ke dokumentin e gazetarit me vete? Po – i përgjigjem. – A vjen të shkojmë në rajon të sqarojmë ngjarjen? – Posi i them dhe të dy u nisem për në rajonin e policisë afër ambasadës jugosllave. Tek porta gjetëm dy vajzat duke qarë dhe studentin tjetër. Kërkuam të takojmë shefin ose zv/shefin e rajonit. U futëm brenda. Tek dhoma ku pritej trokitëm në një sportel me kompensatë. U hap. Kë kërkoni, na thonë. Shefin ose zv/shefin. Unë jam zv/shefi, na përgjigjet njëri. Çfarë kishit? Jemi dy qytetarë nga Lezha, i them. Unë gazetarë dhe ky shoku punëtor. Asistuam në incidentin që ndodhi tek Zogu i Zi. E pastaj, na thotë polici. Deshëm të sqarojmë lidhur me ngjarjen. Ehu, përgjigjet ai, ik shkruaje në gazetë! (!) Dhe e mbylli sportelin me forcë sa gati s’më zuri kokën brenda. Dolëm të fyer. Nuk e mendoja këtë përgjigje nga forcat e ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike të Republikës së Shqipërisë. Të ishin serbë, ndoshta. U kthyem përsëri tek Zogu i Zi. Nuk ishim në gjendje as t’u nxirrnim dorën makinave. Më kujtohet studenti i shkretë i larë në gjak dhe rënkimet e tij: Oh nënë! Oh nënë! Por nëna nuk e dëgjonte. Djali i saj “kriminel”, të cilin më vonë e liruan, kish prishur qetësinë duke pyetur, ku po shkon kjo makinë! Ende në vesh më shungullojnë rënkimet e tij që në ndërgjegjen time transkriptoheshin si thirrje për presidentin e parlamentin dhe qeveritarët për të ndaluar dorën e zezë të neosampistëve pseudoshqiptarë”.

Shkrimet kritike të gazetarit lezhjan, A.Frangaj, më nxitën të hulumtoj më tej për aktivizimin e përdorimin në shërbim të sambistëve. Fati e solli të gjej në arkiva dy dokumente, të cilat më ndihmuan të bëj “avokatin” e sambistëve. Në dokumentin e titulluar në lëndë: “Mbi dërgimin e ligjit të forcave të ndërhyrjes së shpejtë”, protokoll me nr.687/1, datë 8.02.1992, krahas të tjerave është theksuar: “Të gjithë pa përjashtim duhet të respektojnë ligjet…ka pasur sukses në kryerjen e detyrave nga këto forca, si në Vlorë, Durrës, në Zejmen, Laç, Milot etj. ku me gjithë mjetet vdekjeprurëse që përdor krimineli, vandalisti, forcat tona ju shmangen një gjakderdhjeje të tillë. Kjo është meritë e efektivit dhe jo e drejtuesve të tyre. Por krahas anëve pozitive duhet të tërheqim vëmendjen edhe për disa veprime negative, si në Milot, që hapet zjarr kundër pasagjerëve dhe jo kundër makinës (në rrota) ose për një kundërshtim të vogël i bie me shkop qytetarit si në Fushë-Krujë, Milot e gjetkë. Pra, sa shkruan Frangaj ka ngjarë, e kjo është e dokumentuar nga vetë drejtuesit e FNSH, por sa ka ndodhur nuk është pjesë e përgjegjësi e sambistëve, që nuk kishin kohë të angazhoheshin me shërbime postblloku kur krimi po bluante palcën e shtetit. Dokumenti i dytë, shkresa nr.217, datë 18.03.1991, titulluar në lëndë: “Për disa objekte të forcave të ndërhyrjes së shpejtë”, nënshkruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Gramoz Ruçi, dokumenton se me VKM nr.9, datë 3.12.1990 dhe nr.10, datë 13.12.1990, janë krijuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat kanë kaluar në varësi të MPB, çfarë përputhet me kohën e aktivizimit të tyre në ato shërbime e në ato vende për mbajtjen e rivendosjen e rendit.

Kur Nikollë Lesi shkruante “Shqipëria, një Siçili e dytë”
Ndërsa Frangaj akuzonte ashpër specialët, gazetari tjetër i “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, publikoi një shkrim tronditës për lexuesit, titulluar: “Mafiozët mund të rrëmbejnë edhe… ndonjë grua ministri”, shoqëruar me dy nëntituj, përkatësisht, “Vetura private me targa dhe pa targa rrëmbejnë në mes të ditës” dhe “Po të vazhdohet kështu, Shqipëria do të bëhet një Siçili e dytë”. Lesi me këtë shkrim synoi me të drejtë të sensibilizojë opinionin publik dhe qeveritarët. Ai shkroi: Në Universitetin Bujqësor të Kamzës rrëmbehet një studente. Autorët ishin disa mafiozë tiranas me makinë private. Studentja mbahet tri ditë dhe dorëzohet, siç ishte e “paprekur”. Në Shkodër, në Universitetin Pedagogjik, dështon një tentativë për të futur në veturë me zor një vajzë simpatike, së cilës ia kishin vënë syrin me kohë mafiozët. Në Tiranë, te konvikti i vajzave të Mjekësisë kërcet grushti për të përlarë një studente tjetër. Natyrisht, rrëmbim për arsye përdhunimi. Në Durrës, në afërsi të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, një gjimnaziste shpëton për fije të perit nga dy djem, të cilët largohen me shpejtësi me një veturë private. Në zonën e Shënkollit të Lezhës vajzat e shkollës së mesme nuk lëvizin ta pashoqëruara nga njerëz të familjes. Arsyeja? U dalin përpara djem për t’i rrëmbyer. Në Tiranë, sapo kalon errësirën e rrugës së Elbasanit vajzat masakrohen nga djem gangsterë, të cilët shfryjnë pasionet e tyre shtazarake, mes thirrjeve për ndihmë të vajzave fatkeqe. Në…Në…Në… S’do dëshiroja që ngjarje të tilla të kenë ndodhur edhe në qytete të tjera. Kjo ishte tabloja e parë. Më e dhimbshme, më e turpshme sa s’ka ku t’i gjendet modeli. Tabloja e dytë: Nëna, baballarë e vëllezër, të cilët rrinë si mbi gjemba për fëmijët apo motrat e tyre nëpër shkolla. Që edhe në gjumin e natës u fanekset se diçka po ndodh me vajzën e tyre, me nderin e tyre të papërlyer deri tani, se dikush po u kërkon ndihmë “NËNË! BABA…!” E çohen të trazuar, të pafjetur (të pangrënë, kjo dihet) dhe të lebetitur nga ato ç’kanë dëgjuar ditën e kaluar për lloj-lloj aventurash të mafiozëve në qytetet e ndryshme për përdhunime femrash. U duket, sikur është zëri i vajzës së tyre. Është koha kur prindërit po u besojnë çiltërsisht ëndrrave ndjellakeqe. Janë të parët që zgjojnë edhe PT-të për të biseduar me vajzën e tyre studente. Disa qetësohen, të tjerë marrin rrugën të llahtarisur, vetëm e vetëm se vajza nuk u doli në telefon. Vetëm e vetëm se kanë dëgjuar se diku është rrëmbyer dhe përdhunuar një vajzë. Ose vetëm e vetëm se kanë parë një ëndërr. Tabloja e tretë: Policia. Edhe ata kanë rënë në hall. Të zbatojnë ligjin turret ndonjë lider partie me akuzën: “Sigurimi i Shtetit…”, “Po fillon diktatura…”, “Ç’na polli demokracia…”. Dhe heshtin policët. Rrinë indiferentë edhe kur para syve të tyre kalon ndonjë veturë, ku dëgjohen thirrje vajze për ndihmë, thirrje që të këpusin shpirtin. Opinioni shoqëror: Kërkon jo vetëm parandalimin e këtyre akteve të turpshme, porse vënien para dënimit më të rreptë të ligjit të këtyre kontrabandistëve të nderit. Zotërinj qeveritarë! Kërkoni zbatimin e ligjit për këta mafiozë. Edhe për pasivitetin e organeve të ruajtjes së rendit. Në të kundërt, urdhëroni të pajiset popullsia me armë! Le t’ia lemë, nëse dëshironi, vetëgjyqësinë dhe vetëmbrojtjen secilit shtetas! Ndalojuani dorën këtyre përdhunuesve, se ndryshe, nga vrulli që kanë marrë, ka mundësi që, si për shaka, të përlajnë ndonjë grua ministri…! Atëherë me siguri do ta kuptoni nevojën e vetëgjyqësisë, por mos do të jetë vonë!?

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: