Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së maturantëve paraditen e sotme. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, kreu i Qeverisë shpjegon se “një nga risitë e Reformës në Arsim është se më të mirët zgjedhin të parët!”.


Por sipas kryeministrit, një maturant i shkëlqyer nuk mund të shkojë në 10 degë, (në të cilat ai aktualisht rezulton fitues) por në preferencën që ai zgjedh dhe rezulton fitues.


Duke u regjistruar në degën që do të ndjekë studimet një student, ai do të krijojë vende të lira në listat që do publikohen në 20 shtator.


“NJË SQARIM ME ZËRIN E MATURANTËVE
Një nga risitë e Reformës në Arsim është më të mirët zgjedhin të parët!
Po sigurisht, një maturant i shkëlqyer nuk mund të shkojë në tetë, nëntë apo dhjetë degë, ku shpreh fillimisht preferencën dhe del fitues! Deri në 20 shtator, çdo fitues në më shumë se një degë, do të regjistrohet në degën e vetme që do ndjekë dhe, automatikisht, të gjitha vendet e tjera që ka zënë përkohësisht në listën fituese, do të lirohen për shpalljen e fituesve të tjerë.

Pra, e drejta për të zgjedhur përcaktohet sipas meritës, me procedura transparente, jo më në errësirë sipas tarafit apo parasë… Rregullat janë të qarta dhe kush ndjek si duhet procedurat, padiskutim do të ushtrojë të drejtën e vet për shkollim të lartë, sipas meritës.

Suksese dhe mos harroni: Janë 25 mijë kuota për 27 mijë e 600 aplikues, kështu që ata që do mbeten jashtë në fund të procesit, do të jenë një numër i kufizuar e me rezultatet më të dobëta ndër gjithë të tjerët. Prandaj respekt për meritën e secilit dhe durim deri në përfundimin e procesit! #Rilindje#Shqipëriae GjeneratësTjetër”, shkruan kryeministri Rama.

Bashkangjitur këtij sqarimi, kryeministri Rama publikon dhe një video, ku dy maturantë tregojnë sesi kanë rezultuar fitues në të gjitha degët që kanë zgjedhur, por tregojnë se deri në 12 shtator duhet të regjistrohen vetëm në një degë, duke i lënë të lira degët e tjera.

[fbvideo link=”https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10153995026721523/” width=”500″ height=”400″ onlyvideo=”1″]

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: