TIRANE

Pas dorëheqjes së Melisa Bracit nga posti i kryetares së Këshillit Studentor të Shkodrës, me pretendimin se ishte intimiduar nga rektori i Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’, vjen një reagim i fortë nga studentët protestues.

Përmes një videomesazhi të dërguar në adresë të ‘BalkanWeb’, një grup studentësh, të cilët këtë herë kanë zgjedhur të shfaqen pa zbuluar fytyrën, ndërsa mbajnë para mesazhe të ndryshme, pohojnë se kauza e tyre është larg politikës.

Bëhet fjalë për studentë të Universitetit publik të Tiranës, ndërsa ata parashtrojnë edhe njëherë kërkesat e tyre, ndërsa nesër do t’i drejtohen Kryeministrisë, duke mos ndalur protestat.

“Duke marrë shkas nga dorëheqje e kryetares së Këshillit Studentor Shkodër, e cila u detyrua të japë dorëheqjen nga posti për shkak të presionit që i është bërë, morëm vendimin të dalim pa fytyra. Unë jam student, protesta është student, nuk ka politikë, nuk ka lider, është vetëm zëri i studentëve dhe zërat kërkojnë; jo pedagogë të korruptuar dhe të pa kualifikuar, jo kërcënimeve ndaj studentëve, jo vlerësim të pa standardizuar. Po përgjysmim të tarifave, po përmirësim të kushteve, po përmirësim të cilësisë së studimit, po kartës së studentit. Unë jam student”, pohon një prej studentët në videomesazh.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb