Përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile protestuan paraditen e sotme në hyrjen e Portit të Durrësit kundër mbetjeve të rrezikshme që pritet të mbërrijnë mëngjesin e së hënës, teksa kishin si destinacion Tajlandën.

Janë rreth 2100 tonë mbetje, që dyshohet se janë të rrezikshme, që pritet të mbërrijnë në Shqipëri, pas alarmit të dhënë edhe nga organizma ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit.

Një prej pjesëmarrësve në protestë ishte edhe anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari. Ai ka kërkuar nga qeveria që të bëjë transparencë dhe të nxjerrë përgjegjësit kryesorë në këtë trafik ndërkombëtarë mbetjesh të rrezikshme.

Sipas Muçollarit, rrjeti i Bazelit ka paralajmëruar se qeveria mund të prishë provat, ndërsa kërkoi gjithashtu që të dihet vendi ku do të groposen mbetjet.

“Cilët qeveritarë mbron ky trafik i mbetjeve të rrezikshme? A ka mbetje ende të rrezikshme në port? Qeveria s’jep asnjë përgjigje. Kërkojmë që kur të vijnë mbetjet, të bëhet transparencë.

Qeveria mund të ketë prishur provat, kontenierëve mund t’i jenë prishur vulat, paralajmëroi Bazeli. Nëse qeveria s’ofron transparencë, lind dyshimi se çfarë do ndodhë me këto mbetje, në cilën zonë të Durrësit do groposëm apo në det?!

Pse duhet të na mohojnë transparencën. E vetmja arsyeja, është që trafiku të vazhdojë, s’dimë asgjë për trafikun ndërkombëtar.

Cila industri prodhon kaq shumë mbetje të rrezikshme për ekosistemin dhe jetën tonë. Bazeli do jetë këtu, për të siguruar transparencë. Si opozitarë na duhet të marrim riolin e shoqërisë civile. Ajo s’po reagon. Transparenca mbi këtë ngjarje, na garanton siguri dhe çon sinjal të qartë për këtë trafik.

Përgjegjësit nga zyrtari më i vogël te kryeqeveritari të shkojnë para drejtësisë për këtë krim mjedisor, ndaj të drejtës sonë për të jetuar. Duhet të kërkojmë mbështetjën e të gjithëve, socialistë e demokratë. Nëse qeveria s’reagon, duhet të përshkallëzojmë reagimin tonë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb