Analisti Ben Andoni ka komentuar situatën aktuale politike dhe protestat e Partisë Demokratike gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24.

Ai theksoi se, ndryshe nga sa po përpiqen të paraqiten, protestat e PD nuk janë një akt i “mosbindjes civile”, por një seri protestash të ndryshme që synojnë të objektivizojnë partinë.

Sipas Andonit, mosbindja civile është një formë proteste që nuk synon të pengojë qytetarët, por që ka një simbolikë dhe duhet të vazhdojë pa pushim. “Mosbindja civile nuk është për të penguar njerëzit, por ngritja e një simbolike që nuk ndalet,” tha Andoni, duke shtuar se protestat e PD janë të organizuara me një kalendar të caktuar.

Ai vlerësoi diversifikimin e protestave nga ana e opozitës, duke theksuar se ky është një hap pozitiv, por u shpreh se protestat nuk duhet të bëhen të bezdisshme për publikun. “E vetmja gjë e mirë që ka bërë PD është diversifikimi i protestave,” shtoi Andoni.

“Njerëzve të PD duhet t’u thuhet se kjo nuk është mosbindje civile, është një set protestash me forma të ndryshme që synon për të objektivizuar PD-në. Mosbindja civile nuk është për të penguar njerëzit, por mosbindja ngrihet në një simbolikë dhe nuk pushon. Protestat e PD janë me kalendar.
E vetmja gjë e mirë që ka bërë PD është diversifikimi i protestave. Protestat e tanishme kanë ndryshuar në formë nga opozita dhe shërben si kompliment për ta deri në momentin që nuk bëhen të bezdisshëm për publikun. Më vjen keq për këtë sepse një pjesë e PD janë goxha të përgatitur nga ana teorike”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb