TIRANË

Masiviteti është një lloj etaloni matës për protestat e opozitës. Të tillë e sheh analisti Besnik Mustafaj atë çfarë po ndodh. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Mustafaj duke iu referuar sekuencave të dhunës nga protestat e kaluara tha se deri tani çdo gjë është brenda parametrave normalë, duke kujtuar protestat në Paris, Milano etj. Sipas tij nuk ka zemërim me të mërmëritur.



“Unë besoj se protestat në përgjithësi në demokraci janë motor që prodhojnë zhvillim. Edhe në vendet më të zhvilluara protestat janë pozitive. Në kontekstin konkret, protesta është e domosdoshme pasi kryeministri është refraktar dhe jo lexues i realitetit në mënyrë që të nxjerrë konkluzione dhe të mbajë qëndrime. Unë besoj se protesta do jetë më e madhe po të paktën sa protesta tjetër.
Sigurisht që protesta matet me masivitetin. Gjatë gjithë këtyre viteve 30 vjet që bëj jetë publike kam qenë partizan i paqes, i qetësisë. Unë kam leximin tim për masën e dhunës. Nuk ka zemërim me të mërmëritur. Sa akte dhune janë parë në protestat e mëparshme janë brenda parametrave të një zhvillimi demokratik. Kemi parë jelekverdhët në Paris, protestat për G8 në Milano etj. Janë brenda parametrave të pranueshme. Po flasim për protesta ku marrin pjesë 100 mijë vetë. Unë besoj se nuk ka vend për alarm”, deklaroi Mustafaj.


Sa i përket apelit të ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve, ai tha se duan t’i paraprijnë rrezikut kur dhunë mund të dalë jashtë kontrollit.
“Unë e kuptoj dhe Presidentin Meta dhe trupin diplomatik që duan t’i dalin para rrezikut të një teprimi, rastit kur dhuna mund të dalë nga kontrolli. Jemi ende në kuadrin normal. Unë besoj se thirrjet që janë bërë kundër dhunës, janë në pararendje pozitive të protestave po ashtu dhe presidenti Meta në të njëjtën gjatësi vale”, tha Mustafaj.

Lidhur me deklaratën e kryetares së LSI kundër dhunës, Mustafaj tha se është një risi në gjuhën e lidershipit të protestës dhe se mund të jetë reflektim pas vizitës në SHBA të saj.
“Thirrja e djeshme e zonjës Kryemadhi që shprehet kundër dhunës, është një risi në gjuhën e përdorur gjatë këtyre protestave nga lidershipi i protestës sepse as nga Basha e as nga Kryemadhi në manifestimet e mëparshme nuk është bërë thirrje kundër dhunës. Duhet parë si një reflektim pas vizitës në SHBA”, deklaroi Mustafaj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb