Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar për protestat në Preshevë, duke u shprehur se PL mbështet me forcë kërkesat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë.

Meta thekson se PL solidarizohet me protestën legjitime të shqiptarëve për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd.

“Partia e Lirisë mbështet me forcë kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe solidarizohet me protestën e tyre legjitime për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd:

.Plani dhe Programi për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001;

.Marrëveshja për riorganizimin e Trupit Koordinues dhe Rikonfirmimit të parimeve të Marrëveshjes së vitit 2001;

.Plani 7 pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë, në tërësi e ka aprovuar më 2013.


I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë garantuar këto marrëveshje të reagojnë, veprojnë dhe ruajnë besueshmërinë e tyre.

Ndalimi i çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës, heqja dorë nga praktikat shkombëtarizuese si procesi i pasivizimit të adresave, respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ndihmon bashkëjetesën ndëretnike atje dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon”, shkruan Meta.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb