Rrjetet sociale Twitter dhe Facebook kanë ndërmarrë hapa për të bllokuar atë çfarë e përshkruajnë si një fushatë të mbështetur nga shteti kinez për dezinformim.

Twitter ka bërë të ditur se ka mbyllur 936 llogari të cilat përdoreshin për të nxitur mosmarrëveshje politike në Hong Kong. Rrjeti social në fjalë tha se llogaritë e kishin origjinën në Kinë dhe ishin pjesë e një përpjekjeje të koordinuar për të minuar legjitimitetin dhe qëndrimet politike në protestat e Hong Kongut.

Facebook nga ana tjetër ka fshirë “shtatë faqe, tre grupe dhe pesë llogari individuale”. Rrjeti ka bërë të ditur se në bazë të hetimeve janë zbuluar lidhje të individëve të caktuar me qeverinë kineze. “Ata kanë postuar vazhdimisht lajme për politikë vendase dhe tema që kanë qenë të lidhura me protestat në Hong Kong”, ka bërë të ditur rrejti social Facebook.

Protestat në Hong-Kong nisën për shkak të një projektligji për ekstradimin në Kinë të të dënuarve, që tashmë është pezulluar. Kritikët janë shprehur se ky projektligj do të dëmtonte pavarësinë gjyqësore të Hong Kongut dhe do të mund të përdorej kundër atyre që flasin kundër qeverisë kineze. Më pas protestat vijuan më tej duke kërkuar reforma demokratike dhe hetime ndaj asaj që ata e quajnë brutalitet të policisë ndaj protestuesve.

Protestuesit janë shprehur se edhe pse kanë dy muaj që luftojnë për kërkesat e tyre, ende skanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria duke shprehur bindjen për të vijuar sërish me protesta. Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por nën marrëveshjen “një shtet, dy sisteme”, që i garanton një nivel autonomie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb