TIRANE

Për rreth 4 orë opozita e bashkuar protestoi sot sërish para parlamentit ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare. Kërkesat e saj janë të pandryshueshme, qeveri tranzitore e cila do të cojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fjalimin përmbyllës të protestës sot u premtoi qytetarëve që nuk do t’i braktisë kurrë. Basha, theksoi ndër të tjera nga protesta se beteja për të cilën zgjohet çdo mëngjes, është ajo e një Shqipërie si gjithë Europa.

Protesta e nisur sot në orën 9:30, paralel me seancës plenare është shoqëruar me tensione dhe hedhje shashkash mes policisë dhe banorëve të Unazës së Re. Mësohet se policia ka shoqëruar edhe disa prej tyre. Protestuesit kanë tentuar disa herë të çajnë kordonin e policisë por nuk ia kanë dalë. Pas rreth 2 orë e gjysmë protestë tek parlamenti, ish-deputeti Flamur Noka iu ka kërkuar protestuesve të vazhdojnë marshimin. Protestuesit kanë vijuar ecjen me në krye kreun e PD-së Lulzim Basha, kryetaren e LSI Monika Kryemadhi etj dhe kanë ndaluar tek Ministria e Brendshme ku kanë bërë thirrje për lirimin e protestuesve të arrestuar në protestat e kaluara.

Protestuesit para parlamentit kanë hedhur sende të forta drejt policisë, tymuese e shashka duke shtyrë kordonin e policëve për të hyrë në parlament.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se në terren do të jenë rreth 1000 forca policie. Ndryshe nga herët e tjera në kordon do ketë edhe efektive femra. Ndërkohë mësohet se grupe policësh do të ketë dhë ruajtje të institucioneve përveç se tek parlamenti. Kështu nisur nga protestat e kaluara, do të ketë policë tek Kryesia e Kuvendit, KQZ por edhe tek Drejtoria e policisë së Tiranës.

Ndërkaq në oborrin e xhamisë së Namazgjasë do të jenë të dislokuara FNSH-të.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Po kështu mësohet se deputetët do të hyjnë nga pedonalja, e cila do të jetë e e rrethuar me efektivë të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

Godina e Parlamentit do të vijojë të jetë e rrethuar me kamera për të fiksuar të gjithë protestuesit e opozitës që mund të shfaqin shenja dhune. Gjithashtu, dera që lidh selinë e Partisë Demokratike me sallën e Parlamentit do të vijojë të jetë e bllokuar edhe përgjatë ditës së sotme.

Opozita ka paralajmëruar protesta sa herë të ketë seancë plenare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme.

Nga 16 shkurti opozita ka organizuar 6 protesta para Kryeministrisë dhe parlamentit. E fundit ishte më 21 mars. Opozita ka djegur mandatet parlamentare, një pjesë e të cilave janë zëvendësuar nga deputetë të rinj, kandidatë të listave të PD dhe LSI të 2017.

Në disa protesta të zhvilluara ka pasur edhe dhunë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, e gjithashtu ka pasur protestues të arrestuar.

“Lironi djemtë tanë”,protesta zhvendoset te Ministria e Brendshme

12:23-Protestuesit janë zhvendosur nga demonstrata përballë Kuvendit. Të kryesuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi dhe ish-deputetët e tjerë të opozitës, protestuesit ndodhen momentalisht përballë godinës së Ministrisë së Brendshme. Me thirrjet “Lironi djemtë tanë”, protestuesit kanë rrethuar në këtë mënyrë godinën e MB.

Tentativë tjetër për të çarë kordonin, tensione tek parlamenti

Ora 12:04-  Protestuesit po tentojnë një  tjetër përplasje me policinë për të çarë kordonin përballë Kuvendit. Kjo nuk është tentativa e parë e protestuesve, gjatë protestës sot, protestuesit kanë tentuar disa herë përmes përplasjeve të dhunshme dhe hedhjes së shashkave çarjen e kordonit.

Ora 11:15- Protestuesit kanë tentuar të çajnë sërish kordonin e policisë duke shtyrë gardhin e policëve. Ata vazhdojnë të hedhin tymuese, sende të forta, shashka e fishekzjarre.

“Mos hidhni kapsolla”, policia thirrje protestuesve
Ora 10:40- Protestuesit kanë hedhur tymuese, ndërsa policia iu ka bërë thirrje me megafon të mos hedhin kapsolla dhe të ruajnë gjakftohtësinë për të mos u përplasur me efektivët.

“TË NDERUAR QYTETARË! Ju lutemi ruani qetësinë. Ndërpritni veprimet e dhunshme. Mos hidhni kapsolla, lëndë piroteknike dhe sende të forta në drejtim të policisë. Ju bëjmë thirrje të distancoheni nga veprimet e dhunshme. Mos u përplasni me Policinë. Veprimet e tubueseve janë në kundërshtim me ligjin. Policia do të zbatojë ligjin. I nderuar zoti Gazmend Bardhi, si organizator i tubimit, merrni masa që personat që hedhin kapsolla lende piroteknike apo sende te forta ti nderpresin menjehere keto veprime. Merrni masa qe personat qe mbajnë maska në tubim ose ti heqin ose të largohen”, bën thirrje policia.

Ish-kryeministri Berisha i bashkohet protestës me brohorima
Ora 10:25- Me simbolin e njohura të PD-së, dy gishtat lart dhe me brohorima ish-kryeministri Sali Berisha i është bashkuar në këtë mënyrë protestuesve të Opozitës së Bashkuar përballë Kuvendit i shoqëruar nga truprojat e tij.

Kryemadhi lë selinë e LSI-së, i bashkohet protestës
10:21- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka lënë para pak minutash selinë e partisë që drejton për t’iu bashkuar protestës së opozitës së Bashkuar. Rrugës kryetarja e LSI-së takoi edhe protestues të cilët iu bashkuan asaj.

Betohen dy opozitarët e rinj, Parlamenti me 98 deputetë
Ora 10:20 – Janë betuar në Kuvend dy deputetë të rinj të opozitës. U betuan deputetët Adriatik Alimadhi dhe Arben Elezi. Nga radhët e LSI, Ambra Borova, nuk ishte sot prezente në seancë plenare, dhe pritet të betohet në seancën e ardhshme.

Gjakoset një protestues

Ora 10:20- Një protestues rreth 50 vjeç ka arritur të çajë kordonin e policisë dhe të futet brenda oborrit të parlamentit por është larguar nga policia, ndërkohë që me sa duket edhe është qëlluar pasi u shfaq i gjakosur.

Protestuesit tentojnë të çajnë kordonin e policisë, Basha iu bashkohet
Ora 10:10- Protestuesit tentojnë të çajnë kordonin e policisë, ndërsa në parlament po betohen të tjerë deputetë. Ata kanë hedhur sende të forta drejt policisë. Ndërkohë Basha iu është bashkuar protestuesve.

Basha Le Seline
Basha Le Seline

Mbërrin te MB delegacion holandez, policia blindon zonën
Ora 10:00- Paralel me protestën e opozitës sot dhe seancës në Kuvend, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pritet të zhvillojë një takim me një delegacionin holandez. Si pasojë e kësaj vizite diplomatike, policia ka larguar edhe gazetarët nga vendi i ngjarjes, duke blinduar në këtë mënyrë zonën.

Basha mbërrin në selinë e PD, FRPD me pankarta drejt Kuvendit
Ora 9:44– Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbërritur në selinë e PD-së, ndërsa  të rinjtë e FRPD-së janë nisur me pankarta drejt Kuvendit. “PD ka nisur përgatitjen për protestën që do nisë  sot. Ndërsa të rinjtë e FRPD-së janë nisur me pankarta drejt Kuvendit. Në seli ka mbërritur kreu i PD-së.”-raportoi gazetari Klajdi Bodlli.

Tensione mes protestuesve dhe policisë në pedonale
09:53-Është shoqëruar me tensione protesta e opozitës sot, ku banorë të Unazës së Re kanë tentuar të çajnë kordonin e poliicisë.

“Banorët e Unazës së Re kanë dashur të hynë në pedonale, janë masat e policisë që kanë ndaluar kalimin e çdo personi. Është ndaluar hyrja te Toptani dhe Ministria e Brendshme. Ata kanë dashur të hyjnë në kordon, ku edhe po hyjnë deputetët. Kjo ka bërë që situata të tensionohet dhe policia të shoqërojë disa prej tyre.”- raportoi gazetarja Dorjana Bezat.

Nisen protestues nga Fieri, Baçi: Rama t’i thërrasë mendjes
Ora 7:40- Anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në Fier janë nisur drejt Tiranës që në orët e para të mëngjesit. Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se nuk ka pasur asnjë organizim dhe pjesa më e madhe e qytetarëve kanë lëvizur me automjetet e tyre private.

Kreu i PD-së Fier, ish-deputeti Luan Baçi tha se protesta e radhës do të jetë para një parlamenti që nuk e njohim.
“Parlament fals, i mbushur me kriminelë dhe njerëz të papërgjegjshëm që mendojnë se përfaqësojnë popullin. Nuk do të lejojmë të zhvillohet një parlament i rregullt. Protesta do të kulmojë në 13 prill. Nga këto protesta popullore kryeministri Rama duhet t’i thërrasë mendjes pasi protestat janë qytetare.
Betimi i deputetëve të rinj është një lojë e mazhorancës së sotme që kërkon të krijojë një opozitë false”, deklaroi Baçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb