TIRANË

Ka nisur krejt ndryshe protesta e kësaj të shtune e opozitës së bashkuar, e cila kishte ndryshuar tërësisht taktikën e saj përmes simboleve e mesazheve.


Mbështetës të opozitës nga i gjithë vendi u vendosën përpara kryeministrisë ku ishin rreshtuar edhe forcat e policisë. Mesazhet se protesta do të vijonte paqësore i dhanë edhe të rinjtë e FRPD të cilët ishin vendosur përpara kordonit policor me fasha të bardha në krahë. Thirrjet për të shmangur dhunën u përsëritën edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila këtë radhë ishte e bindur se cdo incident i ndodhur në shesh do të shkonte në favor të kryeministrit.



Teksa ndezën balonat me mbishkrimet ‘Rama Ik’ protestuesit pritën në bulevard mbërritjen e kryeopozitarit Lulzim Basha iu përgjigj përmes publikut ftesës së Ramës për dialog.

“Ky bashkim i jashtëzakonshëm ka forcën, vendosmërinë dhe qartësinë për ta çuar këtë betejë deri në fund. Ne nuk do ta pranojmë dhunën e krimit të organizuar në kutitë e votimit. Nuk do pranojmë kurrë më paligjshmërinë e një qeverie të faktuara ilegjitime. Nuk do pranojmë më zgjedhje kriminale të kësaj qeverie ilegjitime dhe këtij kryeministri të kapur në krim. Jemi gati që së bashku me gjithë faktorët e përgjegjshëm politikë të vendit të hapim rrugën e zgjidhjes politike duke bërë të mundur së pari largimin e pengmarrësit dhe përmes një qeverie tranzitore ndarjen e pushteteve, zgjedhje të lira e të ndershme.

Ky kushtrim është dëgjuar nga miqtë tanë strategjikë. Orët dhe ditët në vijim qofshin ditë reflektimi të thellë për ata që mendojnë se mund ta marrin peng këtë popull se mendojnë se mund ta mbajnë peng qeverisjen e këtij vendi. për ata që iu shkon në mendje se më 30 qershor do iu shtrëngojnë kularin në fyt shqiptarëve dhe do mbysin demokracinë, kjo nuk ka për të ndodhur. Sot në këtë mbrëmje të mbushur me shpresë, të mbushur me optimizëm, me mesazh pozitive të shkrirjes në një të vullneteve tuaj, të popullit shqiptar për liri dhe demokraci, vetë vullnetit të Europës dhe miqve tanë për ta çliruar Shqipërinë nga diktatura e krimit, të ndahemi me një mesazh të qartë se ne jemi gati ta çojmë këtë betejë deri në fund po kështu dhe paralajmërimi se kush mendon se do ta thyejë këtë vendosmëri popullore, gabohet rëndë dhe e pret vetëm përmbysja popullore. Rama ik, hapi rrugë zgjidhje politike. Beteja jonë po shkon drejt fundit që paracakton historia për kombet që nuk e duan të keqen”, deklaroi Basha.

Në vend të flakadanëve e bombave molotov në shesh u shpalosën flamujt kombëtar i BE dhe SHBA si mesazh ndaj ndërkombëtarëve, ndërsa në kor protestuesit thërrisnin ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

Pas më shumë se një orë para Kryeministrisë, Kryedemokrati Lulzim Basha iu bëri thirrje protestuesve që me telefona ndezur ta ndiqnin drejt parlamentit, si mesazh për ndezjen e shpresës.

Incidentet e vogla që u shënuan përpara parlamentit nuk e prishën shijen që la tubimi paqësor në bulevard nën dritën e balonave në qiell.

Pas më shumë se dy orësh kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe mbështetës të tij u rikthyen pranë selisë blu ku përsëriti të njëjtin qëndrim se zgjidhja e krizës është vetëm largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Lideri i selisë blu ka mohuar në formë kategorike një dialog në këto kushte, ndërsa ka shtuar se kryefjala e kauzës së opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Sipas Bashës, këto janë dy parakushte që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike, e cila prej kohësh  në fakt është shoqëruar me argumente dhe akuza të forta në distancë mes palëve.

Nga selia e PD u vendos së protesta e ardhshme e opozitës së bashkuar  të jetë më 31 maj. Protesta është vendosur më 31 maj, në ditën kur kreu i maxhorancës Edi Rama ka deklaruar se nis zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vendoset data, ja kur do jetë protesta e radhës e opozitës

Ora 22:04 – Vetëm pak minuta pas mbylljes së protestës së gjashtë kombëtare, nga Partia Demokratike ka ardhur dhe konfirmimi për protestën e ardhshme. Gazetari Klajdi Bodlli duke iu referuar burimeve nga PD raportoi për “BalkanWeb” se protesta e ardhshme e opozitës do të jetë pas 6 ditës, më 31 maj.

Pas protestës, Basha mbledh ish-deputetët, zbulohet qëllimi

Ora 21:51  – Pas mbylljes së protestës së opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar një mbledhje me ish-deputetët demokratë, kryetarët e degëve dhe të bashkive.Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se Basha ka ndërmarrë këtë veprim për t’i falënderuar për punën e tyre me strukturat dhe pjesëmarrjen në protestat e opozitës.

Protestuesit tek Kuvendi, FNSH dhe një autobot në gatishmëri

Ora 20:51- Ndërsa protestuesit i janë drejtuar parlamentit për të vijuar protestën e tyre, edhe policia ka marrë masa. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se policia, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe një autobot janë në gatishmëri tek parlamenti. Perimetri i sigurisë është me gardh metalik. Ndërkohë një pjesë e protestuesve janë afruar tek gardhi i policëve të vendosur në fund të oborrit të parlamentit.

“Jepjani përgjigjen”, Basha për Ramën: Ta dëgjojë në çdo bunker

Ora 20:27- Kryedemokrati Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama pas letrës së katërt të dërguar sot. Basha tha se nuk ka dialog me Ramën duke ua lënë fjalën protestuesve për t’iu përgjigjur me ‘joooooo’.

Jepjani përgjigjen, ta dëgjojë në Surrel, në çdo bunker ku futet. Jepjani përgjigjen. Mirënjohjen më të thellë kam sot për kurajën tuaj që zgjoi botën demokratike se ne jemi popull i Europës, i lirisë, i demokracisë. Jemi njerëz që besojmë në vlera, tek dinjiteti i njeriut. Besojmë tek Zoti, besojmë tek demokracia, ndaj kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, për Europën.
Në këtë orë vendimtare kur qytetarët evropiane u drejtohen kutive të votimit le t’i shtrijnë sytë në këtë shesh e të shohin se beteja për vlerat evropiane në Shqipëri po shkon drejt fitores. Në emrin tuaj dhe të një populli të tërë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar t’i jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën, kanë kërkuar që edhe kreu i bandës në pushtet t’i thërrasë mendjes dhe të jetë i gatshëm të zbatojë standardin evropian për përgjegjësitë që ka para kushtetutës e t’i hapë rrugë zgjidhjes politike. Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit dhe pengmarrësit të demokracisë. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare. Ja ku është bashkimi dhe mesazhi ynë: Rama ik”, deklaroi Basha.

Basha: Për pushtet, Rama do të cojë vendin në përplasje civile

Ora 20:19- Ndërsa mbante fjalën e tij para mbështetësve të opozitës së bashkuar e mbledhur në bulevardin dëshmorët e kombit, kryedemokrati Lulzim Basha e ndërpreu atë për të respektuar agjërimin e besimtarëve mulsimanë.

“Më lejoni në emër të të gjithëve, teksa vjen momenti i thyerjes së agjërimit, për vëllezërit dhe motrat tanë në agjërim, tju uroj nga zemra, Zoti jua shpërbleftë sakrificën. Zoti e shndërroftë këtë bekim hyjnor për të gjithë shqitparët dhe Shqipërinë sakrificën tuaj. Ju ftoj të falemi e të lutemi bashkë me ta për një minutë, teksa thyejnë agjërimin në një akt hyjnor të sakrificës dhe të bindjes vetëm ndaj të Madhit Zot si autoriteti suprem i qenieve të tjera mbi tokë.” – u shpreh Basha.

Më tej kryedemokrati akuzoi kryeministrin Edi Rama se më 30 qershor po kërkon të cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile, dhe kjo vetem për pushtetin e tij.
“Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjon e gjithë Shqipëria, e gjithë bota, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vërtetë. Nga Londra në Vjenë, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen e i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër janë politikanë të lidhur me krimin, një grup horrash që kanë marrë peng partinë e tyre dhe e shohin popullin si shërbëtor. Edi Rama sakrifikoi gjithçka të qytetarëve, vodhi zgjedhjet për një qëllim, pushtetin e tij, për këtë do ta cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile. Duke cuar për herë të parë në 29 vite, të njëjtët trafikantë e banditë, figura të krimit, që nëse drejtësia nuk do ishte e kapur, do i dënonte për përfshirjen e tyre në shitblerjen e votës. Për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, jo vetëm i ka mbrojtur kriminelët por do përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipërinë.” u shpreh Basha.

Balona drejt qiellit

Ora 18: 45- Protesta e opozitës ka nisur ndryshe këtë herë. Një mesazh deri në qiell është konceptuar si i tillë gjesti i lëshimit të balonave me ajër që mbajnë një kërkesë: “Rama ik”.

Mësohet se janë 500 balona të bardha që janë ngritur në qiell nga organizatorët e protestës dhe të rinjtë demokratë.

Rama Ik Balona
Rama Ik Balona

Snajperë e kamera me rezolucion të lartë, masat e policisë

Ora 19:15- Policia e Shtetit por edhe Garda ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës së sotme. Gazetarja Klodiana Lala raportoi ‘live’ nga Bulevardi se policia ka vendosur në objekte dhe shtylla kamera me rezolucion të lartë për të evidentuar protestuesit e dhunshëm dhe personat problematikë. Gjithashtu në tarracën e Kryeministrisë janë vendosur efektivë të tjerë dhe të pajisur me snajperë.

Pankartë gjigande, thirrje “Rama ik”,protestuesit drejt Bulevardit

18:45- Ka nisur grumbullimi i protestuesve të thirrur nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Qytetarë nga njësia 7 në kryeqytet po përshkojnë në këmbë distancën nga “21 dhjetori” tek sheshi Skenderbej. Me një pankartë gjigande të vendosur para rreshtit të protestuesve dhe thirrje “Rama ik” ata kanë mbushur “Rrugën e Kavajës” për t’iu bashkuar protestuesve të tjerë në Bulevard.

Protesta/ Zbulohet plani i FRPD, ja çfarë mbajnë në krahë

Ora 18:46- Pak minuta para nisjes së protestës, zbulohen detaje të reja nga skenari i opozitës. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se 300 anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike do të mbajnë në krahë një shirit të bardhë në shenjë paqeje. Ata do të pozicionohen pra kordonit të policisë për të evituar përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë dhe dhunës.

PD nxjerr shifrat: Ja sa qytetarë nga rrethet do jenë në protestë

Ora 18:02- Plot 62 450 protestues nga rrethet janë nisur për në Tiranë për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Kjo është shifra që jep Partia Demokratike duke iu referuar të dhënave nga degët e saj në 11 qarqet e vendit përveç Tiranës.

Burime nga PD bëjnë të ditur se “pavarësisht presionit të policisë, ndalimeve të shumta të protestuesve, të gjobave ndaj autobusëve, prania e qytetarëve pritet të jetë madhështore”.

Qarku Shkodër – 9450 qytetarë
Qarku Lezhe – 7300 qytetarë
Qarku Kukës – 3800 qytetarë
Qarku Dibër – 3500 qytetarë
Qarku Durrës – 9800 qytetarë

Qarku Elbasan – 8100 qytetarë
Qarku Berat – 3000 qytetarë
Qarku Fier – 5600 qytetarë
Qarku Vlorë – 5000 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2200 qytetarë
Qarku Korçe – 4700 qytetarë

Një orë nga protesta, ‘blindohet’ kryeministria

Ora 17:48- Rreth një orë nga nisja e protestës së opozitës së bashkuar, forca të shumta policie kanë bërë gardh, godinën e kryeministrisë. Efektivë të forcave të rendit, janë vendosur në rresht pas gardhit metalik që rrethon godinën.
Forca të shumta policia ndodhen në të katër anët e godinës qeveritare, të cilat duket të jenë më të shumtë në numër krahasuar me protestat e mëparshme.

Opozita e bashkuar pritet të mblidhet sot në protestën e shtatë kombëtare, kundër qeverisë Rama. Pavarësisht ftesave të njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama, kryedemokrati Basha nuk ka ‘lëshuar pe’ nga qëndrimi i tij, largimi i kreut të qeverisë dhe krijim i një qeverie tranzitore që do të cojë vendin në zgjedhje të lira.

Makinat me protestues nisen nga Elbasani, kontrolle nga policia

Ora 17:38 – Ashtu sikundër nga çdo qark i Shqipërisë, edhe nga Elbasani janë nisur shumë protestues, që do të marrin pjesë sot në protestën e madhe të opozitës së bashkuar. Gazetari Fatmir Popja raporton për “Balkanweb” se autobusë dhe makina janë nisur normalisht nga selia blu në qytetin e Elbasanit.

Korçë, PD: Bllokohen 2 autobusë me protestues, 2 të shoqëruar

Ora 16:49 – Dy protestues janë shoqëruar nga policia në Korçë, ndërsa janë mbajtur të bllokuar dy autobusë. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i PD në Korçë Andrea Mano, i cili akuzoi policinë se po ushtron presion mbi protestuesit. Sipas Manos, dy protestuesit Artur Keci dhe Klement Karafili, ky i fundit ish-polic po mbahen pa asnjë arsye të shoqëruar ndërkohë që policia nuk ka dhënë asnjë sqarim pse u shoqëruan.

Lezha i bashkëngjitet protestës kombëtare opozitare

Ora 16:39 – Edhe Lezha i është bashkëngjitur protestës së sotme opozitare kombëtare. Mësohet se me dhjetëra protestues, qytetarë dhe simpatizantë të opozitës së bashkuar janë nisur nga qarku i Lezhës në drejtim të Tiranës.

Tritan Shehu: 2200 protestues nga Gjirokastra, dështuan presionet

Ora 16:23 – Ish-deputeti i Gjirokastrës Tritan Shehu thotë se presionet dhe përpjekjet për të penguar pjesëmarrjen në protestën e sotme të opozitës kanë dështuar. Ai ka publikuar foto të protestuesve të nisur nga qarku i Gjirokastrës drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestë. Sipas Shehut janë mbi 2200 protestues nga Gjirokastra.

Protestuesit fierakë drejt Tiranës, Baçi: Rama të japë dorëheqjen

Ora 16:16 – Qindra qytetarë nga Fieri, mbështetës të opozitës janë nisur nga Fieri drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e sotme. Me autobusë dhe mjete private ata do të jenë të pranishëm në protestën e disatë kombëtare të opozitës kundër qeverisë.

Katër autobusë me protestues opozitarë nisen nga Berati

Ora 15:37 –Gazetarja Eneida Petova raporton për “Balkanweb” se katër autobusë janë vënë në dispozicion të anëtarëve, simpatizantëve por edhe qytetareve, të cilët po nisen drejt Tiranës. Nisja e protestuesve u organizua jashtë mjediseve të selisë blu në këtë qytet.

(n.m/m.k/d.xh/xh.b/ BalkanWeb)