TIRANE
Ora 16:00 shënoi përfundimin e ultimatumit të caktuar nga studentët për qeverinë. Në ditën e shtatë të protestës së tyre, para Ministrisë së Arsimit, studentët u shprehën të vendosur se nuk do të dialogojnë me kryeministrin Rama, por kërkuan prej këtij të fundit plotësimin e kërkesave të tyre.
Pasi u mor vendimi i tyre me votë, një pjesë e studentëve nisën nga masa e parë e përshkallëzimit, bllokimi i rrugëve, duke marshuar drejt Zogut të Zi. Ndërkohë disa të tjerë shkuan para Kryeministrisë dhe disa qëndruan tek Ministria e Arsimit.
Si në gjithë ditët e protestës edhe sot marshimi nisi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.
Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave. Studentët e gjeologji minierave janë me kaska të verdha, ndërsa studentët e arteve kanë marrë veglat muzikore.
Në ditën e shtatë të protestës së tyre, studentët e të gjitha Universiteteve publike janë mbledhur për të protestuar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa aty pritën për disa orë me radhë deri në përfundim të afatit që i kishin lënë qeverisë ‘Rama’. Studentët i kishin parashtruar 8 kërkesat e tyre Ministrisë, por deri më tani nuk ak pasur asnjë reagim nga qeveria.
Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave. Studentët e gjeologji minierave janë me kaska të verdha, ndërsa studentët e arteve kanë marrë veglat muzikore.
Ndërkohë ka nisur marshimi nga të gjitha fakultetet, drejt rrugëve që të shpien për në Ministrinë e Arsimit, atje ku është protestuar prej një jave.
MINUTË PAS MINUTE:
Ora 19:50-Studentët që po protestojnë para Ministrisë së Arsimit kanë nisur aksionin për pastrimin e rrugës së Durrësit, atje ku qëndruan për disa orë. Gazetari Klajdi Bodlli raporton për ‘BalkanWeb’ se protesta do të nisë sërish ditën e nesërme. Dy studentë në një prononcim për ‘News24’ iu bënë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që janë transferuar tek Kryeministria dhe Zogu i Zi të bashkohen me ta nesër.
Ora 18:35 Studentët tek Kryeministria: Do e gdhijmë, kemi marrë bukë. “Kemi marrë bukë me vete, na kanë sjellë e qytetarët, dhe ne do rrimë tërë natën këtu mbi libra, do lexojmë,” tha nje student. Ndërkohë, pjesa tjetër do të vijojë të qëndrojë para Ministrisë së Arsimit.
Ora 16: 45 Një pjesë e studentëve që prej disa orësh qëndronin tek Ministria e Arsimit, pasi nuk morën përgjigje nga qeveria bllokuan Zogun e Zi. Ata bllokuan mjetet në rreth rrotullim, duke paralizuar kështu trafikun në këtë pikë kyçe të kryeqytetit.
Ora 16:34 Studentet po marshojne drejt Zogut të Zi, duke nisur keshtu edhe masën e pare te pershkallëzimit të protestës, bllokimin e rrugëve.
Ora 16:00 Skandon afati që studentët i kishin vënë qeverisë, ndërsa ata ishin ne pritje të plotesimit të 8 kërkesave të tyre.
Ora 15:08/ Protesta e studentëve, reagon sërish Rama dhe ironizon opozitën
Zbardhen 7 pikat e “Kushtetutës” së studentëve protestues
Ora 14:53 Studentët kanë lexuar në protestë 7 pikat të cilët ata e quajnë si “kushtetuta” e studentit dhe duhet të zbatohet nga të gjithë studentët protestues.
Një nga pikat është edhe bojkotimi i mësimeve deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
7 pikat e “Kushtetutës” së Studentit:
1- Ne jemi të barabartë
2- Studenti për shqiptarët, shqiptarët për studentin
3- Nuk kemi përfaqësi, nuk kemi kryesi
4- Jo negociata, jo dialog, jo bisedime!
5- Kemi vetëm 8 kërkesa të cilat janë të panegoiueshme
6- Protesta dhe bojkot të mësimit deri sa të plotësohen kërkesat
7- Në protestë janë të lirë të bashkohen të gjithë gjimnazistët, mësuesit, pedagogët, prindërit dhe kushdo që është në mbështetje të çështjes sonë.
*Kushdo që nuk zbaton Kushtetutën e studentit nuk është student protestues.
Ora 14:44/ Studentë janë shprehur se edhe pas orës 16:00 do të vijojnë rezistencën e tyre, ndërsa dilema kryesore edhe mes studentëve është se ku duhet të protestojnë; tek ministria apo para kryeministrisë.
“Kjo protestë nuk është partiake. Ne do të rrimë këtu, sepse këtu e nisëm. Nuk ka marshim. Edhe ata studentë që janë atje të bashkohen me ne sot. Ne nuk duam të tregojmë vandalizëm, ne do të rrimë këtu. Kërkojmë të drejtat tona bazike. Nëse këtu jemi prej 7 ditësh. Ne nuk jem i njerëz të egër që të përdorim dhunë. Kemi mbështetjen e pedagogëve”, u shprehën studentët.
Ora 14:15/ Studentët janë shprehur të vendosur se në kor se kush shkon për negociata te kryeministri Rama, nuk është pjesë e tyre. “ Këtu na ke” “JO negociata” kanë brohoritur studentët në kor një zëri.
“Unë jam sot studenti, 74-vjeçar nga Devolli dhe iu bashkëngjitem juve. E përshëndes këtë protestë, deri në grevë urie dhe nuk do të largohem”, tha një student.
“Të gjithë ata studentë që shkojnë tek kryeministri nuk janë tanët. Nëse do kryeministri të vijë këtu: këtu na ke!”, tha një tjetër.
13:39 /”Një fëmijë që fle rritet, por nëse një popull fle ai vdes. Ne nuk do të flemë. Kush s’kërcen nuk është shqiptar o hej, kush s’kërcen o hej. Nëpër shekuj nëpër mote asnjëhere s’u hoqëm zvarrë. Dhe po të vritem 12 herë jam krenar që jam shqiptar.” kane nisur te brohorasin studentet ne kor, pasi nje prej tyre iu drejtua turmes, ndersa me pas shperthyen ne kor duke kenduar himnin kombetar”
“S’ka parë Nikolla të qash për 100 lekë”,vijon qëndresa te MASR
Ora 13:30/“S’ka parë Nikolla të qash për 100 lekë. Nuk ka parë Lindita Nikolla mos të kesh edhe buk që të hash vetëm që të marrësh arsim. Ku janë fëmijët e Linditës? Pse nuk janë këtu mes nesh. Ne jemi fryma e shoqërisë”- tha një studente.
Studentët e Elbasanit, mbërrijnë para Ministrisë së Arsimit
13:10 /Me flamuj kombëtar e flakadanë, protestës para Ministrisë së Arsimit i janë bashkuar edhe studentët e Elbasanit.Studentët kanë marshuar në këmbë nga Elbasani në drejtim të Tiranës. “Elbasani është me ne” dëgjohet të thërrasin studentët e mbledhur para MASR, ndërsa panë të vijnë bashkëmoshatarët e tyre.
Studentët vijojnë qëndresën, qytetarët u shpërndajnë bukë
Ora 13:00/ Qytetarët janë sensibilizuar dhe janë në mbështetje të studentëve duke e treguar me veprime konkrete. Pas një qytetari që shpërndante portokalle për studentët, disa të tjerë kanë shpërndarë sanduich dhe hamburger për studentët që protestojnë para Ministrisë së Arsimit që prej orës 10:00 të mëngjesit të sotëm.
Ora 12:40/ Gjimnazistët e Ismail Qemalit para ministrisë
“Iu bëjmë thirrje edhe atyre që nuk kanë ardhur, të vijnë dhe të bashkohen në këtë kauzë. Jemi një numër i konsiderueshëm. Ne i njohim kërkesat e tyre dhe jemi në mbështetje të tyre”, shprehen gjimnazistët e “Ismail Qemalit”.
“Edhe ne jemi studentë” të moshuarit i bashkohen protestës
Ora 12:30/ Protestës i janë bashkuar, jo vetëm studentë e gjimnazistë, por edhe qytetarë e madhe edhe të moshuar.
Qëllohet me vezë godina e Ministrisë së Arsimit
Ora 12:03/ Studentët qëllojnë me veze dhe objekte të tjera në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit.
Basha: Paratë e projekteve fasadë për arsimin
Ora 11:50/Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar përmes postimeve në twitter lidhur me protestën e studentëve. “Ndryshimi në arsimin e lartë fillon me shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimin e buxhetit të arsimit. Të hiqen paratë e qytetarëve nga koncesionet plaçkitëse të check-up-it, të incineratorëve me pronarë të fshehur, të rrugëve me kosto 10 fish sa në SHBA.”- tha ai.
Tentohet të digjet flamuri i PS, PD, LSI
Ora 11:50/ Një protestues ka tentuar të djegë flamujt e PS, PD dhe LSI, por është ndaluar pas ndërhyrjes së vajzave studente. Pasi janë vendosur në një qese, tre flamujt e partive politikë janë futur në një qese dhe janë hedhur tek ministria e Arsimit. “Jo politikë” brohorasin studentët.
Rama i ftoi në parlament, Studentët: Ultimatum, mirato kërkesat
11:25– Pas statusit të kryeministrit Rama, i cili tha se është dakord me pikat e studentëve parimisht duke theksuar se për t’i hedhur në zbatim kërkojnë më parë dialogun mes palëve. Gjithashtu studentët të intervistuar nga gazetari, Erjon Skëndaj deklaruan se nuk janë dakord me propozimet e kryeministrit duke theksuar se nuk ulen pa parë të nënshkruara kërkesat e tyre.
Njëri prej tyre deklaroi se nga universiteti po marrin në këmbim “bërrylat” dha asgjë më shumë . Kryeministri Rama në postin e shpërndarë pak çaste më parë, ftoi studentët të shkojnë edhe në Parlament nëse nuk kanë besim të ulen në dialog në Kryeministrin.
“Unë mendoj se nuk jam dakord, sepse ai nuk besoj se i realizon kërkesat tona, Kryeministri duhet t’i marrë parasysh kërkesat tona një për një”, tha një student.
“Protesta do të përshkallëzohet. Nuk i njohim. Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, atëherë do jemi ne qe do t’i plotësojmë. Poshtë sistemi komunist!”, deklaroi një tjetër.
“Kërkesat tona janë këtu të shpalosura. Nuk vlen, ne duhet t’i shohim të miratuara kërkesat tona dhe pastaj largohemi.”, tha njëri prej tyre.
“Kerkesat kanë shkuar, kryeministri t’i cojë ku të dojë. Ne nuk do të tërhiqemi asnjëherë. Ne nuk po themi që të miratrohen pa ardhur viti i ri, mjafton të jenë të shkruar adhe të firmosura dhe të nisë puna sa më parë. Po marrim bërrylat nga shkolla”, shtoi një tjetër student.
11:20 – Studentët janë shprehur të vendosur edhe pas mesazhit të kryeministrit në facebook. Studentët kërkojnë të shohin të miratuara të gjitha kërkesat e tyre në formë ligjore.
“Plotëso kërkesat nuk ka negociata. Të nxjerrë një vendim që të tetë pikat janë të ploëstuara dhe ne tërhiqemi, me gënjeshtra e bisedime jemi lodhur.” -shprehen studentët
“Plotësoni kërkesat, jo negociata. Është ultimatum, plotëso kërkesat. Kohë për dialog ke patur në gjithë këto vite qeveri.” – thotë një tjetër studente.
“Nuk kemi pse vijmë në parlament, t’i miratojë kërkesat në parlament. Të tjerat janë fjalë të kota ne nuk dorëzohemi asnjëherë.”
Rama: Protestoni sa të doni, po ngrini urë komunikimi
11:10 – Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e studentëve.
“Kjo s’është një lojë force, as një lojë kungulleshkash dhe as një lojë e ka kush e ka. Vazhdojeni protestën sa të doni, po ngrini urën e komunikimit me qeverinë. Unë ju pres në çdo orë që të doni dhe jam gati të punoj me ju, jo për t’i dhënë përgjigje pozitive 8 pikave po e po, por për ta kthyer këtë moment, në çeljen e një faze të re transformimesh për universitetin.
Do të ishte hera e parë në historinë e protestave në botë, që protestuesit kërkojnë nga qeveria plotësimin e disa kërkesave dhe s’duan të ulen në tryezë me qeverinë që u thotë hajdeni t’i plotësojmë! (Mbase “tryeza e qeverisë” është një term që e kufizon imagjinatën, po fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar. Ju 140 plus tërë karriget e ministrave me 8 pikat tuaja dhe unë përballë jush, me 8+ pikat e mia:-)
Kujdes nga kushdo ju mëson t’u jepni ultimatume atyre që ju shtrijnë dorën e bashkëpunimit, sepse ju mëson si të bëheni humbës në jetë! Ndërsa kush kujton se një qeveri mund të kuptojë gjuhën e ultimatumeve, ndërkohë që vetë qeveria flet me gjuhën e Dialogut, e ka gabim. Nëse ju keni lënë mësimin për ta bërë universitetin më të mirë, bujrum të ulemi dhe të fillojmë punën bashkarisht për këtë qëllim pa humbur kohë. Çfarë presim?
Ju jeni 10 mijë, studentët në Shqipëri janë 140 mijë. Ju flisni dhe s’doni të dëgjoni, unë i dëgjoj të gjithë dhe dua të flas edhe me ju. Ju keni 1 pikë pastaj bëhen 4 pika dhe më pas shkojnë 8 pika, ndërsa unë kam më shumë se 8 pika. Në parim jam dakord me pikat tuaja, por secila prej tyre duhet zbërthyer dhe kthyer në një politikë financimi, investimi apo administrimi. E kjo nuk bëhet si gjëagjëzë në distancë, po si produkt i punës së përbashkët me laps e me letër.
Ju e dini vetë, po unë jam me ju jo me Ariun dhe Ariun se keni në qeveri po brenda e rrotull jush;-)” shkruan Rama ne Facebook.
11:05 – Tirana nga qielli/ Shihni pamjet me dron të studentëve (Video)
Rrugët e Tiranës janë mbushur si asnjëherë më parë me të rinj e të reja që kanë nisur një lëvizje të madhe për plotësimin e kërkesave të tyre. “BalkanWeb” sjell pamjet nga qielli të protestës të filmuara me dron. Mijëra të rinj e të reja me flamuj shqiptarë, amerikanë apo edhe BE dhe me parulla të shumta në duar kanë bllokuar rrugët. Studentët i kanë drejtuar 8 kërkesa qeverisë, kanë larguar çdo element partiak nga protesta duke mos pranuar politizim dhe i kanë lënë qeverisë ultimatum për plotësimin e kërkesave deri në orën 16:00 të ditës së sotme.
Studentët i janë përgjigjur negativisht edhe kërkesës së kryeministrit Edi Rama për bisedime. Mësimi është bojkotuar në të gjitha universitetet e vendit në Korçë, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër etj. Po kështu sot studentëve iu janë bashkëngjitur edhe gjimnazistët e Tiranës.
Policia në gatishmëri tek MAS
Ora 10:50- Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se pas Ministrisë së Arsimit ndodhen një numër forcash policie si të rendit ashtu edhe të Forcave Shqiponja me një furgon.
Studentët mblidhen tek Ministria
Ora 10:30- Studentët mbërrijnë tek MAS, thirrje në kor “Ulni tarifat”. Mbetet kërkesa më permanente dhe e panegociueshme. Nga të gjitha fakultetet e Universitetet në kryeqytet por edhe nga rrethet protestojnë para Ministrisë.
Studentët e Bujqësorit mbërrijnë tek ministria e Arsimit
10:13– Studentët e Universitetit Bujqësor pasi kanë bllokuar për pak minuta sheshin “Shqiponja” kanë nisur marshimin duke iu bashkuar bashkëmoshatarëve para ministrisë së Arsimit. Numri i studentëve të ardhur nga ky universitet nuk është i lartë.
Forumi për liritë Akademike-pedagogëve: Bashkohuni në protestë
10:05 – Forumi për liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, fton pedagogët t’i bashkohen protestës së studentëve. “Të angazhuar prej vitesh në kundërshtimin e ligjit për arsimimin e lartë dhe reformimin e thellë të sistemit universitar edhe sot si përherë jemi me studentët”- thuhet në deklaratën e Forumit për liritë Akademike dhe Autonominë Universitare.
“Forumi për liritë Akademike dhe Autonominë Universitare në përgjigje të thirrjes së studentëve për t’iu bashkuar protestës së tyre fton pedagogët t’i bashkohen protestës së studentëve. Të angazhuar prej vitesh në kundershtimin e ligjit për arsimimin e lartë dhe reformimin e thellë të sistemit universitar edhe sot si përherë jemi me studentët” – citohet në deklaratë.
Edhe më herët forumi për liritë akademike është deklaruar gjithnjë në mbështetje të studentëve.
Studentët e Bujqësorit bllokojnë hyrjen e Tiranës
Ora 09:38/ Studentët e Universitetit Bujqësor në Kamzë kanë bllokuar rrugën tek mbikalimi. Për disa minuta ata kanë përsëritur thirrjet për një arsim më të mirë.
Studentët e Shkodrës mbushin rrugët
Ora 9:30- Ka nisur edhe në Shkodër protesta e studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Studentët kanë nisur të mblidhen bashkë për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Ata kanë ankesa të shumta për cilësinë e mësimit por edhe nga kërkesat minimale si për kushtet dhe literaturën që iu mungon. Me parulla të shumta në duar ata i janë bashkuar lëvizjes së madhe studentore në të gjithë vendin.
Gjimnazistë nga gjimnazi ‘Partizani’ i bashkohen protestës
09:19- Gjimnazistë nga gjimnazi ‘Partizani’ në kryeqytet i janë bashkuar protestës së studentëve. Me thirrjet “Studentët kanë të drejtë”, ata janë bashkuar te universiteti Politeknik, për të nisur më pas marshimin drejt MASR. Gjimnazistët në protestë u shprehën se disa nuk u lejuan të marrin pjesë nga mësues e drejtoresha e shkollës. “Kemi patur edhe forma presioni, na thanë se do vihen mungesat. Do jemi deri në fund të protestës”, tha një prej tyre.
Protesta e studentëve në Vlorë dhe Gjirokastër
09:15- Studentët kanë nisur protestën edhe në qytetin e Vlorës. Gazetari, Enrik Mehmeti raporton për “BalkanWeb” se janë mbledhur mbi 100 studentë të cilët janë vendosur në hyrje të universitetit “Ismail Qemali”.
Ndërkohë studentët kanë arritur të bojkotojnë të gjithë mësimet e parashikuar në oraret në një pjesë të madhe të fakulteteve.
“Ka bojkot të provimeve, ndërsa ata shprehen se do jenë në protestën e tyre. Protesta është përqendruar pranë rektoratit. Kjo është dita e tretë në Vlorë, por që do të vijojë si në Tiranë. Nxënësit nuk janë bashkuar me studentët”, raportoi gazetari, Enrik Mehmeti për “BalkanWeb”.
Ndërkohë edhe në Gjirokastër studentët janë tubuar para Universitetit “Eqrem Çabej”, të cilët kanë marrë sot leje nga autoritete vendore. Protesta në këtë qytet vijon për të tretën ditë radhazi.
“Kanë patur edhe kërcënime për studentët për të mos marrë pjesë në protestë. Dita e sotme është lajmëruar të jetë me përmasa më të mëdha. Ditën e sotme pritet të jetë më masive. Sot është marrë leje nga policia. I kanë lejuar, por me një orar të reduktuar. Policia ka qenë e pranishme rreth ambienteve ku po mbahet protesta. Ka nisur protesta, por pritet të rritet numri i tyre”, raportoi gazetarja, Brikena Metaj.
Nis marshimi tek Mjekësia
Ora 9:00- Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se një grup i madh studentësh janë mbledhur tek Fakulteti i Mjekësisë për t’iu bashkuar më pas pjesës tjetër të studentëve para MAS ku edhe do të jetë stacioni i madh.
Studentët e Elbasanit
09:12- Dhjetëra gjimnazistë të Elbasanit i janë përgjigjur thirrjes së studentëve për t’iu bashkuar protestës se tyre.Përpara hyrjes së gjimnazeve në orën 08.00 qëndronin një numër i konsiderueshëm nxënësish, të cilët kanë refuzuar të marrin pjesë në mësim.
Ndërkohë mësuesit u kanë bërë thirrje të mos bojkotojnë mësimin maturantëve. Disa prej tyre janë futur në mësim, ndërsa një pjesë tjetër është nisur drejt sheshit kryesor të qytetit.
Gazetari Fatmir Popja tha për “BalkanWeb se studentët janë nisur nga Elbasani me mjete private për t’iu bashkuar protestës, e cila vijon për 7 ditë para ministrisë së Arsimit. “Kanë vendosur flamurin Kombëtar përpara Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Studentët janë nisur në grupe të vogla me makina private, por edhe me mjete të transportit drejt Tiranës”, theksoi Popja.
Me pankarta të ndryshme ”Koha e maskarenjve” si dhe “Dinjiteti nuk matet me pozitat që zotëron, por me vetëdijen që i meriton”, studentët e Elbasanit vijojnë të qëndrojnë stoikë në kërkesat e tyre.
Studentët e Politeknikut publikojnë fotot: Vetting për pedagogët
09:10- Studentët e Universitetit Politeknik të mbledhur para sheshit Nënë Tereza nga ku pritet të nisë më pas marshimi drejt Ministrisë së Arsimit, kanë publikuar sot me foto edhe emrat e pedagogëve të cilët sipas tyre duhet ti nënshtrohen vetingut.
Në foton e publikuar në kolonat e universitetit, studentët kërkojnë veting për pedagogët: Boris Cfarku, Ylli Gjanci, Enkelejd Caca, Bujar Dida, Bojken Shehu, Anila Peposhi, Endri Raco, Anita Caushi, Brikena Xhaja, Margarita Gjonaj, si edhe Xhameli Pejtamalli.
Studentët kërkojnë veting për këta pedagogë, të cilët në foto i kanë shënuar me kryq të kuq, sipas studentëve, këta pedagogë janë të korruptuar. Vetting për pedagogët është një kërkesë e cila është vënë re nga studentët gjatë ditëve të protestës para MASR. Krahas shumë pankartave që mbanin në duart, është vënë re edhe “Vetting për pedagogët”.
Studentët e Sarandës në protestë
Ora 9:00- Edhe studentët e Sarandës i janë bashkuar Lëvizjes Studentore duke bojkotuar mësimin ditën e sotme. Nga Saranda vijnë pamje të studentëve që janë mbledhur në mbështetje të protestës së nisur në kryeqytet për plotësimin e një liste me kërkesa nga qeveria, mes tyre ulja e tarifave.
Kjo është dita e shtatë që studentët protestojnë për kërkesat e tyre, ndërsa e marta ishte paralajmëruar si pika kulmore e kësaj lëvizje. Studentët i kanë dhënë afat qeverisë deri në orën 16:00 të ditës së sotme.
Gjimnazet në protestë
Ora 8:30- Gjimnazistët e Tiranës i bashkohen protestës së studentëve. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm ata janë mbledhur fillimisht në shkollat e tyre dhe më pas për të marshuar bashkë me studentët drejt Ministrisë së Arsimit.
Gjimnazistët, kryesisht maturantët kanë bojkotuar mësimin sot për të protestuar bashkë me studentët për plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria. Thirrjet që gjimnazistët, nesër studentë t’i bashkohen protestës janë artikuluar prej ditësh, ndërsa ishte paralajmëruar e marta si pika kulmore e Lëvizjes Studentore të nisur prej disa ditësh.
Gjimnazi “Sami Frashëri”, “Petro Nini”, “Shkolla profesionale e Ekonomikut” dhe “Qemal Stafa” janë disa prej gjimnazeve që marrin pjesë sot në protestë. Po kështu studentët iu kanë bërë thirrje edhe pedagogëve t’i bashkohen kësaj proteste.
Në një letër e cila u është drejtuar Kuvendit, Kryeministrit, Ministres së Arsimit, Universiteteve Publike, studentët që protesojnë që prej 7 ditësh parashtrojnë këto 8 kërkesa:
1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.
2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)
7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.
(d.d/m.k/n.m/da.xha/BalkanWeb)