DELVINË

Banorët e fshatit Bajkaj në Delvinë janë kundër hapjes së gurores. Ata kanë protestuar sot në fshat teksa ka pasur edhe një përplasje fizike me përfaqësuesit e firmës.

Për më tepër ata kanë nënshkruar edhe një peticion ku kanë kërkuar që gurorja mos hapet në fshatin e tyre. Gazetarja Shpresa Dine raporton për BalkanWeb se sot ka pasur një dëgjesë publike mes Ministrisë së Infrastrukturës, Bashkisë Delvinë dhe firmës së gurores, por nuk janë njoftuar banorët e fshatit.

Ekzaktësisht gurorja është planifikuar të hapet në një ish- zonë ushtarake 96 mijë metër katrorë në Qafën e Breshërit.

Protesta është zhvilluar pikërisht në vendin ku planifikohet të hapet gurorja dhe banorët pretendojnë se ajo do të sjellë shkatërrim të natyrës dhe ndotje të mjedisit. Por ndërkohë mësohet nga Bashkia e Delvinës se institucioni lokal nuk ka pasur dijeni për këtë gurore dhe nuk ka firmosur hapjen e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb