DROPULL

“Linja e re e transportit urban që lidh Dropullin me Gjirokastrën dhe anasjelltas duket se nuk po funksionon. Konfuzioni me linjat e transportit urban lindi tre muaj më parë kur linja e re Gjirokastër – Dropull – Gjirokastër u vu në funksionim duke nxjerrë jashtë loje 4 operatorët e dikurshëm që kanë operuar në këtë zonë për më shumë se dy dekada.

Banorët e fshatrave të thellë malorë të Dropullit të Sipërm janë grumbulluar sërish në qendër të fshatit Vrisera për të adresuar shqetësimin e tyre në lidhje me transportin publik. Ata thonë se linja e re e liçensuar disa muaj më parë nuk i përshkon këto fshatra, duke detyruar banorët, kryesisht të moshuar të udhëtojnë me taksi ose me këmbë për më shumë se 15 km deri në Jorgucat, që është edhe stacioni i fundit i linjës Gjirokastër – Dropull.”

Banorët shprehen se nëse situata nuk ndryshon brenda 15 ditëve ata do të bllokojnë rrugën nacionale në hyrje të Pikës Kufitare të Kakavijës.

Ndërkohë një ditë më parë, i dhanë fundit protestës dhe bojkotimit të tyre shoferët në Gjirokastër që prej 11 ditësh protestonin mbi përplasjet e orareve dhe rregullave pas liçencimit të linjave reja Libohovë -Tirane dhe Dropull – Tirane. Ata kanë arritur një marrëveshje me Ministrinë e Transporteve, por pohojnë se në rast mosrespektimi të saj, do t’i rikthehen protestave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb