TIRANË – Para takimit të Ministrave të Jashtëm të 13 vendeve të SEECP-it në hotel “Sheraton”, disa qytetarë të organizuar nga ambientalisti Sazan Guri dhe shoqata të tjera, kanë protestuar kundër devijimit të një pjese të ujërave të përbashkëta të lumenjve nga shtetet e tjera, ku ato burojnë apo kalojnë dhe ndikojnë ndjeshëm në Shqipëri, si kundër devijimit të Vjosës nga Greqia, Bunës nga Mali i Zi apo Radikës nga Maqedonia.



Me parulla në duar, ata i kanë drejtuar thirrjet e tyre nga ministrat e Jashtëm me qëllim që t’i sensibilizojnë për padrejtësinë që po i bëhet vendit. “Qytetarë shqiptarë, zgjohuni të paktën një ditë”, kanë shkruar ata në parullat e tyre kurse Guri tha: “Lërini ujërat të rrjedhin në rrugën e Zotit dhe jo në rrugën e Djallit!”


Sazan Guri lëshoi një thirrje publike para mediave: “Shqiptarë të nderuar, zgjohuni! Se ka ardhur dita kur grekët, në burimet e Vjosës do të marrin 40% të prurjeve, kurse në burimet e Radikës, 2.3 m kub në sekondë, që po t’i shumëzojmë për 24 orë dhe 365 ditë, nuk ka shifër t’i përmbledhë humbjet tona në energjitikë, në veprat hidrike, ato ujitëse e ekosisteme. Pavarësisht nga numri i pjesëmarrjes sonë sot, ne kemi atë që quhet dinjitet kombëtar dhe kemi ardhur këtu, para “Sheratonit”, ku ministrat e Jashtëm do të diskutojnë edhe çështjen e asaj që do ta quaja, e rrëmbimit të ujërave shqiptare.

Besojmë se Qeveria nuk do të bëjë gabimin e qeverive të kaluara, nga të cilat deri më sot ne s’kemi pasur informacion po tani t’i themi: Ndalu bek, se ka hendek! T’u themi atyre që pa pjesëmarrjen e popullit shqiptar ne nuk do të pranojmë kurrë, se edhe sikur qeveritë të vendosin, është e drejtë ndërkombëtare që ujërat të rrjedhin në rrugën e Zotit dhe jo në rrugën e djallit. Duam t’i tërheqim vëmendjen se me këtë popull s’mund të tallesh. Nga takimi që patëm me z.Bushati dje, kuptuam se qeveria do të mbajë një kontakt me ne dhe ne u dhamë të kuptojnë se nuk ka negociata pa shoqërinë civile dhe nuk ka negocim për rrëmbimin e përjetshëm të ujërave. Ka shfrytëzim për qëllime të mira, porjo devijime të përjetshëm,”- theksoi Guri.

Kjo është e disata protestë që përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë kundër devijimit të lumenjve. Dy ditë më parë, përfaqësuesit e shoqërisë civile u takuan edhe me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati për këtë qëllim.

Që në vitin 1978, Greqia ka bërë kërkesë për të devijuar 12% të prurjeve të Vjosës për ndërtimin e një hidrocentrali.

(ar.sh/BalkanWeb)

Etiketa: