*“Gener 2”: Deklaratat populiste të Veliajt ndikojnë në gjyqësor, cënojnë interesat tona
*Veliaj reagon pas deklaratës së “Gener2”: Njerëzit para fitimeve!

TIRANË- Pas protestës së Bashkisë së Tiranës të mbështetur edhe nga qytetarët, është shtyrë gjykimi për pallatin 17-katësh tek diga e Liqenit. Mësohet se seanca e radhës do të jetë më 13 maj, derisa të shqyrtohet përjashtimi i trupit gjykues. Gjithashtu bëhet me dije se nga çështja ka hequr dorë edhe gjyqtarja Alkelina Gazidede.

Kompania “Genar 2” paditi IKMT pasi kërkoi pezullimin e punimeve për ndërtimin e pallatit. Sakaq kryebashkiaku Veliaj u shpreh sot kundër trupës gjykuese që do të gjykonte çështjen pasi sipas tij, ata kishin lidhje familjare me ndërtuesit.

Pas vendimit ka reaguar edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili e cilëson këtë një “betejë të fituar”.

“Fituam një betejë por jo luftën”,- tha ai.

PROTESTA PARA GJYKATES ADMINISTRATIVE
Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët Bashkia e Tiranës ka nisur protestën përpara Gjykatës Administrative, ku kërkon pezullimin e gjyqtarëve që do gjykojnë padinë e Bashkisë për pezullimin e ndërtimit të Pallatit 17-katësh tek diga e Liqenit.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj theksoi edhe njëherë se ndërtimi tek diga është i rrezikshëm dhe se nuk mund të gjykohet nga gjyqtarë qe kanë lidhje me ndërtuesit.

“Ndërtimi te diga është shpallur i paligjshëm, ne premtuam se ndërtimet te diga nuk do të lejohen. Duhet të respektohet vendimi i komitetit të digave, pasi ndërtimi te diga e liqenit është i rrezikshëm. Një biznesmen do të fitojë mln euro në kurriz të Tiranës. Ky gjyq është i shitur, të ndërrohet trupa gjykuese”.

BRAHO: TË MOS LEJOJMË SHKATËRRIMIN E TIRANËS
Nënkryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, përfaqësuese e PDIU-së, Vjollca Braho ka mbështetur protestën e sotme të nisur nga Bashkia e Tiranës, për të ndryshuar trupin gjykues që do të ketë në dorë “ndërtimin e pallatit 17-katësh tek diga. Sipas saj, ky ndërtim nuk duhet të lejohet.

“Nuk duhet të reshtim deri sa të ndryshojmë trupin gjykues. Të mos lejojmë të shkatërrohet Tirana. PDIU është parti e gjithë shqiptarëve, por mbi të gjitha është e qytetarëve. Na keni në krahë për të mbështetur reformën në drejtësi dhe anulimin e këtij vendimi”.

NDËRTIMI I PALLATIT TE DIGA, VELIAJ: GJYKIMI NGA FAMILJARË TË NDËRTUESVE, TË PËRJASHTOHEN
Kryebashkiaku Erjon Veliaj në një status të tijin në Twitter fton qytetarët të protestojnë para gjykatës për ndërtimin e pallatit 17 katësh pranë digës së liqenit. Sipas Veliajt, gjykimin për ndërtimin apo jo të tij e kanë në dorë familjarë të ndërtuesve. Kjo siç tha ai është e paligjshme dhe fyese.

“Premtova se do kërkoj revokimin e lejes te Liqeni sipas raportit të Bordit të Digave. Seanca ku do kërkojmë anulimin e lejes së ndërtimit do zhvillohet sot në orën 11:00. Gjykimi nga familjarë të ndërtuesve është i paligjshëm dhe fyes. Gjyqtarë nuk mund të jenë familjarët e ndërtuesve. Hiqni familjarët nga gjykimi, ndryshe do protestojmë.

“Gjykata s’mund të jetë tender për ofertën më të lartë. Në 11:00 të gjithë te gjykata për reformë në drejtësi Reformë në drejtësi duhet të bëhet për drejtësi në qytet”, shtoi kryebashkiaku.

Kreu i bashkisë së Tiranës shtoi ndër të tjera se ka dorëzuar në gjykatë një tjetër kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues. “Bëra kërkesë për përjashtim të trupit gjykues me prova për konflikt interesi”,- shton Veliaj.

Po sipas tij, “Kjo trupë gjykuese nuk mund të japë drejtësi se është e kompromentuar”.

REAGON “GENER 2”

Kompania “Gener 2” i bën thirrje kryebashkiakut Veliaj të distancohet nga interesat klienteliste. Sipas “Gener 2”, deklaratat populiste të Veliajt ndikojnë në gjyqësor.

“Duam të përgënjeshtrojmë sulmet e Erion Veliajt. Deklaratat populiste ndikojnë në gjyqësor, cënojnë interesat tona komerciale. Mënyrat jo ligjore dëmtojnë imazhin e vendit. Veliaj të distancohet nga interesat klienteliste.”- thuhet në deklaratën e kompanisë.

Sipas“Gener 2”, projekti i miratuar nga Bashkia është parashikuar në një zonë private.

VELIAJ: NJERËZIT PARA FITIMEVE!”

Pas deklaratës së kompanisë “Gener 2”, kryebashkiaku Veliaj reagoi në rrjetin social “Twitter”, ku shkruan: “Imazhin? S’ma ndjen për imazhin e tafmasë 220mln eu fitim mbi rrezikun e jetës së njerëzve! Njerëzit para fitimeve!”
(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: