Pamjet e një protestuesi që përfshihet nga flakët pasi bomba molotov i shpërthen te këmbët kanë bërë xhiron e rrjetit. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka publikuar videon e këtij momenti. Në pamje duket se lënda plasëse hidhet nga protestuesit në drejtim të kordonit të policisë te Bashkia e Tiranës.

Në këtë moment, siç duket nga pamjet, disa prej efektivëve e shtyjnë me këmbë molotovin dhe ai përfundon te protestuesi i moshuar që ndodhej pak metra më larg dhe menjëherë shpërthen në flakë.

Qytetari mori lëndime në gjymtyrë të shkaktuara nga djegia e bombës molotov, por fatmirësisht pa pasoja serioze.

Duke iu përgjigjur ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, Bardhi e akuzoi atë se sajoi foto me policë të lënduar në spitalin e Traumës, në një kohë kur sipas tij, ka qytetarë të lënduar nga protesta.

“Ky është momenti ku Policia e Shtetit shtyn molotovët drejt turmës së qytetarëve të pa pajisur me mjete mbrojtëse dhe që plagosi rëndë një qytetar të moshuar pjesëmarrës në protestë. Ushtari i Ergys Agasit në krye të Ministrisë së Brendshme sajon foto me policë “të dëmtuar”, ndërkohë nuk ka informacion që janë plagosur qytetarë. E siguroj që si trashëgimtar i familjes së Enver Hoxhës, do të ketë fatin e të parëve të tij! Kriminel!”, shprehet Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb