Eksperti i IT-së, Gent Progni, ka reaguar lidhur me arrestimet e protestuesve gjatë tubimeve antiqeveritare, duke deklaruar se ligji nuk mund të përdoret si instrument kundër qytetarëve dhe në favor të pushtetit.
Në revoltën e 97 kundër Ramës, Progni u shpreh se arrestimet e protestuesve kanë treguar, sipas tij, mënyrën se si po trajtohet e drejta për protestë.
“Protestuesit i morën me pranga, sot maska ra. Ligji nuk mund të përdoret si shkop kundër qytetarit dhe mburojë për pushtetin”, deklaroi Progni.
Ai kritikoi përdorimin e forcës dhe masave ndëshkuese ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtës për të protestuar dhe të zbatimit të barabartë të ligjit.
“Sot ra një pjesë tjetër e maskës së këtij sistemi. Protestuesit i marrin me pranga, i fusin në qeli, i mbajnë deri në 72 orë. Dhe sot çfarë ndodhi? Gjykata i konsideroi të paligjshme arrestimet e fundit. 72 orë nga jeta e një qytetari nuk kthehen mbrapsht. Ku është përgjigjja për këtë? Sepse për protestuesit shteti vepron menjëherë, por kur akuzohet policia për dhunë, ku është shteti, ku është hetimi dhe kur janë masat?
Ne kërkojmë masa që mund të tregojnë të vërtetën dhe kamerat nuk na jepen. Prandaj po e them publikisht, mos prekni provat, mos zhdukni asnjë sekondë filmim, jepni kamerat dhe lëreni të vërtetën të flasë.
Për qytetarët ka pranga, për protestuesit qeli, për uniformën e akuzuar për dhunë, heshtje. Kjo nuk është barazi para ligjit.
Prandaj, kërkesa jonë është e prerë, jepni kamerat, ruani provat dhe mbani përgjegjësi për arrestimet e paligjshme, sepse ligji nuk mund të përdoret kundër qytetarëve dhe si mburojë për pushtetin”, shtoi Progni.
