“Turp-Turp-Plehra! Jeni mafiozë!” Këto kanë qenë thirrjet e protestuesve pas vendimit të parlamentit, i cili miratoi me 63 vota ligjin për importin e mbetjeve. Ndërsa deputetët kanë lënë sallën e parlamentit pas rreth 10 orësh debate, protestuesit e shoqërisë civile janë afruar më shumë parlamentit ndërsa kanë lëshuar thirrje të shumta kundër tyre.  Ata i kanë përcjellë me ‘diss’ deputetët.

Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë kur ka dalë deputeti Ben Blushi, i cili është duartrokitur, kjo pas qëndrimit të tij kundër këtij ligji, të shprehur sot në parlament. Blushi është ndalur disa çaste dhe iu është drejtuar protestuesve, duke thënë se ligji moralisht ka rënë pasi nuk i ka marrë të gjitha votat e maxhorancës.

“Duhet të bëheni më shumë, jeni shumë pak. Unë e kam bërë punën time. Ligji sonte nuk ka kaluar, ka marrë 63 vota, moralisht ka rënë nuk i kishte 71 vota. Po shkoni në referendum nuk ka rrugë tjetër”, ka thënë ai.

Blushi shoqërohej nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Lavdosh Ferruni, një nga drejtuesit e Aleancës Kundër Importit të Plehrave paralajmëroi se nga nesër lëvizja kundër importit do të jetë edhe më e fuqishme.

“Qytetarët janë shumë të revoltuar dhe jo vetëm këta që janë këtu por në të gjithë Shqipërinë. Kishin një lloj shprese, por nga nesër do të ketë një lëvizje të fuqishme që do të kthejë në atë vendim që qytetarët e presim në ndalimin e importit të plehrave”, tha Ferruni.

Protesta e shoqërisë civile para parlamentit ka vijuar për më shumë se 12 orë gjatë ditës së sotme, pas shtyrjes së votimit për ligjin që do të lejojë importin e mbetjeve dhe që u miratua sot.

Protestuesit kanë krijuar madje edhe kosha plehrash simbolikë duke iu vendosur emrat e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit socialist Eduard Shalsi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb