NGA ERMELINDA HOXHAJ

TIRANE- Agjencia Kombëtare e Provimeve në fund të tetorit u ka dërguar shkresë Drejtorive Arsimore dhe zyrave arsimore që të bëjnë verifikimin e duhur të kandidatëve që dëshirojnë të hyjnë në provimin e shtetit në sezonin e nëntorit, i cili pritet të nisë në datë 21 nëntor 2016. Sipas shkresës së AKP-ës që ka siguruar “Gazeta Shqiptare”, e cila i drejtohet Zyrës Arsimore Kamëz, shkruhet se në sezonin e shkuar, në korrik të 2016, janë konstatuar raste të kandidatëve që kanë pasur parregullsi në dokumentacion. Ndaj nëpërmjet kësaj shkrese u kërkon Dar/ZA-ve që të bëjnë verifikimet e duhura për të gjithë kandidatët, si dhe u rikujton ligjin se cilat janë dokumentet dhe kriteret që duhet të kenë kandidatët për të hyrë në provimin e shtetit për mësuesi. Në fund të kësaj shkresë, AKP-ja saktëson se kandidatët që nuk kanë dokumentet e përcaktuara në ligj nuk do të hyjnë në provimin e shtetit në këtë sezon.

Shkresa
“Gjatë sezonit të kaluar të provimeve të shtetit, korrik 2016, nga AKP janë konstatuar disa raste të kandidatëve pjesëmarrës për provim shtetit në mësuesi, dokumentet e të cilëve kanë rezultuar të parregullta. Konkretisht, një pjesë e kandidatëve të cilët nuk ishin pajisur me diplomën e ciklit të dytë të studimit, por me vërtetim të përfundimit të studimeve të lëshuar nga Institucionet e Arsimit të Lartë përkatëse, kanë paraqitur edhe certifikatën TOEFL të njohjes së gjuhës së huaj angleze. Këto certifikata kanë rezultuar të lëshuara nga shoqata ‘Ader’ dhe jo nga organizata ndërkombëtare ‘ETS’, e cila ka tagrin ekskluziv për të zhvilluar testin TOEFL për nivelin e njohjes së gjuhës së huaj angleze. Lidhur me sa më sipër, lutemi të verifikoni me kujdes dokumentacionin e të gjithë kandidatëve që do të të regjistrohen në provimin e shtetit në mësuesi.

Theksojmë se kandidatët për t’u regjistruar në këtë provim shteti, mbështetur në ligjin, nr.10171, datë 22.10.2009, neni 7, “Për profesionet e rregulluara”, duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të lëshuara nga universitetet përkatëse. AKP-ja nuk do të mundësojë kandidatëve që u mundojnë këto dokumente të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionet e rregulluara të mësuesit. Kjo kërkesë e mbështetur në dispozitat ligjore në fuqi bëhet në kuadër të përgjegjshmërisë së AKP-së për të pajisur studentët, të cilët realisht kanë përfunduar të gjitha detyrimet ligjore të programeve të studimit me licencat përkatëse”, shkruhet në shkresën e AKP-ës, drejtuar Zyrës Arsimore të Kamzës, e cila mban datën 28.10.2016.

Neni 7, që i referohet AKP në shkresë për formimin dhe kualifikimin profesional për ushtrimin e profesionit të rregulluar përcakton se: “Personi që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”. Ndër të tjera, në shkresë AKP-ja ka prekur edhe çështjen e certifikatës së njohjes së gjuhës së huaj së huaj, e cila faktikisht nuk është pjesë e tagrit të saj, pasi kontrollin në këtë rast duhet ta bëjnë universitetet, të cilat në bazë të kësaj certifikate i japin studentit diplomën e përfundimit të studimeve master.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb