NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Provimi i shtetit për rreth 2 mijë kandidatë në profesionet e mjekësisë pritet që të nisë pas datës 25 janar 2016. Në dhjetor 2015, u vendos që të shtyhet provimi i shtetit për mjekësinë, për shkak të një urdhri të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe asaj së Shëndetësisë, të cilat ngritën një grup pune për të bërë kontrollet e kandidatëve që janë regjistruar pranë Urdhrit të Mjekëve, të Farmacistëve, Infermierit dhe Urdhrit të Stomatologut për provimin e shtetit nga data 1.1.2014 e në vijim.

Grupi i punës i cili u ngrit me urdhër të MAS dhe MSH, sot pritet të mbyllë verifikimet pranë urdhrave profesionalë të mjekut, stomatologut, farmacistit dhe infermierit. Ndërkohë që në datën 19 janar duhet të ketë përpiluar raportin me gjetjet që kanë konstatuar gjatë kontrolleve në urdhrat përkatës të këtyre profesioneve të rregulluara. Verifikimit i janë nënshtruar rreth 5.500 kandidatë, pasi prej datës 1 janar 2014, ky është numri i kandidatëve që janë regjistruar pranë urdhrave përkatës për të dhënë provimin e shtetit.

Verifikimet
Grupi i punës i ngritur me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë këtë të premte ka ditën e fundit të verifikimeve të dokumentacionit të kandidatëve që janë regjistruar për provimin e shtetit pranë Urdhrit të Mjekëve, Urdhrit të Stomatologut, Urdhrit të Farmacistëve dhe Urdhrit të Infermierëve. Kontrolli do të ushtrohet për kandidatët që janë regjistruar prej datës 1 janar 2014 deri në dhjetor 2015. Po ashtu, në urdhër përcaktohet se brenda datës 19 janar, grupi i punës duhet të hartojë raportin me konstatimet dhe rekomandimet përkatëse, dhe t’i dorëzojë në MAS dhe MSH.

Ndërkohë që, kandidatët që janë regjistruar për të kryer provimin e shtetit në sezonin dhjetor 2015, të shtyhen për në fund të muajit janar 2016, përcakton urdhri i përbashkët i dy dikastereve, atij të Arsimit dhe Shëndetësisë. Sipas burimeve pranë MAS, kontrolli ka ardhur, për shkak se ka pasur sinjalizime se disa kandidatë të regjistruar pranë urdhrave përkatës të këtyre profesioneve të rregulluara nuk kanë plotësuar kriteret për të hyrë në provim shteti. Provimi i shtetit u jep këtyre kandidatëve të drejtën e ushtrimit të profesionit.

Kandidatët
Në provimin e shtetit në profesionet e mjekësisë për sezonin nëntor-dhjetor 2015, sipas AKP-së ishin regjistruar rreth 2 mijë kandidatë, ku 660 janë mjekë, stomatologë dhe farmacistë, ndërsa pjesa tjetër, 1.300, janë infermierë, mami, logopedistë, teknikë të imazherisë dhe teknikë laboratori. Sipas AKP-së, të gjithë kandidatët që janë regjistruar për të dhënë provimin e shtetit të parashikuar për t’u zhvilluar në muajt nëntor-dhjetor 2015, në profesionet e rregulluara të mjekut, stomatologut, farmacistit, infermierit, mamisë, fizioterapistit, logopedistit, teknikut të laboratorit dhe teknikut të imazherisë, njoftohen se provimet e shtetit do të shtyhen, për t’u zhvilluar javën e fundit të këtij muaji.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: